Pas ardhjes në jetë të vajzës së tyre, Princ Leka dhe Elia Zaharia ndanë në fund të tetorit 2020 më ndjekësit e tyre emocionet e të qenurit prind. Përmes një postimi në “Facebook”, teksa falënderonte të gjithë ata që e kishin uruar, e konsideronte lindjen e saj një “Përshëndetje nga bota e engjëjve”.
Kjo, sepse Elia zbuloi se princesha Geraldinë lindi në 18- vjetorin e ndarjes nga jeta të mbretëreshës Geraldinë. E tashmë që vajza i ka bërë 1 vjeç, familja Leka kanë ndarë me ndjekësit fotot familjare të atmosferës së Krishlindjeve.
“Të dashur besimtarë të krishterë, ju urojmë Gëzuar Krishtlindjen! Nazaretit duke ndryshuar botën përgjithmonë, ashtu uroj që çdo ditë nga zemra juaj të lindë e burojë veç mirësi, gjurma e Zotit që ndryshon jetët tona përgjithmonë! Ylli polar për tek Ai është vetëm dashuria miq, ndaj doni pa kushte! Zoti është dashuria brenda nesh!”, shkruante Elia sipër fotove artistike të realizuara nga Blerta Celibashi.
E bashkë me urimet, shumë ndjekësve u ka rënë në sy fakti që duket se mënyra si pozojnë, lumturia dhe qetësia që reflektojnë i bën të duken si të veçar nga realiteti, pra sikur jetojnë në një ishull, që u përket vetëm atyre, jashtë realitetit dhe që asgjë s’mund t’ua prishë qetësinë.
Komentuesit mendojnë se Princ Leka ka mjaftueshëm pasuri të trashëguar nga familja mbretërore, e cila i krijon komoditetin që të jetojë si në një kullë të fildishtë. Kujtojmë që Elia e mbajti të fshehtë shtatzëninë dhe kur erdhi në jetë vajza ajo e dha lajmin njësoj siç bëjnë familjet mbretërore në botë, edhe pse familja mbretërore shqiptare është thjesht honorifike.
“Të dashur miq, ju falenderojmë përzemërsisht për urimet tuaja me rastin e lindjes së vajzës sonë, Geraldinë! Të qenit prind është një bekim, që falë Perëndisë ne të dy po e shijojmë çdo moment. Dita e lindjes së Princeshës sonë ishte veçanërisht emocionuese, pasi erdhi në ditën kur plot 18 vjet më parë, Mbretëresha Geraldinë u largua nga kjo jetë. Për ne të dy ishte një përshëndetje nga bota e engjëjve. Ne si prindër urojmë me gjithë zemër që Princesha e vogël Geraldinë të rritet e shëndetshme, ta ketë zemrën të mbushur me dashuri, ta dojë dhe ta vlerësojë jetën dhe jeta ta përkëdhelë me butësi dhe ëmbëlsi vogëlushen tonë!”, shkruante Elia.
Në një intervistë, pyetjes se kujt i ngjan vajza, Elia u përgjigj: “Geraldina i ngjan shumë Princ Lekës. Qëkur ishte ende në barkun tim dhe e shihnim në eko, doktoreshë Merita thoshte që i ngjan babit.
Dhe ashtu vërtet, kur lindi ishte njësoj si Leka (krahasuar me fotot e tij si i porsalindur). Këtë thonë të gjithë dhe mua jo vetëm nuk më mërzit, por përkundrazi më gëzon.
Gjithmonë i kam shprehur Lekës dëshirën të kem një vajzë që t’i ngjajë atij. Princ Leka ngjan në shumë tipare me gjyshen e tij, Mbretëreshën Geraldinë, e cila ka qenë një nga vajzat më të bukura të epokës së saj. Gjithsesi, fëmijët ndryshojnë dhe asnjëherë nuk i dihet kujt do t’i ngjajnë derisa rriten.
Unë e vogël i ngjaja shumë babit, por sot të gjithë më thonë që jam si mami. Dhe me të vërtetë tiparet apo ngjyrat mund t’i kem si babi, por hija e mamit është dominuese.
Te Geraldina e vogël unë arrij të dalloj që tani që herë pas here ka vështrimin tim (te fotot kur kam qenë bebe kuptohet)”.
Ndërsa në lidhje me gjininë dhe a është e rëndësishme që familja mbretërore të ketë një trashëgimtar djalë, ajo iu përgjigj:
“Jo vetëm nga familja e Princ Lekës, por që në maternitet nga stafi përsëritej urimi ‘Herë tjetër me djalë’! Është argëtuese, pasi tregon se ende djali shihet me përparësi në shoqërinë tonë dhe mua më duket si një urim që vjen si eko e një kohë tjetër. Për ne të dy nuk ka asnjë ndryshim, vajzë apo djalë, fëmija është njësoj bekim nga Zoti. Familja Mbretërore shqiptare nuk jeton jashtë kohës së saj, sot jemi në shekullin e 21 dhe absolutisht produkt i kohës sonë. Jo vetëm ne, por edhe familjet e tjera mbretërore që kanë pasur në Kushtetutën e tyre trashëgiminë e kurorës në vijë mashkullore, sot e kanë ndryshuar me ligj, pasi është një traditë diskriminuese në epokën ku jetojmë. Në vendet mbretërore fëmija i parë trashëgon kurorën.
