Si një shkrimtare për fëmijë e të rinj, Janja Vidmar, autore e 58 librave, do të duhej të ishte individi më i “parrezikshëm” për shoqërinë, por ja që nuk qëlloi kështu. Kur Vidmar vendosi të shkruante për këtë kategori lexuesish, nuk mendoi thjesht t’i argëtonte, por t’i mësonte të bëheshin qytetarë më të mirë, njerëz të lirë dhe mendjehapur, që ta pranonin tjetrin për atë që ishte, qoftë ai rom, ekstrakomunitar, me aftësi të veçanta, etj. Por nuk ishte aq e thjeshtë.
Që t’i mësoje të rinjtë sllovenë të bëheshin njerëz më të mirë se prindërit e tyre, duhej që më parë t’u thoshe ca të vërteta, çka nuk do të pritej edhe aq mirë nga të rriturit. Janja Vidmar është nga ato shkrimtare që flet për tema të konsideruara tabu. Ajo ndodhej këto ditë në Tiranë, së bashku me përkthyesin e saj Nikollë Berishaj, të ftuar nga shtëpia botuese “Dituria”, për të promovuar librin për fëmijë, “Kebaria, vajza që lexonte bukur”.
Gjatë qëndrimit të saj, ajo zhvilloi takime me kolegë, përthyes, studiues të letërsisë, por edhe me mësues e nxënës. Një ndër këto takime u zhvillua në ambientet e “Friend’s book house”. Ky takim ishte menduar më shumë si një bisedë për temat “tabu”, problematikat e përkthimit dhe të shkrimit të letërsisë për fëmijë. Vidmar ndau me të pranishmit se sa e vështirë ishte që të ishe një shkrimtare femër dhe njëkohë- sisht të flisje për tema, të cilat lihen qëllimisht në harresë.
“Mund të duket sikur sllovenët janë një popull i hapur, por po ju them se është një shoqëri shumë konservative dhe ksenofobe. Kur në një prej librave të mi i përshkruaja sllovenët si ksenofobë, u mblodhën mijëra firma nga prindër, që ky libër të mos lexohej nga fëmijët e tyre. U zhvillua një marshim, që dukej sikur qe kundër librit, por në të vërtetë drejtohej kundër meje”, u shpreh ajo. “Nëse një mashkull shkruan për tema si politika apo seksualiteti, ai trajtohet me profesionalitetin më të lartë, por nëse një shkrimtare femër do të shkruajë për të njëjtat tema, nuk do të ndodhë kështu”, tha Vidmar.
Një nga ato libra për tema tabu është edhe “Kebaria, vajza që lexonte bukur”, që flet për një vajzë rome. “Për romët nuk flitet asnjëherë, përveçse kur ata zihen me njëri-tjetrin apo bëjnë diç- ka të keqe”, tha shkrimtarja, duke nxitur shkrimtarët të trajtojnë sa më shumë tema të tilla.
ROMANI
Në romanin “Kebaria, vajza që lexonte bukur”, vajza e vogël rome, Kebaria, që të gjithë e thërrasin Kedi, ndjek një shkollë sllovene dhe është në konflikt të vazhdueshëm me shokët e saj të shkollës, me mësuesit dhe me mjedisin përreth. Dhe, si të mos mjaftonin këto, çdo ditë i duhet të përballet edhe me një sërë problemesh në familje, siç është zhdukja e papritur e babait të saj. Historia, e shkruar në formën e një ditari, e ndarë sipas ditëve të javës, bëhet edhe më tërheqëse dhe interesante falë ilustrimeve të gjalla të Damijan Stepan?i?it dhe përkthimit mjeshtëror të Nikollë Berishajt.
Ndërthurja e harmonishme e tekstit me ilustrime, që gëlojnë nga imagjinata, i përshtaten më së miri lexuesit bashkëkohor (lexuesit të ri). Rrëfimi dinamik dhe emocionues meriton vlerësim të veçantë, sepse autorja e ndërton atë me imagjinatë, duke përdorur një gjuhë të pasuruar nga shprehje rome, me një mesazh gjithmonë aktual rreth ndryshimit e bashkëjetesës, dialogut ndërkulturor e shumëgjuhësisë, duke vënë në krye vlerat themelore njerëzore, siç janë dashuria, e vërteta, besnikëria etj.
Një rrëfim tepër bindës, teksa shfaq lidhjen e ngushtë të vogëlushes me babanë, lidhjen e saj të fortë me traditën rome. Babai i tregon Kedit përralla të mrekullueshme dhe vazhdimisht e inkurajon të lexojë. Kështu, gjatë leximit del në pah rëndësia e të rrëfyerit dhe të lexuarit! Në vitin 2010, ky libër ishte finalist për çmimin “Ve?ernica”, çmimi i rëndësishëm letrar për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj. Libri është pjesë e projektit “Different Voices”, i mbështetur nga Programi Europa Krijuese, i Bashkimit Europian.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al