Alfred Papuçiu
Më 1 janar 2020, presidenti i Francës, Makron i dha shkrimtarit tonë, Ismail Kadaré, titullin më të lartë shtetëror “Oficer i Madh i Legjionit te Nderit”. Ky titull është krijuar në 19 maj 1802 nga Napolon Bonaparti. Ky titull u jepet figurave më të shquara të Francës por dhe të botës. Eshtë një nder i madh që i bëhet një biri të Kombit shqiptar. Ky titull vjen pas çmimit botëror Cino del Duca, çmimit Man Booker ndërkombëtar, çmimit të letërsisë të Princit të Asturias, çmimit Jeruzalem, çmimit ‘Nonino 2018’ që i është dhënë nga një juri, e autorizuar nga ‘Nobel’, çmimit Bokacio , çmimit Lerici Pea, po në Itali. Presidenti francez i ka dhënë më parë titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, duke e cilësuar si “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”. Kadaré u nderua me çmimin Pak Kyongni për vitin 2019, më datë 26 tetor në Korenë e Jugut. Ai ka marrë edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”. Kadaré është anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Blanco Calderón, pas një ankete që u bë kohët e fundit në Spanjë shkruan se: “Nga kjo anketë, më habiti dhe më gëzoi konsensusi i gjerë se një nga autorët të cilit i duhet dhënë pa asnjë dyshim Nobeli është shqiptari Ismaíl Kadaré”. Ai ka marrë edhe titullin « Doctor Honoris Causa » nga Universiteti i Palermos, si dhe nga universitete të tjera me prestigj në botë. Ai ka marrë titullin “Nderi i Kombit” në Shqipëri. Gazeta franceze “Le Monde” e cilëson veprën e tij në 100 më të mirat në botë. Shkrimtar i përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës. Ismail Kadare « i ka kapërcyer kufijtë për t’u bërë një zë universal kundër totalitarizmit ». “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H”, “Pallati i ëndrrave”, “Darka e gabuar”, “Ura me tre harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Përbindëshi, “Piramida”, “Tre këngë të kobshme për Kosovën”, “Clirimi i Serbisë prej Kosovës”, 1973, 1980, 1981; të gjitha librat e tij janë në dispozicion nga Fayard, i cili botoi veprat e tij të plota në dymbëdhjetë vëllime, midis 1993 dhe 2004). Ai vazhdon të shkruajë, duke mos u kufizuar vetëm tek gjinia e romanit. Ai krijon novela, ese, poema të reja, por gjithashtu edhe pjesë teatrale, pa harruar edhe publiçistikën. Nuk mungojnë edhe skenaret e filmave si: “Te paftuarit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Ballë për ballë”, “Radiostacioni”, “Kur vjen nëntori”. Ismail Kadaré ka marrë shumë çmime dhe dekorata për talentin e tij të papërshkruar. Ai është autori më i lexuar shqiptar në botë. Kadare ka 378 botime në shqip dhe 923 në 45 gjuhë të huaja. Ai është zëri i Shqipërisë moderne dhe këngëtar i identitetit të lashtë. Stili i tij frymëzohet nga klasikët e mëdhenj të letërsisë botërore: Homeri, Eskili, Dante Aligieri, Shekspiri, Servantes, Gogoli. Ai njihet ndërkombëtarisht, më tepër se presidentët e botës. Ai nuk i përket vetëm Shqipërisë por njerëzimit. Ai është cilësuar nga shkrimtarë të sërës së tij të njohur në botë si : “krijues i një universi të rrallë letrar”, “illuminist dhe humanist, njeri i lirë dhe një demokrat i flaktë”, “transmetues i mendimit, ideologjisë, dëshirës për liri”.Ai është një nga gjenitë e artit që ka bota. Ismail Kadaré mbush jetën tonë me një kënaqësi estetike dhe intelektuale të paparë, me një lumë emocionesh, me njohjen reale të dekadave dhe shekujve të kaluar, me ideale që na stimulojnë ta shohim me guxim të ardhmen, me respekt dhe dashuri për gjeniun krijues. Ismaïl Kadaré akoma nuk figuron në kartëmonedhat e monedhës shqiptare , por ai mishëron kulturën e vendit të tij të vogël. Në Shqipëri, ai studjohet në shkollë dhe është i njohur për të gjithë, që nga shoferi i taksisë deri tek kamarieri i restorantit. Pjesën tjetër të kohës, ai jeton në Paris, ku u vendos në vitin 1990, kur mori azilin politik në Francë. Në moshën 83 vjeç, shkrimtari festohet sa herë që kthehet në kryeqytet, Tiranë. Në maj 2019, ai përuroi “ Muzeun- studio Kadare” . Ky është apartamenti, i dekoruar në stilin tipik të viteve 1960, ku ai jetoi dhe shkruante gjatë orëve më të këqija të regjimit komunist (1944-1991.
Në këto çaste, m’u kujtua takimi i ngrohtë me shkrimtarin Ismail Kadaré, nga fundi i vitit 1994, në Universitetin e Gjenevës, kur më dha me autograf një nga librat e tij që e mbaj me kujdes, me veprat e tjera të tij. Më kujtohen gjithashtu takimet me të, tek Panairi i Librit në Palekspo të Gjenevës dhe më vonë në shtëpinë e tij dhe jam tepër i gëzuar kur shoh se në libraritë më të mëdha në Zvicër, si edhe në bibliotekat e shumta jo vetëm në Gjenevë, por edhe në qytete të tjerë, si në bibliotekat e organizatave ndërkombëtare, ku kam punuar, emri i Ismail Kadaresë zë një vend të veçantë. Në Bibliotekën madhështore të Pallatit të Kombeve në Gjenevë, ku kam patur fatin të punoj, kërkoheshin dhe lexoheshin me kënaqësi veprat e shkrimtarit Ismail Kadaré. Dhe unë isha krenar që vija nga « vendi i Kadaresë ». Jam i mendimit se figura e Ismail Kadaresë, këtij shkrimtari të shquar të kombit tonë, por edhe të botës moderne, të shekullit të njëzetë, e tani në shekullin e njëzetë e një, nuk duhet të përlyhet, as nuk duhet të denigrohet, pasi nëpërmjet tij dhe veprave të tij, shumë qytetarë të botës, kanë mundur të njohin edhe Shqipërinë e vogël, me njerëz të mirë, mikpritës, me karakter, luftëtarë trima, por edhe që e kanë dashur dhe e duan paqen dhe fqinjësinë e mirë. Kadareja nuk i përket vetem kombit tonë, por edhe kombeve të tjerë, ku ai ka fituar zemrat e miliona njerëzve me shkrimet e tij për Shqiperinë dhe shqiptarët, për Ballkanin, Europën, në veçanti dhe Kosovën dhe më tej. Nuk dua të përmend edhe tituj të tjerë dhe lavdërime që ka marrë Kadareja në Francë apo gjetiu, apo sa kryetarë shteti njohin më mirë Ismail Kadarene dhe veprën e tij se sa një president republike të çdo vendi qoftë. Duam a nuk duam ne, ai nuk ka nevojë per ne, ne kemi nevojë për të, për gjithçka ai do të shkruajë edhe tani edhe në të ardhmen për kombin e tij të lashtë.
Shkrimtarë të shquar zviceranë si Marie-Luce Dayer, gazetari i televizionit zviceran Pierre Barde, Antoine Bordier, Liliane Perrin, Francine Koch etj etj, e kane njohur fillimisht Shqipërinë nëpërmjet veprave të Kadaresë. Di që zvicerani Marcel Cellier, një nga njohësit më të mirë në botë per muzikën popullore të kombeve të ndryshëm dhe i njohur në Francë, Zvicër, Amerikë e kudo për disqet me muzikë popullore shqiptare, bullgare etj., në emisionet e tij të përkryera për Festivalin e Gjirokastrës, dhënë tek “Radio Suisse Romandë”, përmend disa herë me respekt birin e shquar të atij qyteti: Ismail Kadarenë. Di që profesori zviceran Jean-Philippe Assal, mik i shqiptarëve, i apasionuar pas profesionit të tij fisnik, por edhe letërsisë ka pranë tavolinës së tij të punës apo në bibliotekën e tij të pasur edhe veprat e Kadaresë, të cilat i citon në seminaret e Grimenzit, ku vijnë mjekë nga gjithë bota.
Di që emri dhe vepra e Ismail Kadaresë zënë një vend të nderuar në letërsinë europiane dhe atë botërore të shekullit të XX-të, paçka qe ai nuk ka marrë cmimin Nobël në letersi që e ka merituar në fakt nga lexuesit e shumtë në botë. Di që nga udhëtimet që kam pasur fat të bëj në botë, si rezultat i punës me organizatat ndërkombëtare., nuk kam gjetur asnjë libër te Kadaresë në kioskat e shumta të librave tashmë të lexuar e stërlexuar, pasi ato ruhen në bibliotekat e njerëzve të thjeshtë, të atyre të kulturës, të artit dhe të shkencës. ..
Kemi fat që një “Doctor honoris causa” është shqiptar, kemi fat që vepra e tij ndodhet kudo: në Kongresin amerikan, në Bibliotekën më të vjetër të botës, themeluar në shekullin e XII-të në Oksford të Anglisë, në Universitetin Jale (SHBA), tek “Payot”, “FNAC”. Një akademik francez ka thënë për Ismailin tonë: “Toujours vous porterez l’Albanie et toujours l’Albanie vous portera” (Ju do të mbani gjithmonë Shqipërinë dhe Shqipëria do t’u mbajë). Shqiptarët, siç është shprehur vetë shkrimtari ynë, “e humbën Europën” dy herë, në radhë të parë në shekullin e XV-të, si popujt e tjerë nga zgjedha otomane; radhën e dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur ranë nën thundrën komuniste; herën e tretë, megjithëse jetojnë akoma nën “ankthin” se mos e shohin akoma veten jashtë Europës, Ismail Kadare, ithtar europian i shqiptarëve dhe ata që e pasojnë, do ta vënë në jetë aspiratën e bashkëkombasve të tyre, me veprat e tyre, për ta parë edhe Kombin tonë në Brukselin e të 27-tëve. Japonezët, Norvegjezët, Baskët, Italianët, Britanikët, Grekët, Amerikanët, Portugezët, Zviceranët dhe natyrisht Francezët kanë qënë lexuesit e parë të Ismailit tonë dhe janë besnikë ndaj tij, do apo s’do ndonjë Akademik shqiptarofolës, apo ata që për dy kacidhe hedhin anatema ndaj tij. Lexuesit e shumtë të veprës së Ismailit në botë janë mësuar të deshifrojnë qysh në kohën e diktaturës së E.H., mesazhet që përmbanin veprat madhore të Ismail Kadaresë. Francezi i shquar Moris Dryon (Maurice Druon) ka deklaruar për Ismailin fisnik: “dëshmitar i Shqipërisë për Shqipërinë, ju u kthyet në universal” (botëror). Përsëris: jam i mendimit se figura e Ismail Kadaresë, këtij shkrimtari të shquar të kombit tonë, por edhe të botës moderne, të shekullit të njëzetë, nuk duhet të përlyhet, as nuk duhet të denigrohet, pasi nëpërmjet tij dhe veprave të tij, shumë qytetarë të botës, zviceranë, amerikanë, francezë, anglezë, afrikanë, të Amerikës Latine, australianë, kanë mundur të njohin edhe Shqipërinë e vogël, me njerëz të mirë, mikpritës, me karakter, luftëtarë trima, por edhe që e kanë dashur dhe e duan paqen dhe fqinjësinë e mirë.
Ismail Kadareja ka bërë shumë edhe për Kosovën. Mjafton të përmendim letrën që i ka dërguar para disa vitesh ish Presidentit Francez lidhur me masakrat e serbomëdhenjve. Ai shkroi aq bukur parathënien e librit të Ibrahim Rugovës “Ceshtja e Kosovës” që u botua nga shtëpia botuese me prestigj “Fayard”. Midis të tjerëve mund të përmendim lexuesit e veprës së Kadaresë, etnologët e huaj, veçanërisht francezë, të cilët janë magjepsur nga romanet e tij, në të cilat ata kanë gjetur tema që për ta janë të shtrenjta: nderi dhe fjala e dhënë, mikriptja, martesa, por gjithashtu identiteti kombëtar, transmetimi gojor, epopeja. Vepra e tij shpesh duket, për këtë arsye, si një dritare mbi një shoqëri dhe një kulture që më parë ishin të mbyllura për etnologët e huaj, deri në 1990 dhe që për shkak të “hermetizmit” të shoqërisë shqiptare deri atëhere, ishin të panjohura në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Ismail Kadare është cilësuar me të drejtë nga studjuesit e letërsisë botërore si “antikonformist”, “rezistues i heshtur”, “një kundërshtar i heshtur i regjimit”, deri sa u kthye në një aktivist i palodhur kundër tiranisë. Ai është një shkrimtar gjeni, vepra e të cilit u kthye në një simbol shprese. Le të kujtojmë, të dashur lexues, se gjatë lëvizjes së studentëve dhe manifestimeve të mëdha antikomuniste të viteve 1990-91, demostruesit mbanin në duar pankarta, me portretet e patriotit të shquar shqiptar Fan S. Noli dhe të Ismail Kadaresë, si dhe të dy personalitete që simbolizonin Europën, humanizmin dhe një kulturë të vërtetë kombëtare. Ai u kthye në një idhull për një numër krijuesish të rinj që guxonin të shprehnin disa mendime antikonformiste në veprat e tyre. Ismail Kadaresë ju desh të përballojë me dinjitet thëniet kërcënuese: “Dëgjo Ismail! Partia dhe populli të ngritën në Olimp. Në rast se ti nuk qëndron besnik idealeve tona, ata do të të hedhin në humnerë”. Kërcënim i hapur në praninë e gruas së Diktatorit. Por Ismail Kadare nuk ishte më një shkrimtar modest i viteve 60-të dhe veprat e tij tanimë ishin botuar jo vetëm në Francë, por edhe në vende të tjera. Inteligjenca dhe pena e tij e mprehtë ishin mbi diktaturën, o ju kritizerë qaramanë që shpini pa dashur ujë tek mulliri i serbomëdhenjve dhe atyre që duan të na denigrojnë me “mashat” tona mjerane!
Për respekt të atyre që e vlerësojnë letërsinë shqipe dhe Ismail Kadarenë, po ju jap lexuesve vetëm disa pasazhe të vlerësimeve që ju bënë atij, më 28 tetor 1996, kur ai u pranua si anëtar bashkëpunëtor i huaj i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Presidenti i asaj Akademie Zoti Alain Plantey, ndër të tjera përmendi tiparet kryesore të personalitetit të Ismail Kadaresë dhe të veprës së tij, cilësitë e të cilave vlerësohen kudo. “Në rast se ju jeni në mënyrë të pakundërshtueshme një shkrimtar, tha ai, veprat tuaja kanë, në gjithë botën, një kuptim të fuqishëm…
Duke ju zgjedhur juve, ne caktojmë natyrisht një Europian të një soji të veçantë, një Ballkanik, që për më tepër është shqiptar, përfaqësues i shquar i një prej Kombeve dhe prej kulturave më autentike ballkanike. Në rast se sot, si për shumë në Europën Qëndrore dhe Ballkanike, Shqipëria sheh drejt Perëndimit liberal, ky Perëndim, nga i cili në të vërtetë komunizmi kishte frikë, kjo është pikërisht në sajë tuajën. Ju keni treguar fuqinë etike dhe politike të mesazhit letrar, kur ai mbështetet në kurajon dhe talentin. Vendi juaj është ashtu si duket midis nesh.
Pastaj, ai ja dha fjalën anëtarit tëi Akademisë, Zotit Henri Amouroux, i cili ndër të tjera theksoi:
“Cilin po pranojmë ne sot: romancierin Ismail Kadare, njërin nga më të mëdhejtë të kohës sonë…Por në 1989, Ismail Kadare ka qënë zgjedhur anëtar korespondent i seksionit të histories dhe gjeografisë të Akademisë sonë. Një romancier në seksionin tone të histories dhe gjeografisë? Më kujtohet atëhere, Ismail, se u thashë kolegëve të mij, i bindur menjëherë se e gjithë vepra juaj ishte e pandarë nga gjeografia e një vendi që Ptolemeu, i pari, e quajti Albanoï, emër që mendohet se ai i referohej në këtë mënyrë maleve, këtyre maleve, që zënë dy të tretat e territorit, që ishin strehë jo vetëm e të gjitha rezistencave ndaj të gjithë pushtuesve, por gjithashtu e muzikës, valleve, kostumeve, dhe ajo që është kryesorja e gjuhës shqipe”.
Të heq Kapelen miku im i mirë, modest, fisnik, por penë artë, Ismail dhe ty Helenë që ke qëndruar gjithmonë pranë tij në Shqipëri, Francë e gjetiu, ku ju kanë shpënë rrugët e jetës. Së bashku me nderimin e madh që i bëri presidenti i Francës së fundi, ne do bëjmë çmos dhe do ndikojmë që Njeriu ynë i Madh, Ismail Kadare të marrë faktikisht çmimin “Nobël” që e ka merituar prej kohësh. Më 28 janar 2020, ne do të festojmë me madhështi ditëlindjen e shkrimtarit tonë mbarëkombëtar.
Gjenevë, më 1 janar 2020