Një nga të ndaluarit nga policia në operacionin “Ikona”, koleksionisti Gjergji Thimo, nuk është i panjohur nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Veprave të Artit. Sipas punonjëseve që ndoqën dje procesin, Thimo kishte rreth 125 vepra të regjistruara, por nuk dihet ende nëse ato janë pjesë e veprave të sekuestruara. Momentalisht po bëhet identifikimi i tyre. Sipas drejtorit të Qendrës së Inventarizimit, Izet Duraku, deri dy vjet më parë Thimo ka paraqitur objekte për regjistrim pranë institucionit. “Erdhi një moment, në vitin 2011, që ne e ndërpremë këtë komunikim, pasi veprat që ai pretendonte të ishte pronar, ishin të dyshimta dhe pa dokumentacionin e duhur. Ndër to kishte vepra me dimensione shumë të mëdha, të cilat kishin një prejardhje të paqartë, ndërkohë që kuptohej që origjina e tyre ishin objektet e kultit. Ne vazhdimisht i kërkonim vërtetimet përkatëse nga subjektet nga i kishte blerë, nga Kisha Ortodokse e të tjera institucione, çka ai nuk i sillte”, thotë Duraku, teksa shton se nga ana e koleksionistit është këmbëngulur fort që ato vepra të ligjëroheshin si pronë e tij. Gjergji Thimo mësohet të ishte i pajisur me një licencë si muzeolog, qysh në kohën kur ministër Kulture ishte Teodor Laço, e parinovuar më tej, dhe me të pretendonte të ligjëronte aktivitetin e tij. Por edhe pse me licencë muzeologu, prej tij nuk u realizua kurrë ndonjë muze.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al