Po cila është jeta e Elias si Princeshë dhe pasardhëses se saj dhe planet për një djalë?
Sipas Kushtetutës së mbretërisë shqiptare, linja duhet të kalojë drejtpërdrejt nga trashëgimtarët e Mbretit Zog. Nëse lind një djalë, ai trashëgon fronin, nëse lind një vajzë dhe nuk lindin djem, e trashëgon ajo deri në lindjen e një djali prej saj apo fëmijëve të saj.
Princ Leka dhe unë dëshirojmë që edhe nëse do të kemi një djalë më vonë, të dy të kenë shansin e barabartë dhe në moshën 18-vjeçare të vendosim cili nga fëmijët mund të trashëgojë kurorën. Kjo, pasi njëri mund të jetë më i përshtatshëm, pavarësisht gjinisë. Pesha e një kryetari të Familjes Mbretërore nuk është dhe aq e lehtë, pasi sensi i detyrës dhe përgjegjësisë të shoqëron gjithë jetën.
Jo çdokush mund të ketë dëshirë apo vokacion ta mbajë këtë rol, ndaj mendojmë se është një vendim që duhet marrë kur fëmijët janë të pjekur mjaftueshëm dhe kur mund të dallosh me qartësi se cili është më i prirur për një jetë të dedikuar, dhe aspak vetjake”, thotë ajo, që do të thotë se jeta e tyre nuk është aq e zakonshme sa disa mund të mendojnë.
Pjesë e axhendës së tyre janë udhëtimet dhe pjesëmarrja në festat apo takimet me familjet mbretërore në të gjithë botën.
Se si e përkëdhelin shkurt vajzën ajo tha:
“Deri tani bebushja ka shumë epitete përkëdhelëse që ndryshojnë nga dita në ditë. Unë argëtohem kur e thërras bukfiqe. Mbretëreshën Geraldinë kur ishte e vogël e thërrisnin me përkëdheli Mimi”.
ELIA DHE PRINC LEKA, SI U NJOHËN DHE SI MBAJTËN LIDHJEN NË DISTANCË PËR DY VJET
Ndër të tjera, ajo ka rrëfyer në intervistat e saj se nga historia e gjatë e dashurisë me Lekën, që kaloi në të gjitha fazat tradicionale:
“Jemi njohur në 2008-ën dhe atëherë filloi një histori e bukur miqësie, që gradualisht na solli gjithmonë e më pranë njëri-tjetrit. Distanca ishte e vështirë dhe zgjati rreth dy vite, por e kaluam me dëshirën për ta çuar përpara njohjen tonë. Të them të drejtën, edhe pse kanë kaluar disa vite, nuk e kam ndjerë shumë kohën. Kjo besoj është si rezultat i një lirie që gjejmë në marrëdhënien tonë, ku secili është krejtësisht i pavarur në angazhimet profesionale, në miqësitë dhe zgjedhjet që bën. Kjo i ka dhënë frymëmarrje mendoj kësaj marrëdhënieje, duke mos e bërë të rëndë dhe imponuese. Për natyra të pavarura si ne, besoj ky është një çelës shumë i rëndësishëm.”
E si është Princ Leka si babi? “Leka është shumë i përkushtuar dhe i jep shumë dashuri dhe vëmendje vogëlushes sonë. Natën ai zgjohet më lehtë se unë dhe është shumë i kthjellët. Unë dua pak më shumë kohë deri sa të më ikë përgjumja… Zakonisht, është i qetë dhe nuk bën panik, por kujdesin e ka njësoj si unë. Kjo më jep shumë besim dhe qetësi, pasi e kam mbështetje në çdo moment. Jam shumë e lumtur për përkushtimin e tij, madje nuk e kam imagjinuar që do ishte kaq i dhënë pas vajzës!”.
Dhe nëse ka plan për fëmijë të dytë dhe kur, Elia thotë: Do dëshironim që Geraldina të ketë një vëlla ose motër, por është ende shpejt për ta menduar konkretisht kohën e përshtatshme. Për momentin, energjia jonë është e përqendruar te Geraldina. Do donim që të mos i mungonte për asnjë çast përkushtimi dhe vëmendja jonë, ndaj bebja e dytë ndoshta do presë pak”.
Para dy muajsh ata dhanë një intervistë për Rudina Magjistarin nga kopshti mbretëror, i rezidencës ku ata jetojnë. Rudina Magjistari zhvilloi një intervistë e bashkëbisedim me çiftin mbretëror, jeta e të cilit ka ndryshuar tërësisht me lindjen e Princeshës së vogël. Ata ndanë disa detaje për vogëlushen, e cila tashmë ka nisur të hedhë hapat e parë dhe të shqiptojë rrokje. Veç të tjerash ata rrëfyen detaje nga jeta e tyre, që edhe nga pamjet duket komplet e shkëputur nga realiteti, e ngjashme me një botë përrallash.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al