Gazeta Panorama.al publikon në numrin e sotëm disa episode të panjohura të jetës së Enver Hoxhës si student në Francë. Panorama.al ka përkthyer librin e rrallë për Enver Hoxhën I realizuar nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber. Një rrëfim për diktatorin shqiptar nga lindja në vdekje, i shkruar duke përballur faktet e dëshmitë, por edhe ironinë. “Enver Hoxha – sulltani i kuq” është biografia e ish-udhëheqësit komunist që u botua në vitin 1994 nga Schreiber, gazetar, publicist, diplomat dhe specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, në veçanti për Shqipërinë.
VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)
Në këtë mori faktesh, gazeta “Panorama” botoi një pjesë të tyre nga libri, ku flitej kryesisht për atë që cilësohet si pjesa më e errët sa i përket jetës së Enver Hoxhës në Francë; tri vitet e studimit në Monpelje (Montpellier). Gjatë kësaj kohe, sipas autorit Thomas Schreiber, rezultoi se të riut Hoxha i pëlqenin djemtë muskulozë dhe biondë, argëtohej netëve të vona me ta, duke aluduar për prirje homoseksuale. Por paralelisht biografi zbardh për herë të parë edhe lidhjen sentimentale të studentit shqiptar me një vajzë franceze me emrin Luiza. Sipas të dhënave që disponon Schreiber, është pikërisht kjo femër e cila më pas do të lidhte Enver Hoxhën me komunistët francezë. I gjithë libri përmban 6 kapituj, i ndarë sipas viteve: 1908-1936, 1936-1944, 1944-1948, 1948-1961, 19611978, 1978-1985. Rrëfimi vjen i thjeshtë duke përdorur kohën e tashme, ndërsa në shumë episode autori lë pa shpjeguar “moralin e fabulës”, duke ia lënë interpretimin në dorë vetë lexuesit, sipas dëshirës.
Vepra është e shkruar në frëngjisht dhe nuk është përkthyer ndonjëherë në gjuhën shqipe. Që nga koha e publikimit në një numër të kufizuar kopjesh, biografia nuk u ribotua më as në frëngjisht, duke u zhdukur edhe nga libraritë. Në ato pak deklarime që pati dhënë Thomas Schreiber pas publikimit, theksoi se libri asokohe nuk ngjalli interes në Shqipëri, pasi ishin vitet kur veprat e diktatorit dhe për diktatorin, gjithçka rreth tij grisej ose digjej. Kjo kopje e biografisë është gjetur në një bibliotekë në Francë, ku në vijim kemi përzgjedhur për përkthim faktet e reja nga jeta e Enver Hoxhës në vitet 1930-1933. Humbja e bursës së studimit, dështimi me diplomën, mbijetesën me para borxh dhe transferimin nga Monpelje në Francë, ku nis punë si “kopjues adresash”…
(Pjesë nga libri biografik Enver Hoxha – Sulltani i kuq, i autorit Thomas Schreiber)
***
Me brunen Luizë, Enveri i shtoi shëtitjet sentimentale. Në mënyrë indirekte ajo ishte shtysë për fillesën e Hoxhës dhe hyrjen e tij në politikë. Në fakt, miku më i mirë i fëmijërisë së Luizës është një i ri militant i degës së Partisë Komuniste franceze. Edhe ajo vetë është e tërhequr nga idetë revolucionare. I inkurajuar nga Luiza, apo i verbër nga dashuria? Enveri blen rregullisht broshura, të cilat i komenton në takimet me të dashurën e tij. Por leximet nuk mjaftojnë, pasi Enveri nuk arrin të kuptojë këtë apo atë pasazh. Një ditë, përgjegjësi i librarisë komuniste i jep adresën e një kafeneje të humbur në rrethinat e Monpeliesë. “Shko atje dhe kërko të takohesh me shokun Marcel. Lutju të të shpjegojë tekstet. Është një propagandues i partisë”, i tha ai. Enveri u takua me Marcelin, pak më i madh se ai në moshë. Dy burrat patën simpati për njëri-tjetrin dhe bëhen miq. Dëgjohet gjithnjë e më pak të flitet për Luizën. E kotë të pyesësh përse…
***
Disa javë më pas, Marceli i kërkon Enverit të lexojë librin e George Politzer, filozofit të famshëm marksist francez me origjinë hungareze. Enveri do të ishte nga lexuesit e parë. I tërhequr nga mësimet e librit, Enveri i detyrohet shumë këtij njeriu, i cili e bëri të kuptonte rëndësinë e luftës kundër çdo lloj shfrytëzimi. Politzeri do të ushtrojë një influencë te madhe te Hoxha. Por ngjarjet do të precipitojnë. Pas takimit të tij me Marcelin, interesi i tij për shkencat humane do të rritet. Asgjë tjetër nuk i intereson pa menduar për pasojat, pa men duar se autoritetet shqiptare mund ta toleronin më gjatë për neglizhencën ndaj shkollës. Në fillim të vitit të tretë të kaluar në Monpelie, Enveri dhe miqtë e tij u informuan për vizitën e inspektorit të Ministrisë së Arsimit.
Me mbërritjen e tij, M.Kromiqi mëson për rezultatet e bursistëve. Mund të imagjinohet habia e tij, kur mëson se studenti i quajtur Enver Hoxha është i panjohur në orët e shkencave të natyrës; që është një ndjekës i lirë i orëve të mësimit dhe, si rrjedhojë, pa ndonjë detyrim për dhënie provimesh në një tjetër fakultet tjetër; në fund, ai e kalon kohën me miqtë e tij të Partisë Komuniste. Duke zhgënjyer studentët e zhytur në borxhe, inspektori nuk kishte sjellë me vete çekun e pritur prej tre muajsh. Në vend që t’i paguante, inspektori i kishte mbledhur të rinjtë në kafe “Riche” dhe u fliste për Mbretin Zog.
“Ju duhet t’i jeni besnik dhe të luftoni komunizmin, në të kundërt rrezikoni që t’ju hiqet bursa, madje mund të burgoseni”. Këto diskutime janë thënë nga Hoxha për 45 vjet me radhë. Ai e humbi bursën si viktimë e një pushteti reaksionar, duke e përshkruar inspektorin si një njeri primitiv, të keq, një emisar politik, që kishte ardhur në Monpelie që të trembte studentët e “pabindur”. Në fakt, pak pas vizitës, bursa e Enverit u hoq dhe mungesa e tij në pjesën më të madhe të provimeve e justifikonte vendimin e Ministrisë shqiptare, që mban datën 6 nëntor 1933. Enveri priste lajme të reja. Prej disa javësh, ai bënte ekonomi duke kursyer në ushqim, duke shkuar më pak në kinema dhe duke blerë më pak gazeta e broshura. I privuar nga bursa, Enveri do të donte të rrinte në Monpelie që i kujtonte Gjirokastrën, të vazhdonte studimet, sigurisht në degën e Historisë. Por pasuria e Enverit arrinte deri në 1500 franga ose një muaj rrogë. Origjina e parave?
Kishte pak gjasa që familja në Gjirokastër t’i dërgonte të holla. As nuk bëhej fjalë për ndonjë lek nga Partia Komuniste, Enveri nuk ishte agjent i KOMINTERN-it. Ndoshta punë e vogël, vizitat në kazinotë e Palavas mund t’i sillnin ndonjë qindarkë. Një gjë është e sigurt. As nuk bëhej fjalë që ai të kthehej në Tiranë pa diplomë dhe i papunë. Ai vendos të niset në Paris ku jetojnë shumë shqiptarë, të studiojë në Sorbonë dhe t’ia dalë mbanë. Enveri e lë Monpelienë me zemër të mbushur, ku nuk do t’i shkelë këmba kurrë. Në shkrimet e tij për stacionin ku vuri këmbën për herë të parë e të fundit. Enveri e njihte që më parë Parisin. Në vitin 1931, esë të disa shokëve të liceut që vazhdonin studimet në Sorbonë, ai kaloi disa ditë në kryeqytet. Ai qëndroi te Abaz Omari, djali i kushërirës së tij, ku vizitoi ekspozita dhe sitet kryesore turistike.
***
Tre vjet më pas, Enveri nuk erdhi në cilësinë e të ftuarit. Mbërriti një mëngjes në “Gare de Lyon” dhe më pas mori metronë. Destinacioni: bulevardi “Saint Michel”. Ish-bursieri shpresonte që të gjente Qemal Karagjozin, një ish nxënës i Korçës. Qemali, babai dhe xhaxhai i të cilit ishin mjaft të pasur, njihej nga studenti i Monpeliesë nga një korrespondencë e gjatë me të. Më pas, ai mbërrin pranë hotelit” Monsieur le Prince”. Pronarja e tij, një grua e shëndoshë me fytyrë të fryrë, i tregon numrin e dhomës së Qemalit. Në katin e katërt pranë shkallëve ndodhet dhoma e vogël e mikut të tij. Përqafime. Qemali është po aq i kënaqur që pa Enverin, pasi prej kohësh priste lekët që i dërgonin prindërit, ndërsa po vdiste nga dëshira për të blerë cigare dhe të hante një vakt të mirë. Në shkëmbim të kësaj, Qemali pranoi të ndante me Enverin dhomën katër metra katrorë, sigurisht pa dijeninë e pronares.
Dy miqtë nisën të organizoheshin. Hanin bukë te një lokal pranë Sorbonës, që e kishte hapur një shqiptar me origjinë nga Përmeti. Një ditë, Enveri priti doktor Remzi Ficon, një kushëri i largët i të ëmës, një personazh shumë i njohur dhe i respektuar. Pasi kishte siguruar fjetjen dhe ngrënien, Enveri nisi të kërkonte punë. Për shumë javë ai bredh në rrugët e Parisit, në kopshtet e Luksenburgut, vende këto që do t’i vizitonte 12 vjet më vonë, por kësaj here si kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Por në atë kohë ai ishte thjesht një student i varfër dhe lekët po shkonin drejt fundit. Çdo ditë ai gërmon nëpër njoftimet e vogla, prezantohej në adresën e treguar ku mësonte se vendi ishte zënë. I zhgënjyer ai shkonte në një kafene ku lexonte shtypin, derisa kamerierët i kërkonin të largohej ose të merrte një pije tjetër. Ndodhte që Qemali dhe doktor Remziu i jepnin ndonë të hollë, i paguanin lekët e kinemasë, por nuk mjaftonin për të jetuar.
Në fund, thuajse gati për të braktisur gjithçka dhe të kthehej në Shqipëri, Hoxha gjen rastësisht një njoftim në gazetë ku kërkohej “një kopjues adresash”. Edhe pse jo ndonjë punë e hairit, vendos të provojë fatin e tij. Personi që e pret, një tregtar vere, i jep një fletë për të parë shkrimin e tij. Marrëveshja u mbyll: ai do të merrte 30 franga për një pjesë adresash. Në mbrëmje ai u thotë shokëve se kishte gjetur një punë, sigurisht i keqpaguar, por do ta ndihmonte të mos vdiste urie. Edhe sipas kujtimeve të tij dhe dëshmive të tjera mësohet se doktor Remziu i kishte thënë se “kjo nuk është një punë që të përshtatet. Bëje për momentin, por të këshilloj të shkosh në legatën shqiptare, Nocka do të të presë sigurisht. E njoh, kërkoja, ndoshta të rijep bursën”. Enveri paraqitet në legatën mbretërore shqiptare. Takohet me sekretarin e parë Nocka, një mesoburrë që e pret mirë, madje duke i ofruar edhe një cigare. Enveri tregon për shkollën e ndjekur në Monpelie, ose më shumë tregon versionin e tij, duke u sjellë si i surprizuar pasi i kishin hequr bursën.
Ai ankohet se tani është i detyruar të bënte mijëra punë të vogla në vend që të ndiqte studimet. Diplomati e dëgjon me vëmendje. I vënë në dijeni për lidhjen farefisnore të Enverit me doktor Ficon, ai i premton ndihmë. Disa javë më pas, gjatë të cilave Enveri nuk rreshti së shkruari adresa në zarfe, doktor Fico e informon për një lajm të keq: Autoritetet e Tiranës i ishin përgjigjur negativisht kërkesës për rastin e prezantuar me gjithë mbështetjen e legatës së Parisit. Disa mund të mendonin se Enveri ishte “djegur” si një komunist të cilit nuk duhet t’i zihet besë. Gabim! Nocka u shpreh se ishte mërzitur dhe i propozon aty për aty Hoxhës të bëhej sekretar i konsullit të ardhshëm shqiptar, që mendohej të ishte në Bruksel.
Konsullata do të drejtohej nga një farë George Marothi, shtetas francez me origjinë hungareze, biznesmen. Marothi dëshiron t’i shtrijë marrëdhëniet në rrethet diplomatike dhe bankare në Belgjikë e Holandë, vende ku Shqipëria nuk ishte e pranishme. Konsulli i ardhshëm është i gatshëm të paguajë qiranë e konsullatës, po kështu edhe mbajtjen e një sekretari. Legata e Parisit do t’i ofronte pullat dhe vulat konsullore për të siguruar funksionimin e këtij shërbimi. Por nuk mbaron me kaq. Para hapjes, konsulli i ardhshëm dhe atasheu donin të mësonin shqipen. Të bënin dy orë mësim në javë dhe janë gati të paguajnë 20 franga për një orë e gjysmë.
Për Enver Hoxhën, sekretarin e konsullatës, ky ishte një shans i mirë. Me 40 frangat e kursit dhe 60 frangat e adresave ai mund të siguronte mjaftueshëm lekë. Por pa folur për të ardhmen. Një revolucionar, a mund t’i shërbejë aparatit të regjimit shqiptar? Çështja ende nuk është prekur. Ndoshta ndryshe nga legjendat e mëpastajme, Hoxha asokohe ende nuk ishte militant komunist. Thjesht një i ri në kërkim të aventurës. Dy javë më vonë, ai njihet me konsullin, punëdhënësin e tij të ardhshëm. Mësimi kryhej me një manual që i ishte marrë hua një pjesëtari të legatës, aty ku zhvillohej dhe kursi.
VIJON…
“Enver Hoxha Sulltani i Kuq”/ Kush është autori Thomas Schreiber
I lindur në Budapest dhe i shkolluar në Paris, në rini ai bëri një jetë të dyfishtë mes këtyre dy shteteve, derisa u vendos përfundimisht në Francë. Gazetar, diplomat, publicist e shkrimtar, specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, ku në fokusin e tij ka qenë veçanërisht Shqipëria. Ka tentuar disa herë të vijë në vendin tonë gjatë regjimit komunist, duke e plotësuar dëshirën e tij në vitin 1981. Thomas Schreiber është autor i dhjetëra artikujve në frëngjisht, hungarisht dhe anglisht.
Ka punuar për gazetat “L’express”, “Le Monde” etj. Ka qenë kolumnist për një kohë të gjatë për RFI, Radio France Internationale dhe vazhdon të publikojë pikëpamjet e tij në “Le Monde Diplomatique”. Disa nga librat e Thomas Schreiber janë: “Veprimet e Francës në Lindje që nga viti 1920”, “Harmattani, sekretari i Përgjithshëm në Belfond”, “Enver Hoxha Sulltani i Kuq”, “Hungaria apo tranzicion paqësor”, si dhe plot broshura të tjera për tranzicionin në Europë. Aktualisht është në pension, por jep mësim me kohë të pjesshme në një universitet shumë të njohur në Paris.
*Ky artikull është përgatitur për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.