Dashnor Dervishi është ambasadori i parë i Shqipërisë, që hapi selinë tonë diplomatike më 1998 në Tel Aviv. Ishte zoti Dervishi, i cili, gjatë kohës që ishte ambasador i Shqipërisë në Romë, në vitin 1990 zhvilloi një takim me homologun e tij izraelit, Mordechai Drori, në mesin e majit të vitit 1990, duke treguar interesin e Shqipërisë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin, i cili deri në atë kohë konsiderohej njëlloj si SHBA, vend armik.
Dervishi e informoi Drorin se në Shqipëri ishte themeluar Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Izrael, edhe e ftoi atë të ishte “miku special” në inaugurimin e saj në prill 1991. Më 19 korrik 1991, Drori vizitoi Shqipërinë dhe u takua me ministrin e Jashtëm të atëhershëm shqiptar, Muhamet Kapllani, të cilit i dorëzoi ftesën e ministrit të Jashtëm të Izraelit, David Levy. Në kujtimet e tij, të cilat priten të publikohen në një libër të ri, zoti Dervishi tregon se cili është burimi i konfliktit mes hebrenjve dhe palestinezëve por dhe rolin që SHBA, Rusia por dhe vendet e rajonit luajnë në uljen apo nxitjen e tensioneve mes dy popujve.
DASHNOR DERVISHI
IZRAELI DHE KONFLIKTI NË LINDJEN E MESME
PAK HISTORI
Konflikti izraelito-arab është një ndër konfliktet më të vjetra të botës, i cili është shtruar për zgjidhje mbas Luftës së Dytë Botërore, mbas krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948. Por vetëm me mbarimin e Luftës së Ftohtë, kanë filluar përpjekjet për zgjidhjen reale të konflikteve në botë, duke u kushtuar vendin kryesor bisedimeve dhe marrëveshjeve.
Deri në vitin 1947, historia e zonës është e mbushur me luftëra civile midis arabëve dhe hebrenjve, si dhe me fuqizimin dhe shtimin e vendbanimeve të hebrenjve me të ardhur të tjerë. Më 29 nëntor 1947, për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë, Asambleja e OKB miratoi Rezolutën 181, me anë të së cilës propozohej ndarja e territorit të Palestinës ndërmjet dy shteteve që do të krijoheshin atje, atij arab dhe atij hebre. Sipas ndarjes së propozuar, 55% e territorit do t’u kalonte hebrenjve, pjesa tjetër arabëve; ndërsa Jerusalemi do të ndërkombëtarizohej.
Hebrejtë ishin shumë të kënaqur me këtë vendim, ndërsa arabët e kundërshtuan fuqishëm. Sipërfaqja e propozuar arabëve në atë kohë ishte shumë më e madhe sesa ajo që ata pretendojnë tani, kur ajo sipërfaqe është tkurrur mbas një sërë luftërash të tjera që u zhvilluan në Palestinë; dhe veç kësaj këto territore nuk ishin të shkëputura siç janë sot. Pas miratimit të Rezolutës, në Palestinë shpërtheu lufta civile. Hebrenjtë treguan superioritet dhe pushtuan shumë territore të banuara nga arabë. Dhjetëra mijëra refugjatë arabë u detyruan të lënë trojet e tyre dhe u vendosën në shtetet fqinje arabe.
Më 14 maj 1948, ditën që mbaroi Mandati Britanik në Palestinë, u shpall krijimi i shtetit të Izraelit. Ai u njoh nga SHBA dhe BS. Shtete arabe si Egjipti, Trans-Jordania, Iraku, Siria dhe Libani ndërhynë me ushtritë e tyre për të luftuar shtetin e porsakrijuar. Gjatë luftimeve, izraelitët pushtuan edhe një sërë territoresh të tjera arabe, duke krijuar shkëputjen e Gazës nga territoret e tjera arabe në perëndim të lumit Jordan, të cilat u pushtuan nga Jordania; ndërsa Gaza u pushtua nga Egjipti. Ushtria izraelite pushtoi edhe Galilenë Perëndimore dhe qendrën e saj Nazareth, e cila banohej nga arabët dhe ishte paracaktuar për ta nga Rezoluta e OKB. Kështu, në fund të luftimeve, shteti izraelit përfshinte shumë më tepër territore nga ato që ishin caktuar për të. Po ashtu, territoret e mbetura për palestinezët nuk kishin vazhdimësi territorial. Në 11 maj 1949, Izraeli u pranua në OKB.
Deri në vitin 1967, pati një sërë konfliktesh rajonale të Izraelit me të gjithë fqinjët arabë, të cilët sponsorizoheshin edhe nga fuqitë e mëdha. Ndërsa SHBA dhe fuqitë e tjera perëndimore mbështesnin dhe armatosnin Izraelin, BS mbështeste dhe furnizonte me armë vendet arabe, kryesisht Egjiptin. Më 5-10 qershor 1967, Izraeli filloi në mënyrë të papritur sulmet ajrore, njëkohësisht kundër Egjiptit, Jordanisë, Sirisë dhe Libanit, praktikisht të gjithë fqinjët e saj, në atë që u quajt Lufta e 6 Ditëve. Befasia dhe supremacia ajrore e Izraelit bëri që ai të pushtonte të gjithë Bregun Perëndimore të lumit Jordan (West Bank), Jerusalemin Lindor, Rripin e Gazës, duke futur brenda kufijve të tij gjithë ish-Palestinën, si dhe territore të tjera si Golanin e Sirisë dhe gadishullin e Sinait të Egjiptit. Refugjatë të tjerë arabë u larguan nga trojet e tyre.
Më 22 nëntor 1967, Këshilli i Sigurimit të OKB aprovoi një rezolutë britanike, Rezolutën 242, që kërkonte tërheqjen e ushtrive izraelite nga territoret e pushtuara gjatë Luftës së 6 ditëve. Kjo rezolutë nuk u zbatua. Më 27 mars 1979, Izraeli nënshkroi traktatin e paqes me Egjiptin dhe u largua nga gadishulli i Sinait.
Pas një periudhe të gjatë konfliktesh, me mbështetjen e SHBA dhe Rusisë, në vitin 1991, u mbajt në Madrid konferenca e parë shumëpalëshe për fillimin e procesit të paqes, me pjesëmarrjen e Izraelit dhe vendeve arabe, e cila, megjithëse nuk solli rezultate konkrete, të paktën arriti të realizonte takimin e përfaqësuesve të vendeve që ishin akoma në gjendje lufte.
Në vitin 1993, me ndërmjetësinë e amerikanëve, filluan bisedimet izraelito-palestineze dhe izraelito-siriane. Ndërsa me Sirinë nuk u arrit ndonjë marrëveshje, për herë të parë u gjet gjuha e përbashkët me palestinezët. Marrëveshja e Oslos, e cila u arrit nëpërmjet bisedimeve të fshehta nga frika e opozitave përkatëse, u nënshkrua më 14 shtator 1993 në Uashington, në një takim historik midis Rabin, Arafat, Clinton, Peres, Mahmoud Abas (Abu Mazen), Christofer, Kozirev. Me atë marrëveshje u pranua t’i jepej fund konfliktit, të bashkëjetohej në paqe, duke njohur të drejtat legjitime të të dyja palëve. Aty u njoh vendosja e një Autoriteti Palestinez Vetëqeverisës të Përkohshëm, në Bregun Perëndimor të lumit Jordan dhe në Rripin e Gazës për një periudhë 5-vjeçare, e cila do të shpinte në një status përfundimtar, sipas rezolutave 142 dhe 338 të Këshillit të Sigurimit të OKB.
ZGJIDHJA E KONFLIKTIT
Zgjidhja e një konflikti kërkon mbajtjen e një qëndrimi objektiv ndaj palëve, gjë që kërkon njëkohësisht njohjen me historinë e zonës dhe të rivendikimeve të tyre. Zgjidhja është shumë më komplekse sesa dhënia e përgjigjes për pyetjen klasike “kush e ka fajin?”. Në zgjidhjen e konfliktit, përveç emancipimit të palëve apo mospërkuljes së tyre, përveç aftësisë për të bërë lëshime apo këmbënguljes për të mos lëshuar, një rol të rëndësishëm do të luajë ruajtja e interesave të caktuara specifike të fuqive të mëdha, kryesisht SHBA.
Zgjidhja përfundimtare e konfliktit të Lindjes së Mesme shtron zgjidhjen e këtyre problemeve:
1. Caktimi i statusit përfundimtar të Jerusalemit
2. Caktimi i entitetit palestinez
3. Caktimi i kufijve ndarës midis Izraelit dhe palestinezëve
4. Zgjidhjen e problemit të refugjatëve palestinezë
ZGJIDHJA E PROBLEMIT TË JERUSALEMIT
Jerusalemi është i vetmi vend në botë ku ndodhen objektet kryesore të kultit të të tria feve, asaj hebraike, kristiane dhe myslimane. Historikisht, ky qytet i lashtë ka qenë objekt luftërash dhe kontestimesh të shumta. Për përkatësinë e Jerusalemit ka pretendime si nga Izraeli, ashtu edhe nga palestinezët. Gjatë marrëveshjeve të ndryshme dypalëshe, nuk është vendosur për fatin e tij. Kjo është lënë të bëhet në bisedimet e pritshme për statusin final.
Për hebrenjtë, Jerusalemi ka qenë kryeqyteti i tyre i parë, që përpara 3000 vjetësh dhe emri i tij është i lidhur me të gjithë traditën e tyre fetare dhe civile. Në zonën e vjetër të Jerusalemit, krahas të tjerave, ndodhen edhe rrënojat e Tempullit të lashtë, që është vendi më i rëndësishëm i kultit për fenë hebraike. Faktikisht, Jerusalemi konsiderohet nga izraelitët si kryeqyteti i tyre. Atje janë vendosur selitë e institucioneve më të larta qeverisëse të vendit, si Parlamenti, Presidenca, Ministritë etj., ndërkohë që shumica dërmuese e ambasadave të huaja janë të vendosura në Tel Aviv. Ndër të gjitha forcat politike izraelite ekziston konsensusi i përbashkët se Jerusalemi i pandarë i takon në mënyrë të padiskutueshme kombit hebre.
Një qëndrim të ngjashëm ndaj Jerusalemit mban edhe pala palestineze. Për shumë shekuj, Jerusalemi ka qenë qendra e arabëve të Palestinës dhe një vend i shenjtë për ta. Në vendin, ku sipas fesë myslimane, Muhameti u ngrit në qiell, është ngritur një xhami madhështore. Palestinezët e kanë parë Jerusalemin si qendrën e tyre politike, tregtare dhe kulturore. Por në vazhdim të copëzimit të zonave arabe, në Jerusalemin Lindor janë ndërtuar dhjetëra mijëra shtëpi të reja për hebrenjtë, ndërkohë që për arabët janë ndërtuar vetëm disa qindra. Lagjet e hebrenjve në Jerusalemin Lindor janë me rrugë të shtruara, trotuare, parqe, librari, ndërsa pamje e kundërt me të shihet në lagjet arabe.
Në Rezolutën 181 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1947, ku njihej e drejta e krijimit të shtetit hebraik dhe atij arab, Jerusalemi u konsiderua si zonë ndërkombëtare. Mbas Luftës së 6 Ditëve, kur Jerusalemi Lindor, ashtu si Bregu Perëndimor i lumit Jordan, u pushtua nga Izraeli, ky i fundit nuk mundi të tjetërsonte natyrën e tij arabe, as mbasi u përzunë shumë palestinezë nga qyteti, që u shndërruan në refugjatë.
Por edhe mbas pushtimit të Jerusalemit Lindor, palestinezët vazhduan të ruajnë një farë vetëqeverisje. Ata kishin sistemin e tyre gjyqësor, shërbimin shëndetësor, transportin urban, kanalizimet e ndryshme etj.
Në marrëveshjen e Oslos të shtatorit 1993, u vendos që çështja e Jerusalemit do të diskutohej vetëm në bisedimet për statusin final. Gjatë periudhës së vetëqeverisjes provizore nga ana e palestinezëve, shumica e institucioneve vetëqeverisëse në Jerusalemin Lindor kaluan nën kontrollin e Autoritetit Palestinez. Palestinezëve të Jerusalemit Lindor iu njoh edhe e drejta për të votuar në zgjedhjet për Autoritetin Palestinez dhe për të dërguar përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Palestinez në Ramallah (Bregu Perëndimor i lumit Jordan).
Gjatë muajit maj 1999, në pritje të përfundimit të zgjedhjeve në Izrael dhe rifillimit të bisedimeve të paqes, pati përpjekje nga disa organizata hebraike amerikane për të tërhequr SHBA në një qëndrim në mbrojtje të përkatësisë izraelite të Jerusalemit. Nën nxitjen e tyre, një grup kongresmenësh demokratë amerikanë, ndër të cilët edhe Gilman, kërkuan që administrata e Clinton të zbatonte një ligj të vitit 1995, që kërkonte zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel-Avivi në Jerusalem deri në mes të vitit 1999, përndryshe ata do të aktivizonin klauzolën, që i lejonte Kongresit t’i priste administratës gjysmën e buxhetit të caktuar për ndërtesën e re të ambasadës.
Një gjë e tillë u konsiderua e papranueshme nga administrata amerikane, sepse zhvendosja e ambasadës përpara përfundimit të bisedimeve për statusin final do të dëmtonte procesin e paqes, si dhe rolin e SHBA si ndërmjetëse në këto bisedime. Presidenti Clinton kishte të drejtën për të shtyrë afatin e zbatimit të ligjit, për arsye të “sigurimit kombëtar”. Si një zgjidhje kompromisi, ambasadori amerikan në Izrael, Eduard Walker, mori disa dhoma në Hotel Hilton në Jerusalem, që i përdorte për takime pune. Nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, James Rubin, kjo gjë u cilësua se nuk paraqiste ndonjë ndryshim në qëndrimin amerikan për transferimin e ambasadës, e cila nuk duhej të shihej si një rezidencë e dytë.
ENTITETI PALESTINEZ. A DO TË PRANOHET SHTETI PALESTINEZ?
Pikësynimi kryesor i palestinezëve në bisedimet e paqes ka qenë dhe mbetet krijimi i shtetit palestinez. Qysh nga krijimi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) në 1964 dhe sidomos gjatë periudhës së vetadministrimit 5-vjeçar, që filloi me vënien në zbatim të marrëveshjes së Oslos të vitit 1993, u ndërtua një rrjet institucionesh palestineze, të gatshme për t’u shndërruar në qeveri dhe në burokracinë karakteristike të çdo shteti. Mbas zgjedhjeve të janarit 1996, një nga arritjet më të mëdha institucionale ishte krijimi i Këshillit Legjislativ, që luante rolin e Parlamentit. Palestinezët kanë flamurin e tyre, himnin kombëtar dhe stemën.
Periudha provizore, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, duhej të mbaronte në 4 maj 1999 dhe në fund të asaj periudhe do të përcaktohej statusi përfundimtar. Meqë gjatë qeverisjes së Netanyahut bisedimet u ndërprenë, Autoritetet Palestineze kishin lajmëruar se më 4 maj 1999 do të shpallnin krijimin e shtetit palestinez. Shpallja e njëanshme e shtetit palestinez nuk u miratua nga SHBA, BE, Egjipti dhe një sërë vendesh, të cilat Arafati i vizitoi për konsultime përpara kësaj date, meqë ky veprim do të vinte në pikëpyetje bisedimet e ardhshme të paqes. Duke qenë se Izraeli në atë kohë ishte në fushatë elektorale, kjo do t’i jepte argumente krahut të djathtë të udhëhequr nga Netanyahu, për të ekstremizuar gjendjen dhe për t’i fituar zgjedhjet. Ndërkohë, Netanyahu kishte deklaruar, se në rast të shpalljes së njëanshme të shtetit palestinez, Izraeli do të aneksonte disa territore të Bregut Perëndimor të lumit Jordan.
Bisedimet në Uashington për këtë problem u ndoqën nga numri dy i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas (Abu Mazen). Ato u përqendruan në atë se deri ku do të shkonte SHBA në njohjen e së drejtës për vetëvendosje të palestinezëve, si dhe për vendosjen e një afati kohor për përfundimin e bisedimeve të procesit të paqes. Palestinezët po i shikonin 12 muajt e ardhshëm si një rast shumë i favorshëm, për të arritur drejt përfundimit të marrëveshjes së statusit final, meqenëse mbas një viti, administrata amerikane do të ishte e paralizuar, për shkak të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2000.
Megjithë përpjekjet për krijimin e shtetit palestinez, mund të thuhet se mungonte një traditë shtetformuese palestineze. Autoriteti Palestinez rridhte nga një traditë politike arabe, pa shumë respekt për demokracinë. Jasser Arafat ishte formuar sipas traditës së funksionimit të regjimeve arabe, qysh nga vitet kur ai ishte student në Kairo, në kohën e Naserit.
Nga Jordania ai mësoi të shfrytëzojë ndarjen tribale të shoqërisë palestineze; nga Siria dhe Iraku kishte mësuar se si të përçajë forcat e sigurimit, në mënyrë që asnjë njësi të mos ishte tepër e fuqishme. Megjithatë, në radhët e shoqërisë palestineze kishte një etje të madhe për demokraci, që rridhte nga sakrificat e shumta dhe nga luftërat e bëra kundër forcave izraelite, për liri dhe pavarësi.
VIJON….
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al