Ish-Presidenti Meidani feston 75-vjetorin e lindjes, urimi surprizë nga Presidenti Meta

Aug 17, 2019 | 14:58
SHPËRNDAJE

Ish-presidenti, Rexhep Meidani, një nga figurat më të respektuara nga të gjitha krahët e politikës, feston sot 75-vjetorin e lindjes.

Rexhep Meidani

Në këtë ditë festë për të dhe familjen Mediani, nuk ka munguar telefonata e urimit nga ana e kreut aktual të shtetit. Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur ta urojë përmes një telefonate ish-presidentin, për të cilin, vetëm pak kohë më parë deklaroi se ishte gati të linte postin që mban, nëse zëvendesohej nga Meidani.

Meta ka cmuar rolin e tij vecanerisht si President “që vendi të kishte një Kushtetutë demokratike si ajo që votua në Referendum në vitin 98, që ndihmoi në demokratizimin e vendit për një dekadë, si dhe angazhimin e tij të veçantë si President gjatë krizës së Kosovës dhe më pas për afirmimin e saj”.

Meidani mban mbi supe një karrierë të spikatur, jo vetëm profesionale, por edhe politike.

Karriera politike e ti nisi pas viteve ’90. Ai ishte kryetar i KQZ-së në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991 dhe anëtar i Këshillit Presidencial (1991). Gjatë viteve 1992-96 u angazhua në shoqërinë civile duke qenë edhe kryetar i bordit të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (1994-96). Më 1996 aderoi në Partinë Socialiste duke u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i saj (1996-1997).

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit 1997, Meidani u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve, të cilat u fituan nga koalicioni i majtë i drejtuar nga Partia Socialiste, më 24 korrik 1997 me propozim të PS-së, Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi Meidani President të Republikës, detyre te cilen e ushtroi deri me date 24 korrik 2002 kur u zevendesua nga pasardhesi i tij Alfred Moisiu.

Në këtë ditë të shënuar, “Panorama”, që ka nderin të bashkëpunojë me të, i uron edhe 100 vjet të tjera, duke e falënderuar për kontributin e dhënë.

URIMI I METES

Të dashur miq!
Ishte kënaqësi t’i uroja sot 75-vjetorin e lindjes Prof. Rexhep Meidanit, ish-President i Republikës në vitet 1997-2002, një personalitet i jashtëzakonshëm, jo vetëm i shkencës, por edhe i jetës publike në vend, i cili ka ofruar gjithmonë kontribute pozitive me shumë përgjegjshmëri dhe modesti.
Në veçanti do theksoja sot kontributet e tij si President që vendi të kishte një Kushtetutë demokratike si ajo që votua në Referendum në vitin 98, që ndihmoi në demokratizimin e vendit për një dekadë, si dhe angazhimin e tij të veçantë si President gjatë krizës së Kosovës dhe më pas për afirmimin e saj.
Prof. Meidani për mua ka qenë gjithmonë një shembull i respektimit të institucioneve dhe parimeve demokratike, i mbrojtjes së interesit kombëtar dhe publik.
Ndaj edhe njëherë po ndaj edhe me ju urimet e mia më të mira për Prof. Meidanin dhe familjen e tij në këtë ditë të gëzueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura