Në vitin 2010, Agim Zeqo u bë iniciator i riorganizimit të Skënderbeut. Fillimisht, korçarët ia dolën të mbijetonin në Kategorinë Superiore e më pas dominuan futbollin shqiptar për tetë vite radhazi. Biznesmeni korçar pati një meritë të madhe, por pas vetëm dy sezonesh, u largua nga drejtimi i klubit, duke ia lënë në dorë Ardjan Takajt.
Pas dënimit të Skënderbeut nga UEFA, në Korçë janë shtuar zërat se biznesmeni Zeqo mund të rikthehet në klub si financues, duke qenë se skuadra po kalon një moment kritik, ku natyrisht vihet në dyshim edhe ekzistenca. Për të sqaruar të gjithë zërat që qarkullojnë, dje “Panorama Sport” kontaktoi vetë ish-presidentin e Skënderbeut, i cili mohoi kategorikisht një rikthim si financues në klubin bardhekuq. “Unë e kam mbyllur me futbollin, pasi dhashë më të mirën për dy vjet dikur.
Që në vitin 2012 jam larguar përfundimisht”, theksoi Zeqo, i cili që pas dorëheqjes si president, është parë sërish në Korçë, por vetëm si tifoz i Skënderbeut, duke ndjekur ndeshjet nga tribuna qendrore. Në javët e fundit ka pasur zëra pranë klubit se Zeqo mund të bashkëpunonte sërish me Takajn, por duket se më shumë kjo është një dëshirë e tifozëve sesa diçka reale që po mendon biznesmeni.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al