“Ja pse humba kontrollin”, Pas arrestimit flet shoferi që dhunoi nxënësit e shkollës

Oct 7, 2018 | 8:00
SHPËRNDAJE

DIBER- Shoferi i furgonit që transportonte nxënës dhunon dy fëmijë. Edmond Sela, nga fshati Majtare në Dibër, është filmuar nga nxënës të tjerë dhe pas videos së publikuar në rrjetet sociale, është bërë edhe ndalimi i tij.

Për ngjarjen kanë reaguar edhe Ministria e Arsimit, e cila ka njoftuar menjëherë atë të Brendshme për rastin. Në një deklaratë, zv/ministrja Romina Kuko kërkoi nga Policia të veprojë menjëherë. “Zero tolerancë për çdo rast dhune ndaj fëmijëve, siguria e të cilëve është parësore”, tha zv/ministrja Kuko. Ndërkohë, mësohet se dhunuesi i fëmijës është ndaluar dhe është marrë në pyetje në Komisariatin e Peshkopisë.

sheri rreth nxenesit

Sipas burimeve, ai ka deklaruar se kishte humbur kontrollin, pasi fëmijët kishin nisur të konsumonin duhan dhe po i digjnin sediljet e automjetit me targë AA 633 BO. Ai u ka kërkuar disa herë të miturve ta hidhnin cigaren nga dritarja, por ata nuk kanë pranuar dhe madje kanë nisur të tallen me të. Në këto kushte, drejtuesi ka ndaluar mjetin dhe ka qëlluar me shpulla fëmijët që nuk i janë bindur.

Burime të Policisë bënë të ditur se shoferi ishte kontraktuar nga bashkia për të kryer transportin e nxënësve nga fshati Burim për në shkollën e Majtarës në Njësinë Administrative Maqellarë. “Ministria e Brendshme është sinjalizuar nga Ministria e Arsimit lidhur me një incident të ndodhur në furgonin, i cili transportonte nxënës në Dibër. Ministria e Brendshme i ka kërkuar menjëherë Policisë të veprojë.

Policia ka identifikuar autorin, i cili aktualisht mbahet në ambientet e Komisariatit të Dibrës për të kryer veprimet e para procedurale. Pas përfundimit të këtyre veprimeve, Policia e Shtetit do të dalë në një deklaratë të detajuar sqaruese për ngjarjen. Ministria e Brendshme nxit Policinë e Shtetit të kryejë të gjitha veprimet, ashtu siç e ngarkon ligji.

Siguria e qytetarëve vjen e para. Siguria e fëmijëve vjen e qëndron mbi gjithçka. Çdo abuzim ndaj tyre do të ndëshkohet me zero tolerancë. Nxisim gjithashtu qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital.

Sheh diçka, thuaj diçka!”, tha në deklaratën e saj zv/ministrja Kuko. Ngjarja u denoncua dje edhe nga ish-Kryeministri Berisha, në një postim në rrjetin social “Facebook”. Ndërkaq, mbrëmë Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 35- vjeçarit për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”/A.L.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura