INTERVISTA/ SMS-të e Ambasadës së SHBA, Pollo: Nuk jemi terroristë

Aug 2, 2016 | 6:19
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Inovacionit dhe deputeti demokrat, Genc Pollo, vlerëson aftësinë negociuese të kreut të opozitës, Lulzim Basha, për Reformën në Drejtësi. Në një intervistë për “Panorama”, Pollo sqaron edhe rolin e ndërkombëtarëve në proces dhe mesazhet e përcjella nga Ambasada e SHBA-ve për deputetët e Kuvendit.

PROTIK PER BIZNESET E REJA - Ministri i Shtetit Genc Pollo, duke folur gjate prezantimit te kater udhezuesve per bizneset e reja ne Shqiperi, organizuar nga ministria e Jashtme e Norvegjise dhe qendra "Protik".

Deputeti demokrat i cilëson si të papranueshme mesazhet që ambasada nisi për deputetët, duke theksuar se masat për të cilat flitej në ato tekste janë të rezervuara për terroristët dhe kriminelët. Pollo flet edhe për debatet në Grupin Parlamentar të PD-së, duke sqaruar se votat e demokratëve që u vetëdeklaruan pro reformës, dobësuan pozitat e negociatorëve të PD-së.

Zoti Pollo, pas votimit unanim, ndryshimet në Kushtetutë e tani me debatet për ligjet organike, si e vlerësoni Reformën në Drejtësi dhe a ju duket se politikisht PD-ja ka dalë e humbur nga ky proces, ku PS-ja kishte nismën e avantazhin?

T’i marrin gjërat me radhë. Unë jam i kënaqur që u miratuan amendimet kushtetuese dhe kam besim se po ashtu do të miratohet së afërmi edhe legjislacioni që rrjedh prej tyre. Askush nuk mund të argumentojë bindshëm se arkitektura e re e sistemit të Drejtësisë është apriori më e mirë se ajo që kishim, që nga viti 1998. Përkundrazi, ka një shqetësim se kjo e reja është disi e komplikuar. Por fakti se sistemi i vjetër, cilado qofshin shkaqet, kishte degraduar keq e justifikon ndryshimin radikal. Pra ndryshimi do të jetë një e shkundur shëndetprurëse. Po kështu, përfshirja në proces, në një masë të arsyeshme, e komunitetit ndërkombëtar, më saktë atij euroatlantik, është një kontribut i zbatimit korrekt të parimeve të reformës dhe i forcimit të besimit në institucionet e reja.

Por PS-ja po del e fituar politikisht…

Ju thatë se Reforma në Drejtësi ishte nismë e PS-së. Nuk është kështu. Në programin e qeverisë Rama, faqet 18-19, shihni dhe uebsajtin e Këshillit të Ministrave, koncepti i tyre është se “Suksesi i reformave në Drejtësi varet në një shkallë të lartë nga bashkëveprimi mes disa institucioneve të pavarura, duke përfshirë Presidentin e Republikës, Këshillin e Lartë të Drejtë- sisë dhe Ministrinë e Drejtësisë”, si dhe amendimi e përmirë- simi i disa ligjeve ekzistuese (ironike, pasi të tre këta institucione, PS-ja i përjashtoi nga hartimi i reformës). E vetmja ide konkrete e PS-së ishte Byroja Kombëtare e Hetimit. E konceptuar si organ policor, që i rrëmbente Prokurorisë kompetencën hetimore, Byroja u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe u tret nga Komisioni Venecias. Kujtimi i saj vlen vetëm si dëshmi e cektësisë së ideve rilindiste.

E kujt ishte nisma? Nuk më duket se u mor nga opozita!

Reforma të tilla në gjyqësor janë kryer në dekadën e fundit pothuaj në të gjithë vendet ish-komuniste të Europës Juglindore, me insistimin e angazhimin e madh të BE-së e SHBA-ve. Sepse vendet anëtare të NATO-s, apo kandidatë të BE-së, duhet të kenë një shtet ligjor funksionues që nuk kontrollohet nga oligarkët, siç vërejtën jo shumë kohë më parë personalitete të Perëndimit si p.sh. Sekretari i Shtetit Kerry, Presidenti i PPE, Daul etj. Duhet të kenë një gjyqësor të aftë për të mbyllur deriçkat e plasaritjet që hap kriminaliteti e korrupsioni i organizuar, ku mund të depërtojnë edhe fuqi jomiqësore ndaj Europës e bashkimit të saj. Prandaj duhet t’i jemi mirënjohës providencës që shqiptarët i vendosi buzë detit Adriatik dhe jo atij Kaspik. Për sa i përket rolit të opozitës, do të thosha se nisma për Reformën në Drejtësi ishte një vazhdim, jo thjesht si kronologji, por edhe si parim i nismës për dekriminalizim. Kjo e fundit me markën ekskluzive të PD-së.

PD-ja nuk mori pjesë në Komisionin e Posaçëm parlamentar dhe kur ka marrë pjesë, më së shumti, ka kundërshtuar. Ndërkohë, drejtuesit tuaj pretendojnë edhe rol udhëheqës. Si e shpjegoni?

Pyetje me vend, që meriton një shpjegim të plotë. Por të sqaroj së pari diçka. Në asnjë vend europian, thashë europian e jo detyrimisht vetëm në BE, nuk mund të imagjinohet se mund të ndryshohet Kushtetuta pa akordin e opozitës. Edi Rama që në fillim na e tha hapur e disa herë në Kuvend se reformën, d.m.th. amendimin e Kushtetutës do ta bënte edhe pa opozitën, sipas tij, nazelie. Fatkeqësisht, atij i bënë jehonë edhe nja dy zëra diplomatikë në Tiranë, duke dëshmuar së bashku deficite në formimin demokratik dhe në atë aritmetik.

Vendet europiane kanë secila mënyrën e vet për rishikimin e Kushtetutës…

Po, por secili bazohet në parimin e konsensusit. Rasti i fundit që kujtoj nga Europa është Italia e fundviteve ’90, me lider maxhorance z.D’Alema, e kryeopozitar z.Berlusconi. Ata ngritën një komision parlamentar të posaçëm, që u njoh si “bicamerale”, me numra të barabartë për të dyja palët. Vetëm kaq kërkoi opozita, kur u ngrit Komisioni i Posaçëm në nëntor 2014 dhe deri diku ia arriti në gusht të vitit të shkuar.

Po, por atëherë koncepti i reformës ishte qartësuar dhe amendimet ishin shkruar. Pra, PD-ja gjeti faktin e kryer…

Se çfarë bëri PD-ja me këtë fakt të kryer, është parë e thënë deri ditën e votimit para një jave e gjysmë. Megjithatë, qëndron vërejtja se po të ishte përfshirë opozita që në fillim të procesit me deputetët e ekspertët e saj, do ta kishte më të lehtë t’i pengonte deformimet sesa e pati për t’i korrigjuar ato. Këtu ka vend për introspeksion, sidomos po të kemi parasysh edhe se çfarë ndodhi me reformën territoriale. Dilema e zakonshme midis qëndrimit parimor dhe atij pragmatist. Nuk ka përgjigje të kollajshme.

Po roli i PD-së pas pjesëmarrjes në Komision?

Javët e fundit është diskutuar shumë që anëtarët e institucioneve të Vetingut që të mos caktoheshin de facto nga PS-ja, siç ishte propozimi zyrtar i para gjashtë javësh i Komisionit, d.m.th. i PS-së, por të kishte balancë mes forcave politike, çka në fund edhe u arrit. Në projektin e shtatorit 2015, jo vetëm shqiptarët e Vetingut, por edhe vëzhguesit ndërkombëtarë do të emëroheshin nga Edi Rama, kryetar i qeverisë dhe i Partisë Socialiste. Më ka mbetur në kujtesë përgjigjja e një eksperti të PS-së (ekspertë të nivelit të lartë u quajtën), kur u pyet për këtë anomali gjatë një bisede televizive. “Po çfarë do të thoshit ju po të vinim Presidentin?”, u shpjegua ai. Ky detaj e plot si ky e bënë projektin e PS-së për ndryshimin e Kushtetutës një tentativë monstruoze për kapjen e sistemit. Përpjekja konstante e Partisë Demokratike, e pastaj tentativat intermitente të LSI=së dhe roli sipëror i “Venecias”, ishin shpëtimtare.

Megjithatë, ekspertët europianë, amerikanë dhe ambasadorët e përkrahën këtë propozim, madje e quajtën “our proposal”. Ç’mund të thoni për këtë?

Fatkeqësisht, kështu është dhe unë nuk e di mirë se çfarë lipset të them. Kam parë shënimet e një mbledhjeje, ku një diplomat shprehej se nuk e kishte lexuar projektin, por kishte besim të plotë te ekspertët nga vendi i tij dhe prandaj mendonte se duhej votuar sa më parë. Për këta të fundit jam shprehur në maj në mbledhjen e Grupit Parlamentar me vizitorë të rëndësishëm. Nuk mendoj se u kapën apo ishin që sefte të njëanshëm si vendësit e nivelit të lartë. Do të skartoja neglizhencën, madje edhe inkompetencën për të lënë naivitetin; në kuptimin e moskuptimit të natyrës të demokracive të reja posttotalitare, ku formulat e thjeshta të demokracive të konsoliduara nuk funksionojnë. Megjithatë, pas rrëzimit të këtij projekti në dhjetor nga “Venecia” nuk pati as skuzim, as reflektim, madje as shpjegim. Madje, vazhdoi avazi i vjetër i njëanshmërisë. Kuptohet që kjo nuk e ndihmoi procesin. Po të shtojmë këtu edhe Tiranën e thashethemeve, e joshjes dhe miklimit deri te manipulimi e instrumentalizimi, e plotësojmë kuadrin. Këtu duhet pranuar që Edi Rama ka qenë i suksesshëm.

Basha është kritikuar deri ditën e fundit nga Donald Lu, por edhe nga zonja Vlahutin se në mënyrë të përsëritur me kërkesa surprizë e ka penguar procesin.

Keqkuptimet e sajuara në Tiranë, Lulzim Basha i zgjidhi me sukses në kontakt direkt me Brukselin e Uashingtonin. Të gjitha kërkesat e PD-së u plotësuan, përfshi vendet e rezervuara (edhe pse nuk u quajtën kështu në substancë janë pikërisht kështu) në organet e Vetingut e në dy këshillat e prokurorisë/gjyqësorit, si dhe roli vetëm konsultativ i vëzhguesve ndërkombëtarë. Edhe pse dëgjuam pak ditë para 21 korrikut se këto propozime qenkëshin të papranueshme për aksh qeveri, 24 orë pas miratimit të tyre në Kuvend, aksh qeveri e plot qeveri të tjera partnere e përshëndetën votimin unanim.

Gazetat shkruan për ju se nuk votuat për vëzhguesit ndërkombëtarë?

I kam votuar pro të gjitha nenet, si dhe ligjin në tërësi. Kompromisi duhej respektuar. “Pacta sunt servanda” i këshillonim dikur socialistët në opozitë. Ndoshta sistemi elektronik a diçka tjetër, nuk ka funksionuar në votimin ritmik.

Ju dhe Ilir Meta kritikuat SMS-të e ambasadës amerikane. Pse ai reagim?

Vota e deputetit përcaktohet në trekëndëshin interesi i zonës zgjedhore-linja e partisë-bindja vetjake. Këtë e kemi mësuar nga leximi i Letrave të Federalistit të Etërve Themelues të Amerikës e nga traktate të iluministëve europianë. Të shtosh kërcënimin si kënd të katërt është fyese. Të kërcënosh me masa që rezervohen për terroristët e kriminelët është e papranueshme. Por edhe e padobishme e kontraproduktive. Nuk ishte mjet që realizon qëllimin, siç edhe e tregoi akordi i të enjtes pasdite e votimi i të premtes pa gdhirë. Duke reaguar, ndoshta mbrojta dinjitetin e atyre që nuk mundnin a nuk donin të flisnin.

Rama i përmendi shpesh opozitës presionin popullor për Reformën në Drejtësi. Ai e të tjerë cituan sondazhe ku mbi 96% e të pyeturve deklarohen pro Reformës në Drejtësi. A mendoni se qëndrimet e PD-së ishin kundër rrymës së përgjithshme?

Nuk më habisin gjetjet e sondazheve. Nëse gjithë klasa politike plus partnerët ndërkombëtarë e media do të angazhoheshin publikisht e intensivisht edhe për një reformë që do të (premtonte se) eliminonte keqfunksionimin e qeverisë apo të bashkive, përsëri sondazhistët do të gjenin numra të tillë që të kujtojnë Frontin Demokratik. E thënë më thjesht, është e kollajshme të gjenerosh përkrahje popullore me thirrje për mirësinë, begatinë e lumturinë. Për fat të keq, jeta reale e politika brenda saj nuk është kaq sempliste. PD-ja u përpoq, deri në minutën e fundit, që ajo çka do të vendosej të kishte në të ardhmen si pasojë atë që shpresohej.

Deputetët e supozuar antireformë janë kritikuar si arrogantë ndaj popullit, të pandjeshëm ndaj shoqërisë, mospërfillës ndaj opinionit e të fokusuar tek interesat e veta, si dhe me vetura të shtrenjta. Me kë e kishin?

Nuk e di. Por më ngjajnë si dy pika uji me tezat e fushatës pro Brexit, që fajësonin elitat politiko-burokratike në Londër e Bruksel.

Edhe shoqëria civile doli në protestë me thirrjen “Votoni reformën”. U duk se e kishin më shumë me ju sesa me qeverinë.

Patëm një dialog në Kuvend me disa prej tyre dhe me sa folën aty, u paraqitën më pluralë sesa ju janë dukur në TV. Munda të bisedoj edhe me disa prej tyre. Së pari, të jemi të kujdesshëm me termin shoqëri civile. Shqipëria sot e dje ka OJF që jetojnë me projekte përgjithë- sisht të financuara nga taksapaguesit përmes agjencive qeveritare. Së dyti, slogani “Votoni reformën” është i pakuptimtë. Deputetët votojnë projektligje, të cilat janë të shkruara dhe kanë kuptim konkret. Mbi to realizohet reforma. Dhe kur ka dy versione për një çështje në ligj, është më e dobishme të debatosh mbi avantazhet/disavantazhet e secilit version dhe është politikisht më e ndershme të pozicionohesh qartë pro njërit apo tjetrit, sesa të fshihesh pas apeleve patetike apo ta mjegullosh duke thënë jam për pro propozimit N apo formulës H. P.sh., emërimet në organet që krijohen rishtas do t’i bëjë (1) vetëm qeveria apo (2) edhe qeveria, edhe opozita? Vëzhguesit ndërkombëtarë (1) do ta bëjnë vetingun vetë e vetëm, me firmë e me vulë apo (2) do të monitorojnë e japin këshillë me peshë institucioneve shqiptare që bëjnë vetingun? Skualifikimi i kandidatëve do të bëhet (1) pa prova, pa transparencë e pa apelim, apo (2) me prova, me transparencë, me apelim? Këto ishin çështjet e debatuara dhe dilemat përkatëse. PD-ja duhet të jetë krenare që për këto çështje jo vetëm mori që herët pozicionin e drejtë e të duhur, por edhe që arriti ta imponojë atë.

Në grupin parlamentar tuajin pati debate e kundërshtime, madje edhe deklarime të votës pro reformës. Çfarë impakti patën këto në PD?

Debati në mes deputetëve demokratë ka pasur rëndësi edhe përtej grupit. Këto ndryshime kushtetuese fatkeqësisht janë përgatitur si gjysmë fshehtas nga një komision që mblidhej pa mediat e që procesverbalet nuk i botonte në ëebsite-in e Kuvendit si të tjerët dhe ku çdo p/ligj që hidhej në tryezë nuk mund të sigurohej nga 130 deputetët e tjerë (jo anëtarë të komisionit) edhe kur këta i kërkonin. Diçka si kabal mesjetar më shumë se komision parlamentar. Prandaj tezat e reformës e vetë amendimet nuk arritën të debatohen gjerësisht në publik, gjë që i jep legjitimitetin demokratik çdo mase legjislative. Debatet në Grupin e PD-së, shtjellimet e elaboruara sidomos nga deputetët me përvojë të gjatë shtetërore, jo vetëm ndihmuan në formulimin e qëndrimit të PD-së e të përfaqë- suesve opozitarë në komision, por, edhe më e rëndësishme, përmes mediave ngjallën një debat që e përfshiu publikun duke e bërë të interesuar e të angazhuar në përmbajtjen e ndryshimeve kushtetuese. Një nga efektet e këtij debati ishte që amendimet jetime jashtë Reformës në Drejtësi, të padobishme e të parakohshme, së fundmi u hoqën nga paketa që u soll në seancë plenare. Gjithashtu, grupi ishte unanim në përkrahjen e qëndrimeve për çështjet që përmenda më parë.

Po ata deputetë që vërejtën se rezistenca e PD-së do t’i shkaktonte asaj kosto të brendshme e të jashtme dhe deklaruan votën pro?

Çdo betejë ka kosto, pavarësisht se mbyllet me fitore a disfatë. Për fatin e mirë të PD-së e të shtetit ligjor, kjo betejë u mbyll me fitore. Ndërsa deklarimi publik i votës pro reformës pikërisht në momente kritike të vendimmarrjes, mendoj se i dobësoi pozitat e negociatorëve të PD-së e deputetëve të opozitës në komision. Z. Xhafaj, në anën tjetër të tryezës, e kishte kollaj t’u thoshte mos na kërkoni kaq shumë, se dy-tri vota i morëm e tri-katër do t’i marrim dhe e miratojmë edhe pa ju. Fatmirësisht, siç e dimë tashmë, në fundore nuk e dhanë këtë efekt negativ.

Por zoti Rama thotë shpesh se i kishte 94 vota e lart për ta votuar pa konsensusin e PD-së zyrtare.

Ajo që më ka mbetur në kujtesë nga kryeministri ishte deklarata e tij plot patos në 13 qershor, se po qe se përfshihej opozita në organet e vetingut, “reforma kurrë mos u bëftë!”. Opozita u përfshi siç e kërkoi PD-ja dhe kjo u votua nga 140 deputetë, përfshi dhe Ramën vetë. Kijeni këtë parasysh, kur të gjykoni llafet e tij.

A shihni qeveri teknike?

Kjo është një pyetje për koalicionin; opozita nuk ka ç’të thotë më shumë se ka thënë. Por gjëja e mirë tani është që mund të debatojmë papunësinë e kriminalitetin, arsimin e shëndetësinë, më në fund tani që zhurmatarët e reformës do të bien në qetësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura