Mariglen Kume/ Shkrimtarja Flutura Açka ka pranuar që të bëhet pjesë e ekipit të Lulzim Bashës për të fituar zgjedhjet e 25 prillit. Ajo kandidon në qarkun e Elbasanit e dyta në listë.
Në një intervistë për gazetën “Panorama.al”, shkrimtarja ka treguar kur kanë nisur ftesat për të për të kontribuuar në politikë dhe se cilat janë objektivat e saj. Açka thotë se në Shqipëri po instalohet një neodiktaturë dhe se ajo e ndiente të domosdoshme që të jepte kontributin e saj për të mos e lejuar. Shkrimtarja thotë se nuk do të jetë përjetë në politikë, por ka hyrë në këtë angazhim të ri për të lënë gjurmë.
Znj. Açka, ju jeni një emër i ri që i bashkoheni ekipit të PD-së në zgjedhjet e 2021- shit. Fillimisht, a mund të na thoni se nga kush u ftuat ju për t’u bërë pjesë?
Po, jam emër i ri në atë që mund të quhet “mjedis politik”, por në fakt një luftëtare e hershme e demokracisë dhe zërit publik. Jam ndër gazetaret e para të pluralizmit, të cilën letërsia e mbajti të mbërthyer në sinorët e duhur publikë. Edhe politika është zë në publik, kështu që unë vetëm se kam shtyrë sinorët e mi publikë. Duke qenë art i mundësisë, politika të krijon edhe terrenin ta materializosh zërin tënd, ëndrrat e tua, projektet e tua publike.
Ftesat nga e djathta shqiptare (dhe këtu nuk po flas vetëm për PD-në) kanë qenë ndër vite, por deri më tani nuk e kam ndier veten të gatshme, ose ai zë për të cilin ju fola ishte ende i vakët. Ftesën do ta bëjë padyshim dikush, por ai dikush në organizime të tilla siç janë partitë politike përfaqëson ftesën e një grupi, të një grupi që të thërret t’i shërbesh demokracisë, normalitetit që shqiptarët kanë tridhjetë vite që presin, t’i shërbesh pa e ndryshuar thelbin tënd dhe pa e vënë në dyshim integritetin tënd.
Çfarë ju shkoi në mendje në momentin që morët ftesën, si e pritët? Keni pasur ju aspirata për t’u bërë ligjvënëse?
Më shkuan shumë gjëra, jeta ime që ka po ato trajektore me gropa e copa të demokracisë shqiptare. Nuk ka qenë vendim i vështirë, sa kohë në këtë botë ndonjëherë “Po” dhe “Jo” kanë të njëjtën peshë, por ka qenë një vendim shumë, shumë i rëndësishëm. Pavarësisht natyrës sime të njohur disi rebele, që shpesh është atakuar me politikën e ditës si me të majtë e të djathtë, unë jam një natyrë vetanake, një njeri i brishtë dhe i tërhequr, që e tremb dhe e trazon ekspozimi i tepërt. Kështu që nuk ka qenë aq e thjeshtë të thosha “Po”.
Por ka qenë një “po” serioze dhe e sinqertë e që lidhet me koshiencën time personale. Nuk mund të thërrasësh e të shqyrtosh e të analizosh lehtësisht publiken, kur je e bindur se thuajse tridhjetë vjet pas ne po sillemi kaq indiferentë me kohën. Është përgjegjësi e madhe morale të shohësh para teje se si instalohej një neodiktaturë, dhe të heshtësh, ose të refuzosh kur të kërkohet të jesh pjesë e një mjedisi politik normal. Po e përsëris: normal. Kjo na mungon sot.
Znj. Açka, ju nuk futeni në listën e PD-së si një prej anëtarëve të Partisë Demokratike. Në këtë logjikë, në momentin që pranuat ftesën, a vendosët ju një “vijë të kuqe” për sjelljen tuaj në Parlament? Ju keni krijuar personalitetin tuaj në publik, ndërkohë që në politikë është pak e vështirë që t’u shpëtosh akuzave nga kundërshtarët politikë. Në këtë aspekt, si e keni menduar karrierën tuaj politike?
Unë u përpoqa ta shpjegoj disi. “Vija e kuqe”, po të përdor termin tuaj, është e përcaktuar nga vetë jeta ime, natyra ime, qasja ime ndaj lirisë dhe demokracisë, dhe me sa e kam ndier edhe unë nga ftesa që m’u bë, nuk besoj se ndokush po më kërkon të ndryshoj, as sot e as kurrë. Duke jetuar mes dy atdheve, ku njëri është një demokraci e plotë, nga e cila ke çfarë të mësosh themelisht, e di mjaft mirë se si mund ta mbash integritetin tënd deri në fund, deri kur principet e jetës tënde nuk i zë asnjë korrozion politik. Politika në jetën e një njeriu që vendos të merret me të është një mision i përkohshëm, personal, që i shërben një gjëje të përjetshme, përtej personales. Unë kështu e shoh dhe kjo është “vija ime e kuqe”.
Nuk kam ndërmend të vdes politikane, por në jetën e përkohshme të të përfshirit në politikë, dua të lë një gjurmë të dinjitetshme, dhe demokracia jona ka pasur mjaft shembuj të tillë të admirueshëm. Sa për kundërshtarin, do të përpiqem ta zbus me qenien time njerëzore dhe pozitivitetin tim, sepse është edhe për të mirën e tij.
Ju jeni pjesë e listës së Elbasanit. E kërkuat ju që të garoni në këtë qark apo strukturat drejtuese të PDsë e gjykuan të nevojshme që ju të jeni në këtë qark?
E kërkuan strukturat, por natyrisht ç’mund të kishte gjë më përfaqësuese për mua se sa qyteti im i lindjes, qyteti që ka profilizuar jetën time? Një qytet që sot po lëngon nga politika e keqe. Është nder të kthehem në Elbasan, të dëgjoj të flasin për të përditshmen e tyre njerëzit e mrekullueshëm të tij.
Besoj kanë kaluar pak kohë që nga momenti që ju keni marrë ftesën dhe e keni një ide se si do t’u qaseni votuesve të Elbasanit? Çfarë do të gjejnë te ju qytetarët e Elbasanit që nuk e kanë gjetur te ligjvënësit e tjerë të PD-së dhe të partive të tjera?
Elbasani është një qytet që pulson si zemër e kulturës shqiptare në historinë e tij të vjetër e të re. Ndaj, si një njeri që e njeh këtë puls prej profesionit dhe staturës sime publike, besoj se i afrohem kësaj zemre. Unë kam idetë e mia, një projekt personal timin se si mund të bëhet më mirë për Elbasanin, se si Elbasani, nga një qytet i kontrolluar nga bandat, të kthehet në ditët e tij të bukura të verës dhe rrëfimeve plot dritë.
Elbasani është një nga qytetet e ndëshkuara më rëndë nga diktatura dhe nuk meritonte shkujdesje në demokraci dhe vitet e fundit është gati asfiksuar. Qytetarët elbasanas kanë një zë që duhet dëgjuar dhe unë e kam durimin dhe dashurinë t’i dëgjoj, dhe përgjegjësinë për të mos qenë indiferente. Pjesa tjetër kërkon projekte dhe investime serioze, që nuk mund të mbeten në dëshirën e një njeriu të vetëm. Në Elbasan kam kaq shumë njerëz për të më kuptuar dhe për t’u përfshirë në mëtimin tim për ta ndryshuar atë vend të bekuar bashkë me ta.
Jeni e dyta në listë në një qark që ka rol kyç në rezultatin final. Kundërshtari juaj politik ka caktuar drejtues politik aty numrin dy të PSsë, po ashtu garon e para në listë edhe ministrja e Arsimit. E shikoni si sfidë të vështirë? Çfarë perceptimi ju krijon për së jashtmi? Them kështu sepse ende besoj se nuk e njihni terrenin e fushatës në Elbasan?
Unë mund të mos njoh dhe aq shumë zemrekun e fushatave politike, siç thoni ju, por njoh njerëzit e atij qyteti, dhe sfidën nuk e shoh se çfarë balte duhet të hedh mbi kundërshtarin politik, por se çfarë idesh dhe integriteti ofroj unë. Elbasanasit janë aty dhe i gjykojnë gjërat, edhe atë më thelbësoren: si mbërritëm ne që nga një qytet magjik e me historinë e kryqëzimit të rrugëve të botës së lashtë, ta kthejmë në kryqëzim të rrugëve të bandave, të vrasjeve me pagesë, të vakjes së rolit të shtetit dhe të organeve që duhet të mbrojnë qytetarët? Në Elbasan janë bërë zullume të mëdha nga politika, dhe, edhe pse nervi qytetar duket i heshtur, gjithçka është bërë faqe atyre qytetarëve që do të na gjykojnë. Për të tjerat le të fitojë ai që elbasanasit mendojnë se ia vlen t’i përfaqësojë, fundja kjo është demokracia.
Çfarë objektivi keni për këto zgjedhje? Në vendin tonë ka një perceptim që votat në kutinë e secilës parti i sjellin të fortët apo njerëzit me shumë të ardhura që mund t’i blejnë? Ju jeni njeri i letrave, keni fituar shumë lexues. A mendoni se do të ndryshoni perceptimin?
Besoj se po, duke filluar nga normaliteti i të bërit politikë, i heqjes së klishesë se njerëzit e politikës i mbajnë paratë e pista, se njerëzit e politikës duhet të fyejnë, të bullojnë, t’i trajtojnë qytetarët si dele. Njerëzit e politikës janë shërbëtorë të qytetarëve, pasi marrin të drejtën e tyre pikërisht të deleguar prej tyre. Kjo nuk është modesti populiste, por afrim me standardet europiane të politikëbërjes.
Të paktën unë premtoj se do ta bëj nëse do të kem fatin të zgjidhem prej elbasanasve. Ne po i çmendim shqiptarët me dhunën e mjedisit politik që kemi krijuar, ajo nuk ka asgjë europiane dhe të pranueshme nga bota e qytetëruar. Le ta fillojmë nga aty, pra nga normaliteti, duke ndenjur më pak nëpër ekrane dhe duke dëgjuar zërin e tyre.
Znj. Açka, besoj jeni njohur sadopak me listën finale të PD-së në të gjithë Shqipërinë. Si e vlerësoni ju ekipin e përzgjedhur nga Basha për t’iu prezantuar qytetarëve?
Po, them se e njoh, jo thjesht nga lista e sotme, por nga mënyra e të bërit opozitë me vite tashmë. Shoh në të kolegjialitet, nuk gjej dominacën e njëshit që i ka kthyer në pashallëqe shpesh partitë, shoh djem që flasin qetë, me argumente, që nuk ulërasin, që kanë më së shumti profile të përafërta me politikanë që i ndesh në Europën e sotme. Është një ekip, që jo vetëm i jep besueshmëri shqiptarëve kudo ku janë, por edhe një dizajn tjetër të politikanit shqiptar në sytë e ndërkombëtarëve.
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al