“It’s all about freedom man”!

Jul 29, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

edvin kulluriEDVIN KULLURI

“It’s all about money idiot” është një nga shprehjet më të famshme në një debat mes dikujt që besonte tek fitimi në një marrëveshje biznesi dhe dikujt tjetër që shihte qëllime të tjera. Natyrisht që i pari kishte të drejtë për sa kohë të dy personazhet e fabulës ishin ulur për të fituar para dhe jo për të humbur para dhe kohë njëkohësisht! Kjo fabul ka një analogji me atë që po ndodh aktualisht me situatën politike në vend e sidomos me opozitën. Që prej vitit 2008 aktorët politikë kryesorë shqiptarë e kanë futur vendin në një spirale të ngushtimit të hapësirës të lirisë politike, ekonomike e sociale. Ndryshimet kushtetuese që e kanë shndërruar Kryeministrin në një qeveritar omni potent (të gjithëfuqishëm) të kombinuara me një Kod Zgjedhor me Lista të Mbyllura dhe korrupsion që vetëm shton paranoja kanë ngushtuar hapësirën publike tek pushteti i 3-4 personave që rrethohen nga dhjetëra shërbëtorë politikë e po aq biznesmenë që janë tashmë vartës apo lavatriçe të parave të 3-4 drejtuesve politikë të mësipërm. Ky mekanizëm u shpërfaq në mandatin e dytë 2009-2013 të qeverisjes së PD dhe tashmë është perfeksionuar në të keq në vitet 2013-2024 falë Rilindjes që vdiq që me hashashizimin.

Këta njerëz përmes kontrollit thuajse të plotë mbi dy partitë kryesore PD dhe PS, Parlamentin, institucionet dhe aq sa munden mbi gjyqësorin (për fat ndërkombëtarët kanë bërë çmos që të mos ndodhë) nuk lejojnë konkurrencë të ndershme as në politikë, as në treg e as në prokurime dhe shpërndarjen e aseteve kombëtare. Më keq akoma i janë turrur dhe pronave private të trashëguara apo përfituara pas 1990 herë duke u futur ortakë korruptivë apo më keq akoma si në këto 11 vite, duke ju a marrë pronarëve apo publikut për t’ia dhënë një grushti njerëzish me demek si “investitorë strategjikë”. Përpos mjeteve politike që disponojnë apo parave dhe dhunës (i) legjitime të institucioneve, ndikojnë apo më keq zotërojnë dhe ndikojnë media. E më tej akoma mbështeten në grupe të caktuara kriminale. Mjafton të shohësh se si pastrohen miliarda euro në vit nga ndërtimet apo hoteleria, për të kuptuar se Shqipëria nuk është më vendi i njerëzve të lirë për aq sa mundet, por një çiflig i një grushti njerëzish që tolerojnë edhe ndonjë të drejtë ende, sidomos kur nuk e kanë mendjen.

Të lidhur me njëmijë fije influencash të ligjshme dhe kryesisht të paligjshme, mbi dhe nën rrogoz, shfaqen si konkurrentë e antagonistë në sytë e publikut, por në fakt janë ortakë. Së pari, sepse sillen njëlloj dhe së dyti, sepse hapur sabotojnë lirinë politike dhe ekonomike të shoqërisë përmes marrëveshjeve të shëmtuara dhe shkëmbimit të vasalitetit përmes koncesioneve ekonomike. Pra, jetojmë në një sistem ku në vend të poliarkisë (me disa qendra pushteti) praktikisht dominon një oligarki, (qeverisje e pak njerëzve), gjysma e të cilëve janë me demek opozita. Por megjithëse përgjithësisht janë treguar të kujdesshëm në sytë e publikut, vitin e fundit sidomos prej frikës nga ndëshkimi i ligjit, pra kryesisht SPAK-ut janë shpërfaqur banalisht si bashkëpunëtorë të hapur. Miratimi i Kodit Zgjedhor duke mos garantuar asnjë kusht që gjoja Berisha kishte parashtruar si Koalicionet Para-Zgjedhore dhe Rekomandimet e OSBE-ODHIR-it dhe dakordësia për ta mbajtur opozitarizmin të kyçur në listat e mbyllura, ishin akti i parë i hapur dhe i paturp i bashkëpunimit antidemokratik. Po, antidemokratik.

Ky sistem i mbyllur për shoqërinë dhe sidomos për shoqërinë-shumicë antioligarkike që nga fermeri më i thjeshtë e deri tek biznesi që nuk pranon vasalitetin ndaj Ramës e Berishës, e deri tek shumë profesionistë të lirë e aspirantë politikë që nuk e duan Shqipërinë e një grushti njerëzish, duhet shembur. Jo sepse duhet veçse në parim dhe me të drejtë, por sepse të gjitha sondazhet tregojnë se mbi 60% e qytetarëve të pyetur janë të pakënaqur me këtë gjendje mbytëse. E mbi 70% mbështesin SPAK-un si “Shpatë Demokleu” mbi kokat e oligarkisë shfarosëse për lirinë. Lirinë për t’u vetëqeverisur në nivel lokal, për lirinë e sipërmarrjes, lirinë e gëzimit të pronës së trashëguar apo të fituar përmes shit-blerjes, lirinë akademike, lirinë e fjalës dhe opinionit. Lirinë për të jetuar me dinjitet në vendin e vet për të cilën tash e 112 vjet mendojnë se u përket dhe s’mund t’ua marrë kush pa i pyetur, qofshin të huaj apo shqiptarë. Fashistë apo komunistë, oligarkë apo monarkë të vetë-emëruar, apo më keq. Akoma gangstera. Çështja e lirisë së ngushtuar në zgrip, është një çështje e të djathtëve dhe të majtëve që meritojnë të jetojnë të lirë në vendin e tyre. Kaq!

Ndaj në zgjedhjet e 2025 gara nuk do jetë mes ortakëve Rama-Berisha dhe ndonjë bishti me apo pa parti e vule. Gara do jetë mes atyre që u shërbejnë si idiotë të dobishëm oligarkisë dhe të tjerëve që e duan Shqipërinë për veten e familjen apo punën e tyre. Përballë koalicionit PD, PS, PL, e Euro-Aziatikë me fustan Atlantike “Shqipëria prona jonë”, duhet të rreshtohet koalicioni “Shqipëria është e qytetarëve”. “It’s all about freedom man”! Dhe nuk janë të paktë njerëzit që janë angazhuar publikisht ndaj kastës arrogante. Janë me dhjetëra politikanë, aktivistë, deputetë, parti apo njerëz të njohur të medias, biznesit e shoqërisë civile që kanë gjithë mundësinë të bashkohen në një front të vetëm elektoral. E siç këshillonte realisti Machiavelli tek “Princi”, “nëse duhet të zgjedhësh mes elitave dhe popullit, duhet të zgjedhësh popullin” sepse është më i shumtë dhe më i fortë se një grusht njerëzish! Kjo këshillë vlen për ata që ende janë në dilemë nëse në politikë apo kudo tjetër, gjerat nuk fitohen, por falen. Jo, askush nuk të fal asgjë, sidomos ata që duan të t’i marrin të gjitha!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura