Intervista/ “Biznesi i vdekjes, i organizuar nga një grup kriminal”- Skandali në QSUT, eksperti Buxhuku: Vrasës gjakftohtë! Rasti është i pashembullt

Jun 27, 2024 | 13:04
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustria-s, e quan rast të pashembull, ngjarjen e ndodhur tek Onkologjiku, ku mjekët i çonin te privatët të sëmurët me tumor.

gjergj-buxhuku

Buxhuku thotë për gazetën “Panorama” se ky grup drejton me vetëdije të plotë shtazarake drejt vdekjes pacientët, pasi t’i ketë grabitur më parë me skemë biznesi të mirëllogaritur. Kjo sipas tij është shumë më e rëndë sesa grabitësit e varreve. Grabitësit e varreve nuk janë vrasësit. “Mjekët” në këtë rast janë edhe vrasës edhe grabitës kufomash.

Z.Buxhuku, Kryeministri Edi Rama premtoi shëndetësi falas në vitin 2013, ndërkohë që veçse është thelluar korrupsioni i bluzave të bardha?

Dua të bëj një saktësim në pyetjen tuaj. Nuk kemi të bëjmë vetëm me thellim korrupsioni të bluzave të bardha si raste të veçuara vetjake. Është i gjithë sistemi shëndetësor i dështuar. Në fakt, edhe vetë sistemi shëndetësor është pjesë dhe shpërfaqja më e qartë para syve të qytetarëve të një shteti të dështuar. Të dështuar në tërësinë e tij. Nuk ka arsye që brenda një shteti, disa sektorë të jenë shumë ndryshëm nga disa të tjerë. Pak a shumë janë njëlloj. Dhe meqë korrupsioni është i pranishëm frikshëm kudo në shtet, edhe në shëndetësi nuk kishte si të bënte ndryshim. Në këtë kuptim nga predikimi i shëndetësisë falas për të kërkuar besimin e qytetarëve votues u kalua te skaji tjetër i përbindshëm, ku grabiten me gjakftohtësi kriminale dhe janë të detyruar të paguajnë edhe të sëmurët e dënuar me vdekje.

Pse nuk funksionon sistemi i mbrojtjes së pacientëve, ndërkohë që skema korruptive ka kaq kohë që funksionon…

Më sipër e shpjegova. Sistemi shëndetësor, sikurse edhe shumë pjesë të tjera të ekonomisë dhe shtetit, me vetëdije të plotë politike pa dallim janë ndërtuar për të grabitur dhe bërë korrupsion me sëmundjen dhe vdekjen. Duke grabitur njëkohësisht pa mëshirë edhe buxhetin e shtetit edhe xhepat e qytetarëve. Deri në qindarkën e fundit dhe deri në frymën e fundit në pragvdekje. E thënë qartë vendimmarrja politike nuk dëshiron ta ndryshojë sistemin. Sepse, kërkon të grabitë nëpërmjet korrupsionit. Do ta shikojmë edhe sesi shteti do të përgjigjet në skandalin e fundit. Nuk besoj, se do të jetë i interesuar të godasë shkaqet e vërteta. Më e shumta do të merret me disa personazhe kriminelë. Dhe kaq.

Si e konsideroni skandalin në QSUT ku mjekët çonin pacientët me kancer te privati? Si ka mundësi që barna, të cilat duhet të gjendeshin vetëm te spitali Onkologjik gjendeshin në farmacitë aty pranë?

Skandali nuk ishte i papritur. Ajo që e bën të veçantë rastin është pikërisht përmasa e përbindshme e humbjes së çdo parimi njerëzor dhe gjakftohtësia prej vrasësve të grupit kriminal të organizuar. Grup, që drejton me vetëdije të plotë shtazarake drejt vdekjes pacientët, pasi t’i ketë grabitur më parë me skemë biznesi të mirëllogaritir. Kjo është shumë më e rëndë sesa grabitësit e varreve. Grabitësit e varreve nuk janë vrasësit. “Mjekët” në këtë rast janë edhe vrasës edhe grabitës kufomash.

Si e shihni zinxhirin e matrapazëve që lidhen me këtë krim, ku shohim pacientë që vdesin e mjekë që jetojnë në luks në kurriz të jetës së tyre?

Mund ta përkufizojë vetëm si biznesi i vdekjes i organizuar nga një grup kriminal!

Me ryshfetet që u merrnin pacientëve, mjekët bënin pushime në Maldive. Sa kriminale është një zhvatje e tillë? Pse nuk marrin ndëshkimin e duhur?

Nëse do të jepej ndëshkimi i merituar, përgjegjësia do të fillonte që nga predikuesit e sistemit shëndetësor falas, te ministrat përgjegjës, prokuruesit, agjencitë publike të administrimit të spitaleve, kompanitë bashkëpunuese dhe deri rreziku i kthimit kapjes së parave të korrupsionit. Janë me qindra milionë euro të përvitshme në lojë me biznesin e vdekjes. Lumi i parave të vdekjes mban gjallë shumë biznese, që drejtpërdrejtë ose tërthorazi janë lidhur me ekzekutivin, politikën dhe drejtësinë. Jo më kot janë anashkaluar nga ekzekutivi raportimet e ardhura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për skandalin e vrasjes me qëllim grabitjen e të sëmurëve të Onkologjikut në spitalin publik të Tiranës.

A përbën skandal vendimi që Gjykata e Tiranës ka caktuar 8 masa “Arrest shtëpie” dhe “Detyrim paraqitje” për 8 persona, ku ndër ta janë mjekë të Spitalit Onkologjik në QSUT, kirurgë, ish-zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e spitalit dhe farmacistë e punonjës?

Në këtë rast kemi të bëjmë me grup të mirëfilltë të organizuar vrasësish gjakftohtë. Rasti është i pashembullt. Prokurorët, që kanë dërguar çështjen në gjyq duhen përgëzuar. Të presim si do shkojë, por personalisht nuk kam besim se do t’i shkohet deri në fund edhe në nivel drejtësie edhe vendimmarrje politike. Të shpresojmë të jetë e kundërta. Jo vetëm në rastin në fjalë duhet hapur procesi i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë të përgjegjësve. Por, aq më shumë në këtë rast ku mendja kriminale shtazarake kalon çdo kufi njerëzor! Personalisht mendoj, se çështja në fjalë duhet të kalojë në SPAK dhe Gjykatat e posaçme antikorrupsion si shpresa e vetme, që mund të kemi drejtësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura