Vrasja e 27-vjeçarit Mehmet Qema nga shoku i tij, Marjus Dema mbrëmjen e së hënës tronditi kryeqytetin.
I riu po qëndronte i ulur jashtë një lokali me miqtë e tij, kur u qëllua për vdekje me një plumb në gjoks nga Marjus Dema.
Mësohet se viktima Mehmet Qema shoqërohej me personazhe të njohur, si moderatori, Meriton Mjekiqi dhe këngëtari Blerim Hoti, i njohur edhe si Lim Hoti, i cili ndodhej i ulur në tavolinë kur ndodhi krimi.
Pas vrasjes së 27-vjeçarit, ka reaguar këngëtarja Baby G, ish e dashura e Lim Hotit, në një postim në Instagram.
“Nuk mund ta besoj. RIP! Nuk e di çfarë të them”- shkroi ajo, duke shoqëruar postimin me një foto të viktimës.
Pas krimit, autori i dyshuar Marjus Dema u largua nga vendi i ngjarjes dhe u vetëdorëzua ditën e sotme në polici, së bashku me Frenkli Myftarin, i cili ishte po ashtu i pranishëm në vendngjarje.
“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme. Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën”, mësohet të ketë thënë 28-vjeçari në polici.
Ndërkohë vijojnë të jenë në kërkim katër persona të tjerë, Erlind Peka, Bralid Aga, Blerim Hoti dhe Xhuljano Koçi.
Këta të fundit akuzohen për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.