Artur Mahmutaj, ish-zëvendësdrejtori i Hekurudhave në Durrës është dënuar me 6 vite burgim nga Gjykata e Genova-s në Itali, si pjesë e një grupi që trafikoi 75 kg kokainë. Bashkë me Mahmutajn është dënuar edhe shqiptari tjetër Nik Dauti me 12 vjet burgim.
Këtë të martë, Gjykata e Genova-s ka dënuar me më shumë se 50 vite burgim në total 5 persona, të akuzuar se kanë organizuar trafikun e sasisë së drogës që u kap në portin e qytetit italian në nëntor 2017.
Drogës ishte imbarkuar në “Caroline Star”, mjet transporti detar kontenierësh i së njëjtës kompani që është zbuluar se ka transportuar kokainë dhe në dy raste të tjera kohët e fundit. Përkatësisht në Livorno të Italisë disa javë më parë, rast në të cilin u sekuestruan 200 kilogramë që vinte nga Kili, si më shumë se 400 kg në Marsejelë të Francës, së fundmi, raportojnë mediat italiane.
Dënimet e dhëna nga gjyqtari Philip Pisaturo
– Massimo Rocca, ish-zyrtar i portit të Genova-s dhe ortak në shoqërinë që administron portin (12 vjet burg);
– Roberto Piano, ish-punonjës i terminalit Spinelli të portit (9 vite dhe 8 muaj burg);
– Nik Dauti (12 vite burg);
– Artur Mahmutaj (6 vite burg);
– Carmelo Rao (9 vjet dhe 4 muaj burg).
Droga, sipas hetuesve, ishte e destinuar për tregun në Francë dhe në Italinë veriore dhe është vlerësuar se do të gjeronte rreth 3 milionë euro. Sipas hetuesve, dy shqiptarët ishin në krye të bandës, Rao ishte një lloj “bashkëpunëtori”, ndërsa Rocca dhe Piano, kishin detyrën vendimtare që të garantonin kalimin e drogës nga porti i Genova-s. Droga vinte nga Amerika Latine.
Artur Mahmutaj, arrestimi në Shqipëri e më pas lirimi
Artur Mahmutaj u arrestuar në Janar 2016 nga Policia e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim, pas një aksioni që zbuloi një laborator modern droge në një magazinë, në vjeshtën e vitit 2015. Ai është mbajtur në paraburgim për 3 muaj.
Por, 38-vjeçari është liruar sipas një vendimi të Gjykatës së Durrësit, pasi siç vlerësonte gjykata, ai nuk ishte person me rrezikshmëri. Në vendim thuhet se, vërtet vendi ku u gjet droga ishte në pronësi të Mahmutajt, por pas hetimeve është vlerësuar se ambientet nuk posedoheshin prej tij, por i ishin dhënë me qira shtetasit tjetër.
Për ta provuar këtë pretendim, vet i pandehuri ka paraqitur një kontratë qiraje që i përket dy viteve më parë, e siç ka rgumentuar gjykata, ky fakt është pranuar edhe nga i dyshuari tjetër A.Gj..
Me sa duket nga vendimi, me këtë pretendim të Mahmutajt ka qenë dakord edhe Prokuroria e Durrësit. Por ajo çfarë nuk kanë marrë parasysh Prokuroria dhe gjykata ka lidhje me dëshminë e shtetasit K.D., i kapur në vendngjarje nga policia.
Ai ka rrëfyer se ishte punësuar nga Mahmutaj për të ushqyer 3 qen, e se një muaj para aksionit të policisë, dëshmitari kishte parë Mahmutajn bashkë me dy persona të tjerë që e kanë ndarë magazinën në dy pjesë dhe më pas kanë vendosur një sobë.
Dëshmitari ka pohuar se e ka pyetur Arturin se “përse duheshin këto materiale” dhe ai i është përgjigjur “për të mbajtur ngrohtë ambientin”. Në fakt, siç rezultoi nga hetimi, ngrohja e magazinës ishte në funksion të rritjes së kanabisit.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al