INTERVISTA/ Jacques Attali: Shqipëria s’është gati të jetë pjesë e BE

Apr 25, 2015 | 17:24
SHPËRNDAJE

Jacques Attali: Shqipëri”Shqipëria është një vend i vonuar… por është në rrugë të mbarë”, kështu thotë Jacques Attali, ish-këshilltar i Presidentit francez Mitterrand, themelues i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i zgjedhur mes 100 intelektualëve me më influencë në botë nga revista “Foreign Policy”.

Me gazetarin Aleksandër Furxhi, në studion e emisionit “Kapital”

I ndodhur në Tiranë për të marrë titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës, Attali ka pranuar të japë një intervistë në studion e emisionit “Kapital”, të gazetarit Aleksandër Furxhi, në ekranin e Vizion Plus. Attali ka dhënë mendimin e tij rreth ritmeve me të cilat po ecën Shqipëria drejt Bashkimit Europian.

Sipas Attali, ka ende shumë rrugë për të bërë, duhet të përmbushë disa reforma, dhe këtë duhet ta bëjë me shpejtësi, pasi vetë BE ecën përpara me ritme shumë të shpejta. Ai gjithashtu flet për krizën greke, për pranimin e Turqisë në BE, bashkëpunimin me dy presidentët Miterrand dhe Sarkozi, si dhe për librin e tij më të fundit të përkthyer në shqip “Të jesh vetvetja”.

Sapo keni marrë titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës, këtu në Shqipëri. Çfarë përfaqësonte për ju Shqipëria, para kësaj vizite?

Takimi i parë me Shqipërinë ka ndodhur para shumë kohësh, rreth 25 vjet me parë, nëpërmjet veprave të Ismail Kadaresë që më pas u bë miku im. Adhuroja “Prillin e thyer”, “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”… “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është një roman që më ka prekur shumë. Pastaj zbulova dhe lexova “Dosja H” që më preku gjithashtu. Pastaj pata një privilegj, si drejtor i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të vija dy herë këtu dhe njoha një vend pasionant, i cili kishte dalë nga një periudhë e acartë dhe sot e shoh që është një vend tjetër, që ka hyrë në modernizëm.

Në Shqipëri dhe ndër shqiptarët në përgjithësi në Ballkan ka ekzistuar një perceptim sipas të cilit Franca dhe francezët preferojnë dhe kanë preferuar më tepër serbët, sesa shqiptarët. Çfarë mendimi keni?

Kjo nuk është e vërtetë. Mendoj se francezët nuk e dinë ndryshimin ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në përgjithësi. Mbase politika, institucionet në Paris… Jo, nuk është kështu. Më parë Shqipëria dhe Serbia kanë qenë të dyja nën diktaturat e Titos dhe Hoxhës. Mund të themi që Franca ka preferuar më tepër Serbinë sesa Kroacinë, nëse mund të themi kështu, por Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë grindje të fokusuar vetëm në qëndrimin gjatë luftës së viteve ’40.

Pas rënies së diktaturës në Shqipëri, rreth 25 vjet më parë, shqiptarët ëndërronin të integroheshin në Europë… Që prej 5 vitesh ata kanë mundësi të lëvizin lirshëm në Europë, pa viza, por anëtarësimi në BE është akoma ëndërr. Pesimistët thonë se kur Shqipëria të integrohet në Europë, BE nuk do të ekzistojë më. Si mendoni?

Shqipëria nuk është akoma gati që të jetë pjesë e BE. Duhet të realizohen një sërë reformash, shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit… Shembuj si Greqia tregojnë se çfarë ndodh kur i bëjmë gjërat shpejt e në mënyrë të nxituar. Por, mos u shqetësoni, BE do të jetë akoma më e fortë. Duhet pasur një frikë e kundërt, sepse Shqipëria vjen drejt BE-së por, në njëfarë mënyre, BE avancon dhe nëse avancon më shpejt se Shqipëria, ajo do ta ketë gjithmonë e më e vështirë të arrijë BE-në. Nuk duhet të shikohet BE si një tren që ngadalëson dhe Shqipëria që ecën më shpejt, por e kundërta. BE integrohet shumë, shumë shpejt. Që prej krizës financiare kemi shumë projekte, janë realizuar më shumë reforma në Europë sesa në SHBA dhe vende të tjera. Bashkimi Bankar është më i fundit dhe duhet që Shqipëria të dyfishojë forcat. Është në interesin e Shqipërisë, sepse kur njihesh në BE, të gjithë mendojnë se të investosh në Shqipëri, të punosh në Shqipëri do të jetë e lehtë, normale, e zakonshme dhe të gjithë do mendojnë se është vend me perspektivë të mrekullueshme. Kështu zhvillimi i Shqipërisë do të përshpejtohet.

Për sa i përket Ballkanit dhe jo vetëm Shqipërisë, ndërsa zgjerimi i BE-së me vende si Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Kosova bëhet më i vështirë, konstatojmë përpjekje nga ana e Turqisë që të ketë një prani më të madhe në këtë zonë të Europës. A duhet të shqetësohet Europa për këtë, apo jo?

Jo aspak, unë jam pro pranisë së Turqisë në BE. Mendoj se Europa duhet të zgjerohet në Turqi, Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji… mbase një ditë edhe me Rusinë. Mendoj se të gjithë duan të zgjerohen sa më tepër dhe fakti që Turqia zhvillohet në Ballkan nuk është keq pasi, për mua, Turqia është një vend europian. Atë që ne quajmë kulturë greke dhe filozofë grekë, në të shumtën e rasteve janë filozofë turq. Milet është një qytet i Turqisë dhe të gjithë filozofët para Sokratit ishin nga Joni, nuk ishin nga Athina apo ndonjë qytet grek. Turqia është në Europë dhe Ballkani është në Europë. Kur Turqia punon me Ballkanin nuk është një lajm i keq.

Por në Europë ka rrethe politikanësh dhe filozofësh që mendojnë se doktrina e neo-osmanizmit e përhapur nga qeveria aktuale e Turqisë, në njëfarë forme është një gjë që mund të mos shihet mirë…

Sipas meje nuk është kjo që e ka penguar hyrjen në Europë të Turqisë, por islami, jo pushteti osman. Franca është një superfuqi, është në Europë dhe nuk e kundërshton, Gjermania një superfuqi, Britania e Madhe po ashtu dhe këto vende nuk janë kundër. Një fuqi si ajo e Turqisë nuk është pengesë, por e forcon Bashkimin Europian. Problemi për Turqinë, sipas disave, jo për mua, është frika që të kenë 80 milionë myslimanë në BE. Është gabim, sepse ta shtysh Turqinë jashtë BE-së do të thotë ta çosh drejt rrugëve që të çojnë drejt islamizmit, fondamentalizmit, gjë që nuk është në interesin e askujt, as të Europës, as të turqve, as të botës. Bota do shohë të rilindin fuqi të lashta si Turqia, Perandoria Osmane, Egjipti, Persia. Rivaliteti në rajon do të jetë mes Perandorisë Osmane, Turqisë së sotme dhe perandorisë së Persisë, Iranit të sotëm dhe Egjiptit… dhe i fuqisë së katërt, Arabisë Saudite myslimane, vende këto që janë në një situatë konflikti, rivaliteti, koordinimi… do ta shohim. Ne si europianë duhet ta konsiderojmë që Turqia bën pjesë në BE edhe pse është myslimane. Kjo nuk është pengesë për këtë. Islami është i pranishëm në Europë të paktën që prej shek. IX.

Atentatet e janarit në Paris kanë tronditur gjithë Europën dhe jo vetëm… Cilat janë mësimet që Europa mori sipas jush prej tyre?

Çdo atentat ka nuanca dramatike. Nga njëra anë u prekën gazetarët, nga ana tjetër hebrenjtë… Ishte dyfish e ndjeshme. Mësimi i marrë është që duhet të jemi shumë vigjilentë. Ju folët për Turqinë, por i gjithë kalimi nga Turqia në Siri është një pikë nevralgjike që duhet ta kontrollojmë. E rëndësishme është të bëhet një punë për të rritur sigurinë dhe kontrollin në vendet e Veriut dhe Perëndimit. Policia e vendeve europiane dhe vetë këto vende duhet të punojnë së bashku si në kuadrin e Europolit etj. Kjo është shumë e rëndësishme.

Pak më parë përmendëm Greqinë, një vend në kufi me Shqipërinë, një ndër vendet më të prekura të krizës globale. Çfarë mendoni ju për zgjidhjet që iu imponuan Greqisë nga kreditorët e saj, pra nga Europa?

Ju më impononi një përgjigje në pyetjen tuaj dhe nuk më pëlqen kjo gjë. Ju thatë “imponuar”. Nëse merrni borxh në bankën tuaj për të blerë një shtëpi, një pallat të mrekullueshëm dhe bankieri zbuloni se nuk keni mundësi ta paguani këtë shtëpi, është normale që do t’jua marrë, pra kushtet nuk janë të imponuara, ai shpreson që do ta rimbursoni. Pra arkëtari s’ka pse të paguajë për debitorët. Grekët për faj të tyre, por edhe për faj të atyre që kanë dhënë gabimisht borxh shumë para, kanë jetuar gjatë pa bërë gjë kundër korrupsionit. Dhe situata është katastrofike. Sot grekët e pranojnë që reforma duhej bërë, nuk u është imponuar. Ju sjell një shembull. Kam njohur miq në vendet baltike që më thonë: Grekët duan që t’ju japim hua paraprakisht, ose t’ju japim dhuratë atë që u kemi dhënë. Pse të kontribuojmë ne në vendet baltike, që ju të paguani rrogat apo pensionët e grekëve kur rroga ime dhe pensioni im është më i vogël se i grekëve? Pse kontributet e mia duhet të paguajnë rrogat edhe pensionët e grekëve më tepër se unë. Ajo që ju quani kreditorë që imponojnë janë kontribuues që refuzojnë t’u paguajnë grekëve atë që grekët nuk janë të aftë vetë që t’i paguajnë. Është normale. Sigurisht që ekziston një solidaritet europian dhe Greqia ka marrë dhe do vazhdojë të marrë akoma shumë gjëra dhe europianët janë gati të bëjnë edhe më tepër pasi u intereson që Greqia të qëndrojë në BE dhe zonën euro, por duhet që grekët të tregojnë se janë gati të përpiqen mjaftueshëm për të kthyer borxhet.

Në librin tuaj, “Të bëhesh vetvetja”, ju e përshkruani botën të ngjashme me atë ç’ka qenë Somalia para 25 vitesh në 1991… kaos i plotë…

Bota mund t’i ngjajë, por nuk do të thotë që është e pashmangshme. E them pasi Somalia është i vetmi vend në botë që nuk ka pasur qeveri për 20 vite dhe kur shohim që nuk ka qeveri dhe sundim të ligjit sundon kriminaliteti dhe ekonomia e pabarabartë. Për këtë arsye përdor fjalën “somalizim” në vend të “globalizim”.

Çfarë duhet të ndryshojmë për të evituar një skenar pesimist për botën, nga se duhet të fillojmë… nëse duhet të bëjmë një listë?

