“Janë besnikë si qeni!”- Zbulohet biografia e rrallë për ish-diktatorin! Prapaskenat e darkës private të Enver Hoxhës me Stalinin dhe Molotovin! Si u eliminua Koçi Xoxe, njeriu kyç i…

Jan 5, 2022 | 22:30
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha darka staliniGazeta Panorama.al sjell për lexuesit e saj një rrëfim për ish-diktatorin shqiptar nga lindja në vdekje, i shkruar duke përballur faktet e dëshmitë, por edhe ironinë. “Enver Hoxha – sulltani i kuq” është biografia e ish-udhëheqësit komunist që u botua në vitin 1994 nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber, gazetar, publicist, diplomat dhe specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, në veçanti për Shqipërinë. Autori është gjithashtu gazetari i parë francez që ka vizituar vendin tonë në vitin 1981, por në vepër nuk përfshin përshtypjet e tij personale.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Ai merret vetëm me zbërthimin e karakterit të “sulltanit të kuq”, Enver Hoxha, duke iu referuar tregimeve të vjetra të bashkëkohësve të diktatorit, dokumentacioneve, letërkëmbimeve, medias, librave etj., të cilat i shtjellon me anë të bibliografisë, veçmas, në fund të librit.

Vepra është e shkruar në frëngjisht dhe nuk është përkthyer ndonjëherë në gjuhën shqipe. Kjo kopje e biografisë është gjetur në një bibliotekë në Francë. Gazeta “Panorama” përzgjodhi për përkthim faktet e reja nga jeta e Enver Hoxhës në vitet 1930-1933, ku flitej kryesisht për atë që cilësohet si pjesa më e errët sa i përket qëndrimit të tij në Francë; tri vitet e studimit në Monpelje (Montpellier). Gjatë kësaj kohe, sipas autorit Thomas Schreiber, rezultoi se të riut Hoxha i pëlqenin djemtë muskulozë dhe biondë, argëtohej netëve të vona me ata, duke aluduar për prirje homoseksuale.

Por, paralelisht biografi zbardh për herë të parë edhe lidhjen sentimentale të studentit shqiptar me një vajzë franceze me emrin Luiza, të cilën ai e braktisi sapo ajo e ndihmoi që të lidhej me komunistë të rëndësishëm në Monpelje. Në numrin e dytë, gazeta vijoi përkthimin e librit me pjesët ku theksohej mbijetesa e Enver Hoxhës me para borxh dhe transferimi nga Monpelje në Sorbonë, ku nisi punë si “kopjues adresash”. Në numrin e tretë historia ndoqi rrjedhën me jetën e dyfishtë të tij.

Para revolucionarëve që bëri miq në Francë e Belgjikë, Enver Hoxha betohej si komunist “deri në vdekje”, ndërsa për mbijetesë si student i dështuar dhe pa diplomë u jepte mësim diplomatëve në legatën e mbretërisë shqiptare, derisa arriti edhe vetë të punësohej aty. Por jo për shumë kohë. Ai u kap me dhjetëra broshura për komunizmin, duke u pushuar nga puna si kancelar. Dje, në numrin e katërt u shtjellua kthimi i Enver Hoxhës në Shqipëri dhe përballja e tij sërishmi me gjendjen e vështirë ekonomike.

Ai nisi punë si kamerier dhe, ndërkohë që tentonte të bëhej mësues në Lice, Hoxha përdorte rrobat e profesor Brégeault dhe nëpër restorante linte faturat pa paguar në emrin e tij. Bëhet fjalë për vitin 1936, kur ai u dallua si orator shumë i mirë dhe gjithnjë e më shumë kërkohej që të mbante fjalimet nëpër varrimet e patriotëve. Më pas, historia e jetës së Hoxhës zhvendoset te infiltrimi i tij në grupet komuniste të Shqipërisë, njohjen me Nexhmije Xhunglinin, atë që në prani të katër dëshmitarëve u bë gruaja e ardhshme e tij në gusht të vitit 1944. Sot rrëfimi zhvendoset 3 muaj më vonë nga kjo martesë…

****

Tiranë, 29 nëntor 1944. Në të njëjtën kohë, kryeministër i qeverisë së re, ministër i Mbrojtjes dhe i Jashtëm, Enveri merr fjalën para hotel “Dajtit”, të ndërtuar nga italianët. Moment solemn: vendi i shqiponjave ishte çliruar pa ndihmën e Ushtrisë sovjetike, ndërsa Jugosllavia pati nevojë për Ushtrinë e Kuqe për t’i dhënë fund pushtimit gjerman. Enveri mund të jetë krenar. I veshur me uniformë të bukur, të qepur nga një miku i tij rrobaqepës, njohje e vjetër te kafe “Flora”, ai bën diskutimin e parë në publik si kryeministër. Më pas, në sheshin “Skënderbej” të mbushur me flamuj të kuq, parakalonte Enveri, i shoqëruar nga gruaja e tij Nexhmija. Nëpër rrugë kishte ende topa e mitraloza të braktisur nga gjermanët. Ndërkohë Hoxha është i sigurt se Bashkimi Sovjetik interesohet për Shqipërinë. Për Stalinin Shqipëria ka pak rëndësi dhe me bekimin e “babait të popujve” u vendos që Jugosllavia e Titos të vazhdojë të ushtrojë tutelën e tij në regjimin e Tiranës.

Enver-Hoxha-sulltani-i-kuq-miqesia-jeta-protesta-dite-nate-anulimi-burses2

Njeriu kyç i Beogradit në Shqipëri vazhdon të jetë Koçi Xoxe, i cili kishte postin e sekretarit Organizativ të partisë dhe ministër i Brendshëm, që merret edhe me kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Rivali kryesor i Hoxhës, ai pret që të vijë ora e tij. Xoxe organizon vizitën zyrtare të Hoxhës në Jugosllavi. Më 23 qershor 1946, presidenti-gjeneral mbërrin në Beograd, vetëm ministri i Bashkimit Sovjetik është informuar për lëvizjen dhe e përshëndeti një lëvizje të tillë. Sipas Ambasadës franceze, edhe nga pala jugosllave vizita mbeti diskrete. Me vete ai kishte marrë tri pistoleta argjendi, armë të vjetra që ia kishin konfiskuar një krimineli të luftës. Programi kishte parashikuar një vizitë kortezie te Titoja në Pallatin e Bardhë.

Pritja që i ishte rezervuar Hoxhës ishte shumë miqësore. Katër ditë pas mbërritjes së tij në Beograd, Enver Hoxha bën në shtyp një deklaratë falënderimi për marrëdhëniet e vendit të tij me Jugosllavinë, që nisën më 10 korrik 1946, me nënshkrimin e një traktati miqësie dhe bashkëpunimi re ciprok. Hoxha i beson Titos, madje arrin që të pohojë se “është e preferueshme që Kosova t’u lihej jugosllavëve”. Një mënyrë për të pohuar se banorët e këtij rajoni gëzonin një nivel jetese më të lartë dhe një liri që nuk njihej në anën tjetër të kufirit (Kjo ishte përgjigja e Hoxhës se pse shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës duhet të rrinin të ndarë)…

***
Pas kësaj vizite, në tërësi pozitive, Hoxha kthehet në Tiranë i kënaqur. Në fillim të verës së vitit 1946, Hoxha interesohej për përgatitjet për Konferencën e Paqes, që do të mbahej në Paris. Britanikët dhe amerikanët vlerësojnë se Shqipëria duhet të trajtohet si një vend i mundur. Tirana proteston dhe kërkon të prezantohet si vendet e tjera fitimtare të koalicionit anti-fashist. Zënka procedurash dhe polemika politike: ndryshe nga të tjerët, për shqiptarët kjo ishte një çështje serioze, prandaj dhe Enveri vendosi që të shkojë vetë në krye të delegacionit shqiptar. Ideja se do të vizitonte sërish Parisin e tundonte. Jemi më 15 gusht dhe rrugët e Parisit ishin bosh, pas njerëzit kishin shkuar me pushime.

Por, kjo pak rëndësi ka. Drejtuesi i shqiptarëve i kushtoi ditën e parë të qëndrimit vizitave në vendet ku kishte qenë në rininë e tij. Vendi i konferencës ishte në pallatin e Luksenburgut, që ndodhej në zemër të “Quartier Latin”. Por, vitet ’30 tani janë të largëta dhe ai ndodhet në Paris për t’u ankuar për dosjen e vendit të tij. Akuzat më të rënda ndaj Shqipërisë ishin bërë nga Greqia, kundërshtari tradicional, që nuk rresht së kërkuari Epirin e Veriut. Sipas referimeve të delegatëve, Greqia u sulmua nga italianët nëpërmjet territorit shqiptar dhe Shqipëria ishte sjellë si një vend agresor. Konkluzioni i grekëve: mes Athinës dhe Tiranës ekziston ligji i luftës dhe Shqipëria nuk mund të konsiderohet si një vend aleat.

Enver Hoxha merr fjalën më 21 gusht 1946. Elegant dhe me një frëngjishte të zgjedhur, ai përdor tribunën ndërkombëtare për të folur për pavarësinë e Shqipërisë. Ai pohon se as Konferenca e Parisit dhe as Konferenca e të Katërve ministrat e Jashtëm francez, amerikan, anglez dhe sovjetik – nuk mund të diskutojnë kufijtë e vendit të tij. Të gjithë e dëgjuan me vëmendje, por diskutimi i tij nuk ngjalli ndonjë reaksion të veçantë. Rasti i Shqipërisë nuk i tërhiqte shumë kancelaritë e huaja. Për këtë ai nisi që të shumëfishonte takimet me përfaqësuesit e huaj, për t’u futur në OKB.

Ndërkohë që shumë kohë më vonë, ai mëson se Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik nuk ishin dakord për futjen e Shqipërisë në OKB. Më pas, Enveri kthehet për në vendin e lindjes, pasi la pas vendin ku kaloi rininë. Në fillim të vitit 1947, Edvard Kardelj, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos dhe drejtuesi i diplomacisë jugosllave, pritet nga Stalini. Shefi i Kremlinit tregohet i interesuar për Shqipërinë. “Por, çfarë përbuzjeje për këtë vend të vogël”, tregon një dëshmitar i takimit. “Çfarë njerëz ish të prapambetur dhe primitivë janë shqiptarët!, – thotë Stalini – janë besnikë si qeni, por kjo është karakteristikë e primitivëve. Tek ne, çuvaçët janë besnikë si qentë. Carët e Rusisë i merrnin për truproja”.

***
Gjatë këtij takimi, Stalini i thotë nëse Kardelj e njihte Enverin dhe nëse mund t’i zinin besë. Përgjigja e diplomatit jugosllav: “Në opinionin tonë është një njeri i mirë dhe i ndershëm, edhe pse ka karakteristikat e një borgjezi të vogël. Është popullor për shkak të sjelljes së tij gjatë luftës. Por nuk ka formim marksist-leninist. Njeriu që mund të jetë dora jonë është Koçi Xoxe, i cili vjen nga klasa punëtore”. Edhe zëvendësi i Stalinit, Molotov, ndan të njëjtin mendim me diplomatin dhe shton se “drejtuesi shqiptar është një njeri i mësuar, që lë përshtypje të mirë, edhe pse tek ai ndihet një lloj influence perëndimore”.

Ndërkohë, në të njëjtin vit planifikohet dhe vizita e parë e Enverit në Moskë. Më në fund Stalini pranon që të takohet me Hoxhën. Më 16 korrik 1947, shqiptarët priten në zyrën e Stalinit në Kremlin, një sallë e madhe me një tavolinë të rrumbullakët, ku qëndron “babai i popujve”. Në fund të këtij takimi, Bashkimi Sovjetik i akordoi Shqipërisë një kredi që do të shërbente për zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë. Më 23 mars 1949, Stalini pret sërish Hoxhën, i shoqëruar nga Spiro Koleka dhe Mihal Prifti. Hoxha flet për situatën në Shqipëri, nis të flasë për tradhtarët, duke nisur nga Koçi Xoxe. Sipas tij, të gjitha spastrimet i kishte drejtuar Mehmet Shehu, i cili ishte një drejtues i lavdishëm dhe që e kishte bërë detyrën e tij, duke pasur edhe mbështetjen e partisë.

Gjatë kësaj bisede, flitet edhe për çështjen greke. Ai kritikon pikëpamjet e gabuara të Niko Zahariadhisit dhe të komunistëve të tjerë lidhur me rolin e Partisë. Pas takimit, Hoxha dhe Stalini darkuan së bashku në “një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore”. Molotovi ngre gotën dhe e shtyn Hoxhën të pijë. “Përse pini kaq pak. Ju dje pitë më shumë”. “Ah, dje ishte ndryshe”, – iu përgjigj Enveri duke qeshur. Në atë moment, Molotovi kthehet nga Stalini dhe i thotë: “Dje ishim për darkë me shokun Enver. Dhe Enveri mësoi se do të bëhej baba me një djalë. Për të festuar këtë, pimë pak më shumë”. “Urimet e mia më të mira, iu përgjigj Stalini. Le të pimë për shëndetin e djalit dhe gruas suaj”. Enveri i premtoi se do ta mbante gjatë mend këtë moment. E ndërsa në Moskë festohej, në Tiranë vazhdonin spastrimet e komunistëve, duke nisur nga Koçi Xoxe.
VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

LEXO KETU:

“Janë besnikë si qeni!”- Zbulohet biografia e rrallë për ish-diktatorin! Prapaskenat e darkës private të Enver Hoxhës me Stalinin dhe Molotovin! Si u eliminua Koçi Xoxe, njeriu kyç i…(Pjesa 8)

Jeta sekrete e Enver Hoxhës/ Zbulohet puna si kamerier dhe orator në varrime! Përdorte rrobat e profesorit…(Pjesa 7)

Zbulohen sekretet e jetës së diktatorit/ Dekonspirimi i Enver Hoxhës, ja pse u shkarkua si diplomat! Si e kapi Atasheu i Parisit me “presh në duar”! (Pjesa 6)

Zbulohet jeta e dyfishtë e Enver Hoxhës në Francë! Nga pseudonimi “Lulo Malësori”, te betimi si komunist dhe puna në shërbim të Mbretit Zog (Pjesa 5)

Zbulohen sekretet e jetës private të diktatorit/ Enver Hoxha kishte rivalitet për vajzat me Nedin Kokonën! Në lice i vardisej Sabiha Kasimatit, por…! (Pjesa 4)

“Iu dogj bursa”-Enver Hoxha pa diplomë dhe pa punë, si mbijetoi me para borxh në Francë! Zbardhet jeta sekrete e ish-diktatorit (Pjesa 3)

Zbulohet biografia e rrallë për jetën sekrete të ish-diktatorit! Kush ishte Luiza, e dashura franceze që lidhi Enver Hoxhën me komunistët: I pëlqenin dhe… (PJESA 2)

Zbulohen sekretet e jetës së Enver Hoxhës në Francë! Si ia anuluan bursën për Histori-Gjeografi dhe protesta ditë-natë para Ministrisë së Arsimit! Vizita e parë te e motra në Itali dhe miqësia e ngushtë me djalin e avokatit  (Pjesa 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura