INTERVISTA/ Pasi kërkoi dorëheqjen e Borrell, këshilltarja e Bashkimi Europian deklaratë të fortë për tensionet në Veri: SHBA e BE po i bëjnë presion Kosovës për t’ia dhënë Vuçiçit Asociacionin!

Jul 2, 2023 | 16:57
SHPËRNDAJE

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger ka reaguar në lidhje me tensionet në Veri, ku ka deklaruar se kërkesa e ShBA-së dhe BE-së që kryetarët në veri të punojnë në një vend alternativ e jo në zyrat e tyre është e pakuptimtë.

Kati-Schneeberger (1)

Në një intervistë për Klankosova, këshilltarja Schneeberger tha se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të largohen nga rruga anti-demokratike dhe të mbështesin demokracinë dhe shtetin e së drejtës, jo autokracinë dhe përshkallëzimin.

“Me këtë pozicionim të paqartë  së pari mbështetje, pastaj asnjë mbështetje për zgjedhjet – ata kanë mbështetur bojkotin e udhëhequr nga Vuçiçi. Mbështetja e këtij cirku nga SHBA-ja dhe BE-ja është një gabim i madh dhe është një faktor vendimtar për destabilizimin e situatës. Këtu ka diçka seriozisht që nuk shkon. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të largohen nga rruga anti-demokratike e javëve të fundit dhe të mbështesin demokracinë dhe shtetin e së drejtës, jo autokracinë dhe përshkallëzimin”, tha ajo.

Më tej, ajo foli edhe për masat e vendosura nga Bashkimi Evropian më 28 qershor, për të cilat tha se “duhet të tërhiqen menjëherë” dhe se janë “kundërproduktive”, ndërsa kryediplomatin evropian, Josep Borrell dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, Schneeberger i quan si të anshëm për Serbinë.

Sipas Schneeberger, arsyeja se pse Kosovës po i bëhet presion i madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“ShBA-ja dhe BE-ja po bëjnë presion të madh mbi Kosovën për t’i dhënë Vuçiçit atë që dëshiron, Asociacionin e tij. ShBA-ja dhe BE-ja nuk po ndihmojnë për të de-përshkallëzuar situatën, por po e përkeqësojnë atë. Ata po braktisin partnerin demokratik dhe po mbështesin agresorin”, tha ajo

Intervista e plotë:

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetën mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe njohën rezultatet e zgjedhjeve. Por ata (SHBA-ja dhe BE-ja) thonë se kryetarët e komunave nuk duhet të punojnë në zyrat e tyre. Si e shihni këtë?

Schneeberger: Është shumë e qartë se zgjedhjet e reja mbahen kur një përfaqësi politike nuk është më në gjendje të veprojë për shkak se të zgjedhurit e saj kanë dhënë dorëheqjen. Një rezultat zgjedhor duhet të njihet dhe zbatohet, edhe nëse zgjedhjet bojkotohen. Në fund të fundit, në një vend demokratik, të gjithë kanë të drejtë të votojnë, por edhe të mos votojnë. E njëjta gjë vlen edhe për kandidimin për zgjedhje.

Pse më pas SHBA dhe BE nuk i lënë mandatarët e zgjedhur të punojnë në tavolinat e tyre, nuk e kuptoj. Me këtë pozicionim të paqartë – së pari mbështetje, pastaj asnjë mbështetje për zgjedhjet – ata kanë mbështetur bojkotin e udhëhequr nga Vuçiç. Nuk është e pranueshme që politikanët nga jashtë të vendosin se kush zgjidhet në një vend dhe përfaqëson interesat e qytetarëve.

Ju lutem mos harroni se edhe kandidatët serbë kanë garuar në zgjedhje dhe janë zgjedhur. Problemi për Vuçiçin, megjithatë, është se ata nuk i përkasin listës që ai kontrollon. Mbështetja e këtij cirku nga SHBA dhe BE është një gabim i madh dhe është një faktor vendimtar për destabilizimin e situatës.

Shkuarja e kryetarëve të komunave në veri në zyrat e tyre, të rrethuar nga forcat policore, u prit me protesta dhe dhunë nga serbët atje. Si e shihni situatën, a është e drejtë të bëhet presion ndaj qeverisë pas tensioneve atje?

Schneeberger: Deri më tani, nga ana e shtetit kosovar kam parë vetëm veprime normale për një shtet demokratik. Ashtu siç do të ndodhte në çdo shtet tjetër demokratik funksional. Pas zgjedhjeve, politikanët e zgjedhur fillojnë punën e tyre në ambientet e caktuara për ta. Ekzekutivi siguron këtë proces dhe vepron kur është e nevojshme për të parandaluar ose ndaluar veprimet përçarëse. Është absurde që shtetet dhe institucionet që e konsiderojnë demokracinë si vlerën e tyre më të rëndësishme, të mos lejohen ta bëjnë këtë. Është absurde që shtetet dhe institucionet që e konsiderojnë demokracinë si vlerën e tyre më të rëndësishme, të minojnë pikërisht këtë dhe në këmbim të forcojnë armiqtë e demokracisë që e bojkotojnë dhe e prishin atë dhe i mbështesin ata në përshkallëzimin e situatës.

Këtu ka diçka seriozisht që nuk shkon. ShBA-ja dhe BE-ja duhet të largohen nga rruga anti -demokratike e javëve të fundit dhe të mbështesin demokracinë dhe shtetin e së drejtës, jo autokracinë dhe përshkallëzimin.

Pse mendoni se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion Qeverisë së Kosovës e jo Qeverisë së Serbisë pasi që dihet se protestuesit serbë kanë plagosur tre ushtarë të KFOR-it me plumba dhe u lënduan  30 gjithsej, u sulmuan edhe Policia e Kosovës dhe gazetarët. Serbia madje e ngriti nivelin e ushtrisë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë! A është Kosova vendi ndaj të cilit Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione si shkaktar i dhunës në veri?

Schneeberger: ShBA-ja dhe BE-ja kanë frikë se një zonë tjetër lufte do të shfaqet në Ballkan. Ata duan ta parandalojnë këtë me çdo mënyrë. Megjithatë, ata po përdorin të njëjtat masa të gabuara si me Putinin, pra qetësimin e agresorit. Ata duket se nuk kanë mësuar asgjë nga e kaluara. Politika e zbutjes ka çuar në të kundërtën, ka përshkallëzuar situatën dhe tani jemi dëshmitarë të një lufte mizore agresioni kundër Ukrainës. Dhe tashmë po shohim që politika e zbutjes ndaj Vuçiçit nuk po funksionon. Vuçiq po i lejon vetes gjithnjë e më shumë sepse e ka kuptuar se asgjë nuk do t’i ndodhë nëse ai ndërmerr hapa agresivë kundër Kosovës. Krejt e kundërta. ShBA-ja dhe BE-ja po bëjnë presion të madh mbi Kosovën për t’i dhënë Vuçiqit atë që dëshiron – Asociacionin e tij. ShBA-ja dhe BE-ja nuk po ndihmojnë për të de-përshkallëzuar situatën, por po e përkeqësojnë atë. Ata po braktisin partnerin demokratik dhe po mbështesin agresorin.

Masat e BE-së kundër Kosovës janë turp dhe krejtësisht kundërproduktive. Ndërkohë që Vuçiq vazhdon të financohet, fondet e Kosovës janë shkurtuar dhe Kosova sërish është e përjashtuar dhe e izoluar. Këto masa duhet të tërhiqen menjëherë.

Si i shihni qëndrimet e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndaj dy palëve të përfshira?

Schneeberger: Edhe Borrell edhe Lajçak nuk janë persona të pavarur për këtë çështje. Ata janë qartazi në anën e Vuçiqit, jo vetëm sepse vijnë nga vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Persona të tillë të njëanshëm nuk janë të përshtatshëm për të ndërmjetësuar në një konflikt. Ekziston një nevojë urgjente për njerëz të tjerë që janë të pavarur, mund të arrijnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të kenë guximin për të ndërmarrë hapat e nevojshëm.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka dhënë shumë rezultate kohëve të fundit. Serbia ka refuzuar të nënshkruajë dhe zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën. Borrell dhe Lajçak kanë paralajmëruar sanksione për çdo palë që refuzon ta bëjë këtë. Pse nuk është bërë asgjë kundër Serbisë?

Schneeberger: Le ta shohim nga ana e Serbisë. Pse duhet të zbatojnë diçka? Cilat janë pasojat nëse nuk zbatojnë asgjë? Tashmë me njoftimin e gëzueshëm se “Ne kemi një marrëveshje” ishte e qartë se kjo marrëveshje nuk kishte asnjë shans për t’u zbatuar.

  1. nuk është nënshkruar. Prandaj, Vuçiç nuk ndihet i detyruar të zbatojë asgjë.
  1. Kosova duhet të japë së pari diçka, para se Serbia të dorëzojë ndonjë gjë thelbësore.

Kushtet perfekte për të marrë gjithçka që dëshironi pa pasur nevojë të dorëzoni asgjë më pas. Një marrëveshje e përkryer për Vuçiçin. Ai mund të ulet duarkryq dhe të shikojë sesi BE-ja i bën presion Kosovës për të zbatuar pikën e parë të marrëveshjes.

Ju e keni kërkuar dorëheqjen e Borrellit, Lajçakut dhe Koopmanit nga pozitat e tyre. Pse?

Schneeberger: Ata janë njerëzit e gabuar në pozicionet e tyre. Ata janë të njëanshëm dhe veprojnë gabim. Në vend që të de-përshkallëzojnë situatën dhe të mbështesin një zgjidhje të qëndrueshme, ata po e ndihmojnë Vuçiqin për të de-përshkallëzuar situatën. Ata veprojnë në afat të shkurtër dhe duan të qëndrojnë në zonën e tyre të rehatisë. Vetëm pa trazira. Thjesht pa punë. Pa asnjë përpjekje. Dhe thjesht mos e mërzit Vuçiqin dhe mos e vendos atë në disavantazh. Ky është qëndrimi i gabuar. Ne kemi nevojë për njerëz që janë të guximshëm dhe që janë të gatshëm dhe të aftë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

Dhe, pyetja e fundit, cila është rruga për të dalë nga kjo situatë sipas jush?

Schneeberger: Ne kemi nevojë për njerëzit e duhur për të mbështetur procesin e normalizimit. Ata duhet të jenë të guximshëm, të arsyeshëm, të pavarur dhe të kenë në mendje një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme, jo një luftë afatshkurtër kundër simptomave. Shkaqet e konfliktit duhet të adresohen dhe zgjidhen. Për Vuçiqin nevojiten limite të qarta dhe jo sanksione për zbatimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Hapat drejt demokracisë dhe sundimit të ligjit duhet të shpërblehen, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Të gjitha hapat drejt çmontimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ruajtjes dhe forcimit të strukturave autokratike, promovimit të korrupsionit dhe kriminalitetit duhet të ndalen, nëse është e nevojshme me sanksione.

Në bisedat e mia me njerëzit  veçanërisht në veri të Kosovës kam dëgjuar për shumë iniciativa dhe ide që mbështesin procesin e normalizimit në nivel lokal. Një shkurtim i financimit të BE-së shkatërron këto iniciativa kaq të rëndësishme. Këto masa të pakuptimta, kundërproduktive të BE-së duhet të tërhiqen menjëherë. Ata shkatërrojnë gjithçka për të cilën tashmë është punuar dhe ndërtuar me mund.

Unë kam themeluar një shoqatë në Austri të quajtur “Kosovo goes Europe” për të mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së. Përveç njohjes nga 5 vendet e mbetura të BE-së, kjo natyrisht përfshin edhe mbështetjen për procesin e normalizimit. Në këtë fushë janë duke u planifikuar disa projekte. Jemi në shkëmbim të ngushtë me shoqërinë civile dhe politikën lokale në Kosovë. Në punën tonë ne mund të përdorim mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së dhe jo sanksionet penguese./klankosova

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura