Pas incidentit të ndodhur në Shën Koll të Lezhës ku të shtëna armësh u raportuan pranë automjetit të deputetes Monika Kryemadhi, pas një takimi elektoral me banorë të kësaj zone, reagoi edhe sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, duke i kërkuar deputetëve të PD-së që të distancohen nga veprime kriminale.
Deputeti i LSI-së tha në një deklaratë për mediat se njerëz të armatosur nën shoqërinë e deputetëve të Partisë Demokratike, kanë qëlluar me armë zjarri pranë makinës ku udhëtonte deputetja Monika Kryemadhi me shtabin elektoral të kandidatit për bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj. “Gjatë ditës së sotme ka pasur disa incidente të tilla në Bashkinë e Lezhës. Deputetja Monika Kryemadhi, kandidati për kryetar të Bashkisë të “Aleancës të Shqipërisë Europiane”, Viktor Tushaj, kanë denoncuar pranë Policisë së Qarkut të Lezhës, pranë Prokurorisë, pranë misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, raste të tilla duke kërkuar me këmbëngulje që deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të Partisë Demokratike të distancohen nga veprime të tilla kriminale”,-deklaroi Luan Rama.
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim ai i kërkoj drejtuesve të Partisë Demokratike që të distancohen hapur nga ngjarje të tilla. “I kërkoj Policisë së Shtetit të mos hezitojë, por të bëjë detyrën në përmbushje dhe në zbatim të ligjit duke iu nënshtruar kontrollit ligjor të çdo mjeti ku udhëtojnë edhe deputetë të cilësdo parti qofshin. Të kontrollohen makinat e deputetëve sepse as deputetët dhe as makinat e tyre nuk kanë më imunitet. Imuniteti është vetëm tek vota e qytetarëve. Ata që flasin për dekriminalizimin të distancohen sa më parë nëse nuk duan të konfirmojnë që janë pjesë e drejtpërdrejtë e veprimtarisë kriminale”,-deklaroi Rama.
Për këtë ngjarje reagoi edhe Partia Demokratike, e cila i quajti shpifje deklaratat e Kryemadhit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al