Gjithkush duhet ta nisë nga vetja. Në jetën personale, në jetën e vendit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Në jetën personale gjëja e parë që duhet të bëjmë para se t’u japim mend të tjerëve është të jemi të ndershëm, te pacenueshëm, të kujdesemi për brezat e ardhshëm dhe të mendojmë për të ardhmen, të jemi altruistë. Këto gjëra duhet të bëhen nga secili prej nesh. Nuk shërben aspak nëse mendojmë se duhet të bëjmë gjëra në grup kur nuk bëjmë gjë vetë ne. Secili nga spektatorët duhet të pyesë veten, a jam i ndershëm, a jam i korruptuar, a jam korruptues, a vjedh, a bëj krime, a i bindem ligjit, a kujdesem për brezin e ardhshëm. Duhet pra, të bëjmë këtë “checklist”, ashtu si piloti i avionit para se të niset. Nuk mund të niset duke neglizhuar pjesën tjetër. Duhet si fillim të bëjë këtë. Pastaj duhet të kujdesemi për vendin, dhe nëse do të isha shqiptar, do të thosha që prioriteti nr. 1 është të vendosim një shtet ligjor tërësor, domethënë të luftojmë akoma më tepër. E di që kemi nisur ta bëjmë kundër korrupsionit,… të vendoset një administratë efikase dhe transparente, rregullat e funksionimit të shtypit të jenë akoma më të lira dhe ky vend t’i ngjajë akoma më tepër demokracisë që ai ëndërron.

Për më tepër se 20 vjet i dëgjojmë, i përsërisim dhe ia themi vetes këto fjalë, por duket shumë e vështirë për t’i zbatuar…

Po, ka progres, por nuk mjafton. Shqipëria ka avancuar në disa kritere, natyrisht nuk bëhen të gjitha në një minutë. Në kriterin e shtetit ligjor, në planin ekonomik po ashtu Shqipëria ka përparuar. Ajo nuk ka përparuar në luftën kundër korrupsionit. Nuk duhet të hiqet dorë, gjërat janë shumë të ngadalta. Shqipëria është një vend i vonuar, është bërë i pavarur vonë. Kjo do kohen e saj, do të vazhdojë, jeni në drejtimin e duhur.

Keni qenë për 10 vjet këshilltar i afërt i Presidentit François Mitterrand. Çfarë përfaqëson ai për ju? Mbase jua kanë bërë këtë pyetje shumë herë, por është hera e parë në Shqipëri…

Kam qenë këshilltar special i tij për 10 vjet, bashkëpunëtor i parë, drejtori i kabinetit të tij kur ishte në opozitë, dhe ishte një nga gjërat që bëja pasi isha edhe profesor, shkrimtar dhe bëja edhe shumë gjëra të tjera. Ka qenë një person i veçantë dhe kam pasur privilegjin e madh të jem pranë tij dhe bashkëpunëtori kryesor. Ishte moment i rëndësishëm në ndërtimin e Bashkimit Europian, koha e rënies së Murit të Berlinit dhe duke qenë pranë tij dhe duke jetuar këtë ishte një privilegj. Në botë nuk kam njohur shumë burra shteti të atij niveli.

Thuhet se për vite me radhë, çdo mëngjes ju linit në tavolinën e tij shënime, ide, këshilla… si i pranonte, si funksiononte?

Zyra ime ishte pranë të tijës dhe kishte vetëm një derë që na ndante, vizitorët e tij duhet të kalonin nga zyra ime si fillim. Kemi pasur një marrëdhënie shumë private dhe nuk ishin thjesht shënime, por biseda, diskutime. Idetë vinin shpesh nga ai dhe të tjerë dhe jo vetëm nga unë.

Jua bëra këtë pyetje sepse në Shqipëri bëjmë shaka, sepse siç thuhet, këtu këshilltarët në vend që të japin këshilla, i marrin ato nga shefat…

Më ka ndodhur dhe mua, kam mësuar shumë nga Francois Mitterrand, jashtëzakonisht shumë, kam mësuar të shkruaj më thjesht, pasi për të duheshin në mënyrë të thjeshtë. Kam mësuar shumë për Francën që ai njihte më mirë se unë, pasi kishte një kulturë franceze, njihte Provansën franceze, që unë nuk e njihja, kam mësuar historinë e luftës që unë nuk e kisha jetuar. Kam mësuar shumë principe për menaxhimin e kohës, mënyrën e mbrojtjes nga evazioni. Kam mësuar shumë prej tij.

Ju keni bashkëpunuar edhe me Presidentin e së djathtës Nicolas Sarkozy. Mund të bëni një krahasim të dy presidentëve?

Me Francois Mitterrand unë isha këshilltar dhe për dhjetë vjet në një zyrë pranë me të, kemi qenë të afërt. Me Nikolas Sarkozi ka qenë tjetër gjë. Unë jam i së majtës, nuk kam votuar kurrë për Nikolas Sarkozi. Ai më kërkoi të isha pjesë e një komisioni bipartizan për të propozuar reforma për vendin. Ai respektoi që unë të isha i lirë dhe nuk do të kisha zyrë në Elize, isha totalisht i lirë. Ishte një situatë krejtësisht tjetër. Unë e udhëhoqa këtë komision partizan, janë aplikuar një pjesë e reformave që ne kemi propozuar, në fakt, më pak nga ato që unë dëshiroja. Kanë qenë totalisht të ndryshëm. Të dy ishin shumë inteligjentë, kishin inteligjencë, dashuri për vendin, energji të mëdha për të bërë gjerat, por ishin totalisht të ndryshëm.

Në fakt, nuk është e zakonshme që një këshilltar të jetë i afërt me presidentë të së majtës dhe së djathtës, si e shpjegoni këtë gjë?

Është rastësi e jetës. Nikolas Sarkozi është një mik personal dhe jo një mik politik dhe mund të kemi miq personalë që nuk janë miq politikë. Dhe kam shumë miq të tillë.

Diçka më tepër për sa i takon marrëdhënies suaj juaj me Presidentin Holland?

Ka qenë asistenti im, kur punoja me Presidentin Miterrand dhe ishim shumë të lidhur, por sot nuk jam bashkëpunëtor i tij.

Ju jeni themeluesi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe presidenti i saj i parë. Si fillim banka u krijua për të ndihmuar ish-Bashkimin Sovjetik që po shembej apo jo?

Pata idenë të krijoja këtë bankë në qershor të 1989 në momentin kur Polonia nisi të ndryshonte kampin, para rrëzimit të murit të Berlinit, dhe propozova të krijonim një institucion që të mblidhte bashkë vendet e Europës Lindore dhe Perëndimore dhe Bashkimin Sovjetik dhe të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Ballkanin. Nuk ishte e specifikuar vetëm për Bashkimin Sovjetik. Kishte një ide, është e vërtetë. Kur e propozova këtë ide, Francois Miterrani e përdori në një fjalim të shtatorit 1989 para rënies së Murit të Berlinit. E krijuam këtë bankë, nuk doja të isha presidenti i saj, doja të ishte në Paris, por fati bëri që të mos ishte. Kështu që e mora presidencën kundër vullnetit tim. Ishte një institucion i tillë që të gjitha vendet e Europës Lindore t’i bashkëngjiteshin Europës edhe para se të jenë pjesë e Bashkimit Europian.

Flasim tani për librin e fundit që është botuar në shqip, “Të jesh vetvetja”…

Shpresoj të mos jetë i fundit, por më i fundit…

Në mos gabohem është libri juaj i 65-të. Është e pabesueshme sesi mund të shkruani kaq shumë libra në rreth 40 vite…

Unë shkruaj disa libra në të njëjtën kohë, i shkruaj vetë, por i shkruaj shpejt dhe, punoj shumë, shumë, shumë, dhe kam një mënyrë organizimi të kohës sime që më lejon të shkruaj. Kam një energji të brendshme që më lejon ta bëj. Ky libër është publikuar para 4 muajsh. Kam kohë pa publikuar, por kam akoma 4 libra të papublikuar.

Duket e pabesueshme. Cili është mesazhi kryesor që doni t’i transmetoni lexuesit me librin e fundit?

Mos prisni asgjë nga askush! Mund t’ia dilni mbanë në jetën tuaj dhe të zgjidhni sesi ajo duhet të jetë. Jo vetëm financiarisht, por me tepër, të zgjidhni çfarë fati doni, të keni kurajën të merrni jetën në dorë dhe të kuptoni se jeta është e shkurtër. Secili prej nesh ka të drejtën dhe mënyrat t’ia dalë mbanë në jetë dhe ta zgjedhë jetën dhe të këtë kriteret e daljes mbanë që janë personale dhe jo të imponuara nga të tjerët. Nuk duhet të pritet as nga shteti, shefi, babai apo komshiu, megjithëse është i mirë bashkëpunimi dhe puna me të tjerët, por, në fund të fundit, secili prej nesh është i vetëm. Lind i vetëm dhe vdes i vetëm dhe secili duhet të krijojë kushtet e realizimit personal.

Ju shkruani se borxhi publik është tregues i dobësisë së demokracisë. Në SHBA kemi një borxh 100% të prodhimit kombëtar, në zonën euro e kemi 96 % … por në Shqipëri organizmat ndërkombëtare kanë dhënë alarmin sepse jemi në nivelin 72%. Si ta kuptojmë këtë?

Është e thjeshtë, sepse për një Parlament, të rrisë shpenzimet është e mrekullueshme sepse i kënaq të gjithë… ndërtojmë më tepër ura, rrugë… U japim më tepër ndihma njëri-tjetrit dhe është pozitive. Tendenca natyrale në demokraci është të rrisim shpenzimet dhe të ulim taksat, por kjo është e vështirë. Një nga dobësitë e demokracisë është kalimi përmes shpenzimeve që rriten dhe taksave që ulen e që për rrjedhojë sjellin borxhin publik. Një dobësi e madhe e demokracisë është në terma afatshkurtër, domethënë kur punojmë për të mirën tonë sot. Nuk duhet të mendohet vetëm për veten, por duhet të kujdesesh edhe për brezat e ardhshëm. Është tepër e rëndësishme të kujdesemi për atë që unë e quaj ekonomi pozitive, që merr parasysh interesin e gjeneratës së ardhshme, për të mos i lënë shumë borxhe. Shqipëria gjendet në një situatë që jo vetëm ka një deficit publik tepër të rëndësishëm, por ka edhe një deficit të jashtëm shumë të rëndësishëm, një tregti të jashtme shumë deficite. Që bën që Shqipëria të mos jetë shumë konkurruese. Rrugëzgjidhja vjen nga zhvillimi i investimeve të huaja ose shqiptarëve jashtë Shqipërisë që kanë një rol të madh për të luajtur me kthimin e fitimeve dhe investimeve të tyre dhe integrimi i tyre në komunitetin europian.

Në librin tuaj ju shkruani se asnjë institucion ndërkombëtar nuk është sot në gjendje të mbajë rregullin dhe paqen, dhe kjo është e vërtetë nëse shohim luftërat nëpër botë. Mos është ky një fat i shkruar për njerëzimin?

Jo, është një konstatim që nuk do të thotë se duhet të dëshpërohemi. Është një situatë e ditëve të sotme, por kundër së cilës mund të luftojmë. Është e frikshme ajo që ndodh sot në Mesdhe, ku askush nuk vjen në ndihmë të njerëzve që po mbyten. Disa janë të lumtur që ata po mbyten sepse kujtojnë se sa më shumë ata mbyten, aq më pak do të nxiten të tjerët që të vijnë. T’i lesh njerëzit të mbyten, është një çmenduri. Kjo situatë provon që kemi akoma më tepër nevojë për një veprim të vërtetë ndërkombëtar. Kujtoj piraterinë e madhe në bregun e Kenias dhe Afrikës Lindore, një pirateri shumë e rrezikshme për anijet e naftës që vinin nga Singapori për të kaluar në Kanalin e Suezit, dhe e gjithë bota krijoi një flotë botërore ku kishte anije angleze, franceze, amerikane, ruse, kineze së bashku që luftojnë me shumë efikasitet kundër piratëve dhe që e eliminuan sepse bëhej fjalë për naftën. Pra është një shembull që kur duam, mundemi. Barbarizmi ndërkombëtar nuk është i pashmangshëm.

Aleksandër Furxhi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura