INSTAT, Kukësi qyteti më i varfër, Tirana më e pasura

Aug 1, 2017 | 13:32
SHPËRNDAJE

Kostoja relativisht e lartë e jetesës në kryeqytet e ka bërë Tiranën kontribuuesen më të madhe në rritjen ekonomike, pasi banorët e saj rezultojnë me të ardhurat më të larta për frymë.

instat

Këtë e thotë Instituti i Statistikave në raportin “Prodhimi i Brendshëm Bruto” për vitin 2015. Sipas tij, të ardhurat për frymë (PBB)janë rritur dukshëm në raport me një vit më parë, duke arritur në vlerën e 679 mijë lekëve. Lista e qyteteve më të pasura pasohet me Fierin, i cili ndonëse ka pësuar rënie të ndjeshme nga 2014- a, të ardhurat për frymë konsiderohen mbi mesataren e vendit.

Ashtu siç pasqyrohet në tabelën krahas shkrimit, Dibra, Elbasani e Kukësi konsiderohen qytetet më të varfra. Të tria qytetet rezultojnë të kenë pësuar rënie në raport me një vit më parë, e po ashtu të ardhurat për frymë janë shumë nën nivelin mesatar të vendit. “Më e ulëta është ajo e Qarkut Kukës, me rreth 319 mijë lekë duke shënuar një rënie me 2,2 %, krahasuar me vitin 2014. PBB-ja për frymë e këtij Qarku është 35,7 % nën mesataren e vendit. Më pas, me PBB-në për frymë më të ulët, renditet Qarku Elbasan, me rreth 351 mijë lekë duke shënuar një rënie me 0,5 % ndaj vitit 2014.

PBB-në për frymë e këtij Qarku është 29,2 %, nën mesataren e vendit”, nënvizohet në raport. Përpos treguesve jo të kënaqshëm për shumë qytete, statistikat e të ardhurave në rang vendi, sipas INSTAT kanë ardhur në rritje dhe përllogaritet të jetë 1.427.799 milionë lekë. Për sa u përket të dhënave sipas ndarjes: qendër, veri dhe jug, dy të parat kanë pësuar rritje, ndërsa jugu ka pësuar rënie të të ardhurave për frymë. Në rajonin statistikor Qendër, PBB për frymë është 679 mijë lekë dhe pati një rritje me 4,8 %, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 20,1 % mbi mesataren e vendit.

Në rajonin statistikor Veri, PBB për frymë është 404 mijë lekë, duke shënuar një rritje me 5,9 %, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 18,5 % nën mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Jug, PBB për frymë është 457 mijë lekë, duke shënuar një rënie me 3,3 %, krahasuar me vitin 2014. PBB për frymë e këtij rajoni është 7,8 % nën mesataren e vendit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura