Inaugurohet Qendra e re Komunitare në Shkozë, Veliaj: Iu shërben mbi 500 familjeve në nevojë dhe fëmijëve me aftësi ndryshe

Nov 15, 2021 | 14:07
SHPËRNDAJE

Qendra Komunitare në Shkozë, që iu shërben çdo vit të paktën 500 familje në nevojë, e cila ishte e amortizuar si pasojë e viteve dhe e dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, është transformuar.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte së bashku me deputetin e PS, Alqi Bllako ne Qendrën e re Komunitare.

vewliaj nga shkoza

“E gjithë Shkoza është kthyer në një kantier. Kemi një bashkim të Unazës së Madhe, e cila vjen nga zona e Farkës në drejtim të Shkozës, duke iu afruar Tufinës, për të dalë në anën tjetër të Bregut të Lumit. Është bërë lidhja edhe me zgjatimin e Lanës, nga Materniteti i Ri deri në Shkozë. Pra, Shkoza që dikur tingëllonte sikur ishte mbrapa botës, sot është një destinacion shumë më i afërt. Por, kantieri më i mirë është kantieri njerëzor dhe këtu në Shkozë kemi një kantier për njerëzit nevojtarë sepse banojnë në banesat sociale apo vijnë nga familje me fatkeqësi të ndryshme, të cilët jetojnë në një komunitet ku ndihen të barabartë,” u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se një hapësirë e rëndësishme në këtë qendër i është dedikuar edhe fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët trajtohen falas nga një personel i kualifikuar.

“Për të gjitha këto komunitete, por sidomos për komunitetin me aftësi ndryshe dhe fëmijë të spektrit autik që vijnë nga familje që nuk mund t’i përballojnë dot çmimet e institucioneve private të terapisë, është krijuar një ekosistem fantastik. Këtu kanë edhe mensën, pra edhe ushqimin për trupin, por edhe ushqimin për mendjen dhe shpirtin, ku bëhen mësimet, mësohet anglisht, bëhen projekte artistike – kulturore, që fëmijët të rriten me gjithë dimensionin e tyre. Asnjë fëmijë nuk ka faj që ka lindur në kushtet ku ka lindur, kështu që detyra jonë, jo vetëm si të majtë, por edhe si administratorë të qytetit, është të paktën t’u sigurojmë që fillimin ta kenë të barabartë. Do të thotë se një fëmijë i këtij komuniteti nuk ka asnjë arsye të mos ketë të njëjtin akses tek anglishtja, tek kompjuteri, tek aftësitë e tij artistike dhe kreative, si çdo fëmijë tjetër,” deklaroi kryebashkiaku.

Rehabilitimi i Qendrës Komunitare Shkozë u mundësua falë Marrëveshjes së Donacionit të Grand Circle Foundation lidhur me Bashkinë Tiranë. Po ashtu edhe Credins Bank i është bashkuar projektit, duke mbështetur me donacionin e tyre kompletimin e ambienteve të brendshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura