ARISTIR LUMEZI/ Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, nuk sheh asnjë pengesë kushtetuese që Parlamenti të funksionojë me më pak se 140 deputetë të mandatuar. Sipas tij, funksionimi i Parlamentit kërkon shumicën e thjeshtë të numrit të deputetëve, por dhe konfirmim të tij nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Abdiu e cilëson lënien e mandateve si një veprim individual dhe, sipas tij, kushtetutëhartuesi nuk e ka përcaktuar dorëheqjen kolektive të të gjithë deputetëve të një force apo grupimi për të mos krijuar një precedent të tillë të rrezikshëm. “Kushtetuta jonë e njeh dorëheqjen nga mandati si një veprim përjashtimor, por njeh dorëheqjen individuale se asnjëherë kushtetutëbërësit nuk i ka shkuar në mëndje as në frymë dhe as në germë që të përfshijë një precedent të tillë dhe të nxisë dorëheqje kolektive. Nuk duhet menduar se një gjë e tillë nuk është shkruar në Kushtetutë pa asnjë shkak”, shprehet ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Si e vlerësoni situatën politike kur deputetët e opozitës në mënyrë kolektive kanë dorëzuar mandatet e tyre?
Situata është e komplikuar dhe shumë problematike, e cila në mënyrë urgjente duhet të mendohet për të gjetur zgjidhje, qoftë dhe pjesërisht. Opozita ka deklaruar me vendosmëri dorëzimin e mandateve në bllok. Unë mendoj se ky qëndrim, politikisht, është i gabuar është në dëm të interesave të vendit dhe popullit në përgjithësi dhe sikur të diskutohej dhe në aspektin juridik, thellë-thellë do të dyshoja se këto veprime bëhen qëllimisht për të dëmtuar interesat e vendit në një situatë kaq delikate kur shqiptarët janë bërë gati për të hapur negociatat me BE, kur jemi bërë gati për të rimatur edhe njëherë pulsin e shumicës së zgjedhësve për zgjedhjet e pushtetit vendor, në një situatë kur Kosova ndodhet me shumë probleme, me shumë detyra dhe me shumë mosmarrëveshje lidhur me problemin e dialogut me Serbinë, pikërisht në këtë situatë krijohet enkas qëllimisht për të dëmtuar interesat e vendit dhe të shqiptarëve.
Por tashmë deputetët e opozitës i “dogjën” mandatet e tyre…
Veprimi për të djegur mandatet, apo hedhur në kosh, është një veprim anakronik, shumë i nxituar jopolitik kundër interesave të qytetarëve. Nëse do të ishte e bindur për arsyet e forta për të ndërmarrë këtë akt, opozita duhet të pyeste qytetarët, votuesit e saj përmes një referendumi për të dorëzuar mandatin e saj parlamentar. Është paradoksale situata që po krijohet me faktorin ndërkombëtar, ku qoftë SHBA, BE apo vende të rëndësishme të BE-së, të cilët troç e kanë kundërshtuar këtë qëndrim si të dëmshëm për demokracinë dhe për vendin dhe kanë kërkuar që të mos dorëzohen përfundimisht mandatet. Qëndrimi i opozitës ndaj ndërkombëtarëve më duket shumë anakronik se, nga njëra anë, liderët e opozitës shprehen se janë ithtarë të demokracisë amerikane, europiane dhe, nga ana tjetër, janë të detyruar të pohojnë se pavarësisht nga faktori ndërkombëtar janë të detyruar të mbajnë këtë qëndrim. Unë mendoj se një ditë opozita do pendohet për këtë akt.
Gjatë opozitës së PS-së në vitet ’92-’96 apo dhe më pas, a ka pasur situata edhe më të rënda për të ndërmarrë reagime të tilla?
Zgjedhjet gjithmonë në Shqipëri janë kontestuar nga partitë humbëse. Për zgjedhjet e fundit, 2017, më ka bërë përshtypje se opozita ka pasur jashtëzakonisht pak ankesa dhe pretendime për parregullsi, e në mënyrë të veçantë pretendime për shitblerjen e votës. Por asnjëherë nuk ka ndodhur në të shkuarën një situatë si kjo, edhe pse arsyet kanë qenë shumë herë më të rënda dhe çfarë është më e keqja, nuk ka asnjë lloj sigurie që ky veprim që bën opozita sot nuk do ta përsërisin opozitat e tjera në të ardhmen pas çdo palë zgjedhjesh. Unë mendoj se ky precedent nuk duhet të ketë jetë të gjatë dhe nuk duhet mbajtur mend si një veprimtari e mençur e shqiptarëve.
A mundet që Parlamenti, sipas përcaktimit kushtetues, të konsiderohet legjitim nëse nuk ka të mandatuar 140 deputetë, pavarësisht nëse ata shkojnë apo bojkotojnë Parlamentin, por të mandatuar?
E rëndësishme për Parlamentin është, së pari, që të jetë zgjedhur në mënyrë demokratike nga zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mbarëpranuar. Së dyti, të jetë konstituuar në rrugë ligjore brenda afateve kushtetuese dhe, e treta, të ketë filluar veprimtarinë e tij normale dhe ta zhvillojë atë konform Kushtetutës dhe Rregullores së tij të miratuar nga shumica e deputetëve. Pra, Parlamenti përbëhet nga trupa prej 140 deputetësh, por kjo nuk do të thotë që në çdo orë dhe në çdo ditë të veprimtarisë parlamentare, duhet të jenë patjetër 140 deputetë. Kjo nuk do të thotë se Parlamenti nuk funksionon nëse mungojnë 3, 4, 5 apo dhe më shumë deputetë.
Kjo nuk do të thotë se Parlamenti nuk i kryen dot detyrat në komisione nëse nuk ka 140 deputetë etj., etj.. Këto momente kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në seancat parlamentare që, sipas Rregullores, kërkohet të jenë më shumë se gjysma e tyre dhe më e domosdoshme është që në vendimmarrjen e saj të jenë prezentë shumica e thjeshtë e shumicës pjesëmarrëse. Përjashto rastet kur Kushtetuta kërkon votim të cilësuar për kode, ligje me 3/5 etj., pra, Parlamenti mund të funksionojë, mbase jo shumë këndshëm, por ligjërisht mund të funksionojë dhe me mungesa qofshin këto dhe me mungesa të tilla sa gjithë deputetët e opozitës, nëse në sallë gjenden më shumë se gjysma e deputetëve.
Rezerva e vetme është se në këtë rast mund të mungojë mendimi alternativ i opozitës parlamentare, e cila është larguar jo për shkaqe ligjore, por për dëshirat e saj politike. Ligjërisht, seanca parlamentare nuk ka ngërç për të funksionuar në kushtet e sotme. Pavarësisht se deputetët e opozitës japin dorëheqjen, për të cilët duhet të zbatohet një mënyrë rigoroze, ku secili në mënyrë individuale duhet të deklarojë dorëheqjen, ose ai që mungon mund të deklarojë përmes një personi tjetër me prokurë të posaçme, pavarësisht nga kjo, prezenca e një numri më të paktë deputetësh se 140, nuk është pengesë ligjore për funksionimin e Parlamentit.
Pra, edhe nëse nga ky numër që japin dorëheqjen, disa prej tyre nuk pranojnë ta lenë mandatin, sado qoftë numri i tyre, ata fare mirë mund të funksionojnë si deputetë qoftë të atij grupi që i kishte mandatuar, qoftë dhe grupimeve të tjera nëse dëshirojnë, qoftë dhe si deputetë të pavarur. Unë them se pavarësisht se nuk do ta dëshiroja një Parlament si ky, ky mbetet funksional për faj të këtij grupimi të partive që ka vendosur të largohet nga Parlamenti.
A është dorëheqja kolektive nga mandatet e deputetëve një veprim i njohur kushtetues?
Kushtetuta jonë e njeh dorëheqjen nga mandati si një veprim përjashtimor, por njeh dorëheqjen individuale se asnjëherë kushtetutëbërësit nuk i ka shkuar në mëndje as në frymë dhe as në germë që të përfshijë një precedent të tillë dhe të nxisë dorëheqje kolektive. Nuk duhet menduar se një gjë e tillë nuk është shkruar në Kushtetutë pa asnjë shkak. Heqja dorë, pra, është individuale dhe ndodh kur ka shkaqe të përligjura personale dhe të veçantë dhe që janë konstatuar gjatë veprimtarisë parlamentare./ PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al