Incidenti në hotel/ Mjekët shqiptarë në Itali: Festuam pak më shumë seç duhet, e tepruam dhe…

May 2, 2020 | 21:41
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Gjoba e Policisë italiane për mjekët shqiptarë që shërbyen në Itali në përballimin e situatës së prodhuar nga COVID-19, shkaktoi një furtunë të vërtetë në mediet shqiptare dhe ato italiane.mjeket shqiptare ne itali kthehen

Pas detajeve që drejtori i hotelit “Regal” në Breshia dha për gazetën “Panorama”, ka ardhur edhe reagimi i mjekëve, të cilët kanë nisur një letër ndjese karshi Policisë së Breshias, por edhe spitalit ku shërbyen për gati 1 muaj.

Në letër, mjekët e pranojnë që për disa momente e kanë tepruar me entuziazmin dhe festimin për përmbylljen e këtij misioni, por japin edhe justifikimet, që sipas tyre i çuan drejt një sjellje të tillë.

Emocionet e daljes negativ me COVID-19 dhe dëshira për të shërbyer sërish në Shqipëri, ishin disa nga motivet që sipas mjekëve bën që për disa momente të rrëmbeheshin nga ekzaltimi.

“Fatkeqësisht, në hotelin ku qëndruam, në Breshia, festuam pak më shumë se sa duhej, për misionin e kryer dhe për lajmin e mirë se nuk ishim të infektuar me Covid-19, pas përgjigjes së dytë të analizave, çfarë nuk do të na pengonte të vazhdonim punën tonë, pa e kuptuar shqetësimin që krijuam në hotelin ku po qëndronim”, shkruhet ndër të tjera në letër.

Më tej, ata theksojnë se Policia ka bërë detyrën e saj dhe shpresojnë që të mund të shfajësohen përmes kësaj letre.

“Policia bëri punën e saj, ne na vjen sinqerisht shumë keq për atë çfarë ndodhi dhe i kemi dërguar një shpjegim me shkrim ku sqarojmë gjendjen tonë shpirtërore për ndodhinë me shpresën se justifikimet tona do të mund të dëgjohem nga autoritetet italiane”, shkruajnë mjekët shqiptarë që për gati një muaj shërbyen në spitalet italiane, në luftën kundër virusit COVID-19.

PRITJA NË AEROPORT

Por më herët, grupi i 30 mjekëve shqiptarë që shërbeu në Breshia, te pacientët e prekur nga COVID-19, u prit në Aeroportin e Rinasit nga ministrja Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit rezervoi fjalët më të mira për të gjithë pjesëtarët e grupit, duke theksuar se përveç nderit që ata i bën vendit, tashmë do të jenë një vlerë e shtuar për ekipin shëndetësor shqiptar në përballjen me virusin.

“Jam shumë e emocionuar që jeni këtu, pasi ishim në merak për ju, duke qenë se po shkonit në vendet më të prekura. Di që keni bërë një punë të lavdërueshme. Keni lënë mbresa te stafi aty në spitalet në Breshia. Keni lënë mbresa te pacientet. Ju keni shkruar një faqe të re në historinë e marrëdhënies mes Italisë dhe Shqipërisë. Jam e sigurt që kjo eksperiencë do t’u shërbejë shumë ju, por edhe sistemit tonë shëndetësor. Ka nevojë për ju, ka nevojë për eksperiencën tuaj këtu. Ju jeni heronjtë modern të Shqipërisë. Dhe në këtë kohë, të jesh hero d.m.th të tregosh solidaritet, sakrificë në një mision sublim në emër të jetës”, tha Manastirliu.

Incidentin e hotelit dhe Policinë e Breshias, Manastirliu e kaloi lehtë, duke thënë se festimi është një gjë normale për ata që fitojnë.

“Rezultatet e testit të djeshëm tregoi që jeni të gjithë negativë dhe për këtë jam e kënaqur. E di që keni pasur në një moment edhe jeni relaksuar, por kjo është një histori e kaluar. Por ata që fitojnë, dinë edhe të gëzojnë. Ju jeni heronjtë modern të Shqipërisë”, tha ndër të tjera ministrja e Shëndetësisë.

Rrëfimi i drejtorit të hotelit: Bënin festa në dhomë

Lajmi i medieve italiane që u shpërnda edhe në Shqipëri me një shpejtësi të madhe, fliste për një sjellje të papërgjegjshme të stafit mjekësor shqiptar, të cilët kishin organizuar disa herë festa me muzikë dhe alkool në një nga dhomat e hotelit, por për më tepër kishin shqetësuar edhe klientët e tjerë.

Pas këtij lajmi, gazeta “Panorama” kontaktoi me hotelin, ku mjekët dhe infermierët qëndruan për 1 muaj. Nga hoteli “Regal”, ku qëlloi që recepsionistja të ishte shqiptare, na u dhanë mundësia që të flisnin edhe me drejtorin, Luca Andriani. Ky i fundit na tregoi gjithë historinë se si kishte filluar prej disa ditësh dhe ishte përmbyllur me mbërritjen e Policisë italiane, që mori edhe masat përkatëse kundrejt tyre.

Në bisedën telefonike, drejtori i hotelit “Regal” theksoi se ndihet mirënjohës për kurajën e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, por shtoi se shkelja e rregullave dhe sjellja e pahijshme rrëzon gjithë sakrificën.

“Për fat të keq, qëndrimi i mjekëve shqiptarë këtu në hotelin tonë nuk shkoi dhe aq mirë. Këtu e kam fjalën te sjellja, pasi që në momentin e parë që ata erdhën në hotelin tonë, ne iu kemi treguar rregulloren e brendshme që duhej të ndiqnin. Për më tepër, kishim përfshirë edhe rregullat e reja, që imponohen nga pandemia e COVID-19, pra, jo grumbullime dhe takime dhe gjithmonë sipas procedurës. Unë e kuptoj shumë situatën e tyre dhe vështirësinë, por në mbrëmje mblidheshin të gjithë në një dhomë dhe një gjë e tillë, përveçse është një rrezik i shtuar për situatën e pandemisë që po kalojmë, por edhe sepse klientët e tjerë që ne kemi në hotel ankoheshin për gjithë rrëmujën dhe zhurmën që bëhej.

Çdo mëngjes, ne gjenim shishe birrash, uiski e ka pasur disa episode të tjera që më detyruan të merrja në telefon Policinë lokale dhe kjo e fundit ka bërë detyrën e saj. Rregullat e vendosura për të parandaluar pandeminë duhet të respektohen edhe nga mjekët. Kur erdhi Policia, u njoh me situatën që ndodhte dhe pa që ishin 8 veta në një dhomë, të paktën kjo për natën e fundit, para se të largoheshin. Konstatoi festat që bënin, por edhe grumbullimet për të pirë cigare. Disa nga këto veprime, në një kohë normale janë gjëra që mund të bëhen, por në këtë periudhë emergjence që jemi duke kaluar, jo.

Kur erdhi Policia, iu komunikoi se nuk mund të qëndrojnë në një dhomë 8 vetë, duke festuar dhe duke pirë. Por më pas, dy nga pjesëtarët e grupit ngritën zërin dhe pati një lloj konfrontimi me Policinë. Unë dua të shtoj edhe se kam vlerësim për kurajën dhe ndihmën që ata dhanë për ne në këto momente të vështira. Por e përsëris, se kjo nuk mund të justifikojë një sjellje të tillë”, tregoi Luca Andriani për gazetën “Panorama”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura