Iris Sojli: Vetëm e vërteta shëron plagët e komunizmit

Oct 15, 2014 | 14:31
SHPËRNDAJE

Iris Sojli
E shkuara është diçka e mbartur prej secilit prej nesh. Në një vend si Shqipëria, të përballur me diktaturën komuniste dhe tjetërsimin e individit që vinte prej saj, ajo që ka ikur merr një peshë edhe më të rëndë.
Vendosur mes një tjetërsimi të tillë vjen edhe personazhi i shfaqjes “Radio Iliria”, me autorë Iris e Erand Sojlin dhe regji të këtij të fundit, e cila do të shfaqet duke filluar që sonte, deri të dielën në orën 19:00 në Teatrin Kombëtar. Shfaqja do të vijojë të jetë pjesë e shfaqjeve të Teatrit deri në sezonin e ri të 2015-s. Në një bisedë për “Panorama”, autorja Iris Sojli shpjegon më mirë konceptin e asaj që sjellin për publikun.
Vepra që ngjisni në skenën e TK na rikujton periudhën e komunizmit, pse ky kthim pas në kohë?
Se e mbartim të gjithë, duam apo s’duam. Ti, unë, të gjithë, e mbartim, të mos them gjenetikisht, por është futur thellë në karakterin e personalitetin tonë. Gjithë gjurmët e saj i gjejmë ende shumë në tiparet tona si njerëz, por edhe të shoqërisë. Mendoj se shumë nga ngërçet e shoqërisë sonë i kanë themelet e tyre në atë periudhë, kështu që nuk mund të mos ngacmohesh nga ajo periudhë edhe artistikisht.
Ka një bazë reale historia që ju rrëfeni?
Nga drama “Radio Iliria”
Nxitja për të shkruar këtë vepër është marrë nga një histori reale e një personi, që në kohën e komunizmit bleu një radio “Iliria”. Meqë ishte një ngjarje e madhe për fshatin e tij, në ceremoninë e ndezjes së radios, mes bashkëfshatarëve ishte edhe sekretari i Partisë. Por radioja ishte sintonizuar te “Zëri i Amerikës” dhe nuk ndërrohej kanali. U dëgjuan mesazhe kundër regjimit e sistemit. Kjo mjaftoi që ky person të akuzohej për agjitacion e propagandë e të dënohej me shumë vite burg. Kjo është historia reale që na kishin treguar. Ndërkohë, gjithë kompozimi, gjithë vendosja në hapësirë dhe në kohë ishte një krijim yni, i Erandit dhe imja.
Drama e personazhit tuaj nuk mbyllet me rënien e komunizmit, ajo bartet edhe sot, pse nuk mundet ky njeri të rifillojë të jetojë?
Pali, ky personazh, ndodhet në ditët e sotme i zhgënjyer krejtësisht nga shoqëria, i vetmuar. Ende i persekutuar si atëherë, se nuk është më i integruar në shoqëri. Dënimi i tij nuk mbaron pas 25 vitesh, por vazhdon edhe në ditët e sotme. Dhe, kështu i zhgënjyer, në një tentativë të fundit për të kuptuar çfarë i ka ndodhur në jetën e tij, ai takohet me vetveten në momentin kur është burgosur. Që në fillim të shfaqjes, pas një skene të parë prezantimi, Pali i ri futet në skenë dhe që në atë moment ata janë gjithmonë të dy dhe ballafaqohen me historinë, me shndërrimin e tyre si një individ. Kemi Palin e ditëve të sotme, që është konstant në ekzistencën e tij dhe Palin e ri që shndërrohet. Në çdo skenë kemi shndërrimin e tij, duke sjellë kështu shumë personazhe.
Në shfaqjet e para, Pali, i cili na shfaqet në dy momente të jetës së tij, u luajt nga aktori Arben Bajraktaraj, ndërsa tani do të luhet nga Erandi, përse ky ndryshim?
Po. Mërkur Bozgo luan Palin plak. Erand Sojli luan Palin e ri. Në fillim roli i Palit të ri u luajt nga Arben Bajraktaraj, një aktor i shkëlqyer, i cili ka bërë punë të jashtëzakonshme. Ne nuk e dinim që do ta jepnim përsëri shfaqjen në TK. Fatmirësisht shfaqja jonë u pëlqye shumë dhe patëm shumë kërkesa, ndaj dhe TK na i hapi dyert gjatë gjithë sezonit. Për shkak të angazhimeve të shumta të Arbenit, ai do të dublohet nga Erandi. Erandi e ka shkruar rolin, është regjisor i shfaqjes dhe nuk kishte njeri që mund ta bënte më mirë se ai. Kështu që në disa shfaqje do të luajë Arbeni dhe në disa të tjera Erandi. Ata që e kanë parë një herë pjesën, i ftoj ta shohin nën interpretimin e Erandit. Ai ka sjellë një Pal tjetër, patjetër, se janë dy aktorë ndryshe. Shfaqja do të shfaqet deri në qershor 2015. Duam ta risjellim dhe me personazhe të tjerë. Erandi ka shumë dëshirë që të punojë edhe me dy femra dhe një mashkull. Mendoj dhe shpresoj që kjo shfaqje do të ketë një vazhdimësi dhe qëndrim në kohë.
Pjesës nuk i mungon edhe një linjë dashurie, fatkeqësisht tragjike…
Përveç Palit në moshën e tij të re dhe të plakur, në skenë vjen dhe Marta, që është një personazh i mishëruar nga Erieta Cufaj, që e falënderoj për punën. Ajo është dashuria e humbur. Pali i ri dashurohet me një vajzë dhe pa nisur ende mirë historia e tyre persekutohet. Ajo nuk e pret deri në fund, gjë që është krejtësisht logjike. Kemi dashur të sjellim linjën e dashurisë, për të përfaqësuar gjithçka të shtrenjtë, që njeriu ka humbur në atë periudhë.
Personazhi juaj është nga Kosova. Ishte kjo një gjetje e qëllimshme nga ana juaj, për të thënë që drama e së shkuarës komuniste në Shqipëri prek të gjithë shqiptarët, pavarësisht kufijve të Shqipërisë zyrtare?
Personazhi është arratisur nga Kosova. Donim të bënim një vepër sa më shumë përfshirëse dhe duke hulumtuar dhe kërkuar mbi historitë e asaj kohe, shumë të dënuar na folën për historinë e shqiptarëve të Kosovës, që ishin nëpër burgje. Dhe ishin ata që e kanë vuajtur më shumë, se nuk kishin asnjë njeri këtu, që t’u sillte një letër, një pako kafe apo cigare dhe mbi të gjitha ata mbartnin dhe zhgënjimin, se vinin në shtetin amë për të shpëtuar nga UDB-ja me gjithë presionet e atjeshme dhe përballeshin me persekutim shumë më të dhimbshëm dhe të padrejtë.
Mendoni që njerëzit në Shqipëri e kanë akoma sa duhet të gjallë kujtesën për të shkuarën dhe a është e nevojshme të hapen dosjet?
Jam partizane e hapjes së dosjeve, duke marrë përsipër dhe riskun që të gjej në atë dosje akte dhe të njerëzve që i dua shumë e të më zbulohen që dhe ata janë pjesë e sistemit. Duke hapur dosjet mund të has të vërteta që do të më dhembin shumë, nuk kam frikë nga ato të vërteta, se mendoj që është e vetmja mënyrë për t’i shëruar ato plagë.
Jo më pak rëndësi ka në një shfaqje muzika dhe skenografia…
Muzika është kompozuar nga Elina Duni. Tema kryesore është muzika e Elina Dunit. Janë përzgjedhur dhe disa këngë të saj në formën e tyre instrumentale, përveç një kënge që është me gjithë tekst dhe i rrinte për shtat skenës për të cilën donim ta përdornim. Skenografia është bërë nga Arian Risvani. Tema kryesore e shfaqjes është kujtesa, koncepti i kujtesës dhe rëndësia që ajo ka për të ardhmen, ndaj dhe skenografia është konceptuar si një tru.

Shfaqja
E mërkurë, e enjte
15, 16 tetor
“Radio Iliria”, një produksion i “Globart”
Një dramë nga Iris & Erand Sojli.
Me aktorët: Erand Sojli, Mërkur Bozgo
dhe Erieta Cufaj.
Çmimi: 300 lekë

E premte, e shtunë, e diel
17, 18, 19 tetor
Çmimi: 500 lekë.
Për rezervime: +355 4 222 30 22
Ora 09:00-13:00 dhe 17:00-19:00

BLERINA GOCE Vendosur mes një tjetërsimi të tillë vjen edhe personazhi i shfaqjes “Radio Iliria”, me autorë Iris e Erand Sojlin dhe regji të këtij të fundit, e cila do të shfaqet duke filluar që sonte, deri të dielën në orën 19:00 në Teatrin Kombëtar. Shfaqja do të vijojë të jetë pjesë e shfaqjeve të Teatrit deri në sezonin e ri të 2015-s. Në një bisedë për “Panorama”, autorja Iris Sojli shpjegon më mirë konceptin e asaj që sjellin për publikun.
Vepra që ngjisni në skenën e TK na rikujton periudhën e komunizmit, pse ky kthim pas në kohë?
Se e mbartim të gjithë, duam apo s’duam. Ti, unë, të gjithë, e mbartim, të mos them gjenetikisht, por është futur thellë në karakterin e personalitetin tonë. Gjithë gjurmët e saj i gjejmë ende shumë në tiparet tona si njerëz, por edhe të shoqërisë. Mendoj se shumë nga ngërçet e shoqërisë sonë i kanë themelet e tyre në atë periudhë, kështu që nuk mund të mos ngacmohesh nga ajo periudhë edhe artistikisht.
Ka një bazë reale historia që ju rrëfeni?
Nxitja për të shkruar këtë vepër është marrë nga një histori reale e një personi, që në kohën e komunizmit bleu një radio “Iliria”. Meqë ishte një ngjarje e madhe për fshatin e tij, në ceremoninë e ndezjes së radios, mes bashkëfshatarëve ishte edhe sekretari i Partisë. Por radioja ishte sintonizuar te “Zëri i Amerikës” dhe nuk ndërrohej kanali. U dëgjuan mesazhe kundër regjimit e sistemit. Kjo mjaftoi që ky person të akuzohej për agjitacion e propagandë e të dënohej me shumë vite burg. Kjo është historia reale që na kishin treguar. Ndërkohë, gjithë kompozimi, gjithë vendosja në hapësirë dhe në kohë ishte një krijim yni, i Erandit dhe imja.
Drama e personazhit tuaj nuk mbyllet me rënien e komunizmit, ajo bartet edhe sot, pse nuk mundet ky njeri të rifillojë të jetojë?
Pali, ky personazh, ndodhet në ditët e sotme i zhgënjyer krejtësisht nga shoqëria, i vetmuar. Ende i persekutuar si atëherë, se nuk është më i integruar në shoqëri. Dënimi i tij nuk mbaron pas 25 vitesh, por vazhdon edhe në ditët e sotme. Dhe, kështu i zhgënjyer, në një tentativë të fundit për të kuptuar çfarë i ka ndodhur në jetën e tij, ai takohet me vetveten në momentin kur është burgosur. Që në fillim të shfaqjes, pas një skene të parë prezantimi, Pali i ri futet në skenë dhe që në atë moment ata janë gjithmonë të dy dhe ballafaqohen me historinë, me shndërrimin e tyre si një individ. Kemi Palin e ditëve të sotme, që është konstant në ekzistencën e tij dhe Palin e ri që shndërrohet. Në çdo skenë kemi shndërrimin e tij, duke sjellë kështu shumë personazhe.
Në shfaqjet e para, Pali, i cili na shfaqet në dy momente të jetës së tij, u luajt nga aktori Arben Bajraktaraj, ndërsa tani do të luhet nga Erandi, përse ky ndryshim?
Po. Mërkur Bozgo luan Palin plak. Erand Sojli luan Palin e ri. Në fillim roli i Palit të ri u luajt nga Arben Bajraktaraj, një aktor i shkëlqyer, i cili ka bërë punë të jashtëzakonshme. Ne nuk e dinim që do ta jepnim përsëri shfaqjen në TK. Fatmirësisht shfaqja jonë u pëlqye shumë dhe patëm shumë kërkesa, ndaj dhe TK na i hapi dyert gjatë gjithë sezonit. Për shkak të angazhimeve të shumta të Arbenit, ai do të dublohet nga Erandi. Erandi e ka shkruar rolin, është regjisor i shfaqjes dhe nuk kishte njeri që mund ta bënte më mirë se ai. Kështu që në disa shfaqje do të luajë Arbeni dhe në disa të tjera Erandi. Ata që e kanë parë një herë pjesën, i ftoj ta shohin nën interpretimin e Erandit. Ai ka sjellë një Pal tjetër, patjetër, se janë dy aktorë ndryshe. Shfaqja do të shfaqet deri në qershor 2015. Duam ta risjellim dhe me personazhe të tjerë. Erandi ka shumë dëshirë që të punojë edhe me dy femra dhe një mashkull. Mendoj dhe shpresoj që kjo shfaqje do të ketë një vazhdimësi dhe qëndrim në kohë.
Pjesës nuk i mungon edhe një linjë dashurie, fatkeqësisht tragjike…
Përveç Palit në moshën e tij të re dhe të plakur, në skenë vjen dhe Marta, që është një personazh i mishëruar nga Erieta Cufaj, që e falënderoj për punën. Ajo është dashuria e humbur. Pali i ri dashurohet me një vajzë dhe pa nisur ende mirë historia e tyre persekutohet. Ajo nuk e pret deri në fund, gjë që është krejtësisht logjike. Kemi dashur të sjellim linjën e dashurisë, për të përfaqësuar gjithçka të shtrenjtë, që njeriu ka humbur në atë periudhë.
Personazhi juaj është nga Kosova. Ishte kjo një gjetje e qëllimshme nga ana juaj, për të thënë që drama e së shkuarës komuniste në Shqipëri prek të gjithë shqiptarët, pavarësisht kufijve të Shqipërisë zyrtare?
Personazhi është arratisur nga Kosova. Donim të bënim një vepër sa më shumë përfshirëse dhe duke hulumtuar dhe kërkuar mbi historitë e asaj kohe, shumë të dënuar na folën për historinë e shqiptarëve të Kosovës, që ishin nëpër burgje. Dhe ishin ata që e kanë vuajtur më shumë, se nuk kishin asnjë njeri këtu, që t’u sillte një letër, një pako kafe apo cigare dhe mbi të gjitha ata mbartnin dhe zhgënjimin, se vinin në shtetin amë për të shpëtuar nga UDB-ja me gjithë presionet e atjeshme dhe përballeshin me persekutim shumë më të dhimbshëm dhe të padrejtë.
Mendoni që njerëzit në Shqipëri e kanë akoma sa duhet të gjallë kujtesën për të shkuarën dhe a është e nevojshme të hapen dosjet?
Jam partizane e hapjes së dosjeve, duke marrë përsipër dhe riskun që të gjej në atë dosje akte dhe të njerëzve që i dua shumë e të më zbulohen që dhe ata janë pjesë e sistemit. Duke hapur dosjet mund të has të vërteta që do të më dhembin shumë, nuk kam frikë nga ato të vërteta, se mendoj që është e vetmja mënyrë për t’i shëruar ato plagë.
Jo më pak rëndësi ka në një shfaqje muzika dhe skenografia…
Muzika është kompozuar nga Elina Duni. Tema kryesore është muzika e Elina Dunit. Janë përzgjedhur dhe disa këngë të saj në formën e tyre instrumentale, përveç një kënge që është me gjithë tekst dhe i rrinte për shtat skenës për të cilën donim ta përdornim. Skenografia është bërë nga Arian Risvani. Tema kryesore e shfaqjes është kujtesa, koncepti i kujtesës dhe rëndësia që ajo ka për të ardhmen, ndaj dhe skenografia është konceptuar si një tru.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura