Kafka, kukulla dhe vajza e vogël

Jul 19, 2024 | 7:37
SHPËRNDAJE

enver robelliENVER ROBELLI

Shkrimtarët e rëndësishëm i gjejnë përgjigjet e rëndësishme. Te vepra e madhe e Franz Kafkës – po e përmendim këtu për shkak se sivjet mbushen 100 vjet nga vdekja e tij – lexuesi e lexuesja mund të zbulojnë shumë anë të karakterit njerëzor. Në tipologjinë e figurave, Kafka skicon (edhe) tiparet e errëta, të këqija, mizantrope të qenieve njerëzore. Këtu dallohet egoisti, që fajin e kërkon vetëm te tjetri dhe pafajësinë e sheh si pronë të tij. Nga egoizmi tek injoranca distanca nuk është kilometrike, por milimetrike. Injoranca pastaj përzihet me një dozë thashethemesh, me mungesë respekti ndaj dinjitetit të të tjerëve, me përbuzje të suksesit të të tjerëve si ngushëllim qesharak për dështimet personale. Ky është njeriu me zemër të ftohtë. Te “Kolonia ndëshkimore” e Kafkës është një makinë që përmes një procedure trishtuese gozhdon njeriun. Franz Kafka ishte vizionar. E parashikonte që një ditë njeriu-makinë do të shkëputet nga ndjenjat dhe do të vrasë njeriun me ndjenja

2. “E sheh diellin duke perënduar ngadalë dhe prapëseprapë trembesh kur befas gjithçka errësohet”. Ka shumë mendime të errëta në veprat e Franz Kafkës. Ai vdiq i ri, në vitin e 40-të të jetës. Por, si asnjë autor tjetër ai vazhdoi të jetonte. Vazhdon të jetojë. Falë dijetarëve si Reiner Stach. Ky gjerman i lindur më 1951 ka punuar 18 vjet (!) për të shkruar biografinë e Franz Kafkës. “Vitet e hershme” (“Die frühen Jahre”), “Vitet e të kuptuarit” (“Die Jahre der Erkenntnis”), “Vitet e vendimeve” (“Die Jahre der Entscheidungen”) – këta janë titujt (në gjermanisht) të opusit prej tri vëllimesh. 2000 faqe. Një jetë e rrëfyer minutë pas minute.

3. Një ditë në moshën 40-vjeçare Franz Kafka po kalonte nëpër një park në Berlin. Me atë rast takoi një vajzë, e cila po qante, sepse kishte humbur kukullën e saj më të dashur. Ajo dhe Kafka e kërkuan kukullën, por nuk e gjetën. Kafka i tha vajzës se do të takoheshin të nesërmen në vendin e njëjtë në park për të vazhduar kërkimin e kukullës. Ditën tjetër, pasi nuk e gjetën kukullën, Kafka ia dorëzoi vajzës një letër “të shkruar” nga kukulla. Në letër thuhej: “Të lutem, mos qaj! Jam nisur në një udhëtim për të parë botën. Do të shkruaj mbi aventurat e mia”

Kështu filloi një histori që zgjati deri në fund të jetës së Kafkës (ai vdiq në moshën 40-vjeçare). Gjatë takimeve Kafka ia lexonte vajzës letrat e kukullës, të cilat ishin shkruar me kujdes mbi aventurat dhe bisedat e saj. Vajza magjepsej. Dikur Kafka e solli kukullën dhe tha se ajo ishte kthyer në Berlin. (Në të vërtetë Kafka e kishte blerë një kukull tjetër).

“Kjo kukull fare nuk i përngjan kukullës sime”, tha vajza.

Kafka ia dha vajzës një letër tjetër në të cilën kukulla shkruante: “Udhëtimet më kanë ndryshuar”. Vajza e vogël përqafoi kukullën e re dhe e lumtur e mori me vete në shtëpi.

Kafka vdiq po atë vit.

Shumë vjet më vonë vajza tashmë e rritur gjeti një letër brenda kukullës. Në atë copëz letre, të nënshkruar nga Kafka, thuhej: “Gjithçka që do, me gjasë do të humbë, por në fund dashuria do të kthehet në një mënyrë tjetër. Pranoje ndryshimin. Është i pashmangshëm që të rritesh. Së bashku dhimbjen mund ta shndërrojmë në mrekulli e dashuri, por është në dorën tonë që këtë ndërlidhje ta krijojmë me vetëdije dhe me qëllim”. Rrëfimi mbi letrat e kukullës të shkruara nga Kafka gjendet në vëllimin “Als Kafka mir entgegenkam… Erinnerungen an Franz Kafka” të Hans-Gerd Koch.

4. Nga viti 1889 deri më 1893 Franz Kafka vizitoi shkollën e djemve të gjuhës gjermane në Pragë. Në të gjitha lëndët mësimore ishte shumë i suksesshëm – me përjashtim të gjimnastikës dhe artit figurativ. Në këto dy lëndë mori notën “mjaftueshëm”. Notat më të mira i mori në lëndët “zelltari” (të qenët i zellshëm) dhe “sjellje e moralshme”. Gjatë tetë vjetëve të ardhshëm në gjimnazin shtetëror, në pjesën e vjetër të Pragës, Kafka nuk ishte nxënës aq i mirë. Interesimi i tij për mësim u zbeh sapo hyri në moshën e pubertetit. Ai vazhdonte të ishte nxënës i mirë vetëm në lëndët gjuhësore, por në vitin e maturës edhe në lëndën e gjermanishtes u vlerësua vetëm me notën “kënaqshëm”. Problemet më të mëdha Kafka i kishte me matematikën. Shifrat kundër shkronjave? Franz Kafka vendosi për shkronjat. Dhe u bë shkrimtar.

5. Më 1918 Evropën e përfshiu gripi spanjoll. Në Pragë u infektua pacienti Franz Kafka. Më 14 tetor erdhi mjeku. Kafka, 40-vjeçar, ende banonte te prindërit. Aq shumë e kishte lodhur sëmundja, saqë nuk mund të transportohej në spital. Kafka ishte shëndetligë, sepse më 1917 ishte prekur nga tuberkulozi. Tani, më 1918, lëngatës së tij i ishte shtuar edhe gripi spanjoll. Ndërsa qëndronte në karantinë, një pacient tjetër luftonte për mbijetesë:Perandoria Austro-Hungareze. Çekët kërkonin autonomi, dëshironin të braktisnin mbretërinë danubiane, presidenti amerikan Woodrow Wilson përkrahte të drejtën e tyre për pavarësi. Nga dritarja e banesës familja Kafka u bë dëshmitare e themelimit të shtetit çek. Kur u infektua nga gripi spanjoll, Kafka ishte shtetas austro-hungarez, kur doli nga karantina pesë javë më vonë ai jetonte tashmë në shtetin e ri çek. Stacioni i trenit Franz Joseph në Pragë kishte ndërruar emrin: quhej Stacioni i Trenit Wilson (për nder të presidentit amerikan). Punëdhënësi i Kafkës, një firmë sigurimesh, kishte vendosur që çekishtja të jetë gjuhë zyrtare. Në pasaportën e re Franz Kafka quhej František Kafka. Brenda pesë javësh mund të ndodhin shumë gjëra.

6. Vite më parë një nxënës 15-vjeçar në Gjermani pranoi një dhuratë: një koleksion me pulla postare. Mes pullave ai gjeti një zarf. Letra i dërgohej “Zonjushës Felice Bauer”, dërgues ishte: “Dr. F. Kafka”. Vula postare tregon se letra është dërguar më 1 korrik 1913 nga Praga. Zarfin e gjetur nxënësi, ia dhuroi Arkivit të Letërsisë Gjermane në Marbach, ku mblidhet, ruhet, arkivohet e koleksionohet çdo gjë e shkrimtarëve të rëndësishëm të gjuhës gjermane. Zarfi është i zbrazët, letra është blerë më 1987 në New York – nga një evropian i panjohur. Gjetjes së një zarfi të zbrazët gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ia ka kushtuar gati një faqe gazetë (në vitin 2021). Kafka u fejua dy herë me Felice Bauer, por s’pati guxim të martohej. Më 27 dhjetor 1917 pasoi ndarja përfundimtare. “Nganjëherë më duket se truri dhe mushkëritë janë marrë vesh pa dijen time. ‘Kështu s’shkon më’, tha truri dhe pas pesë vjetësh mushkëritë u treguan të gatshme të ndihmonin”, ka shkruar Kafka. Një dashuri tragjike krijoi një nga veprat më të rëndësishme letrare të shekullit të 20-të: romanin “Procesi”. U botua më 1925, një vit pas vdekjes së Kafkës,  dhe e bëri Kafkën: të pavdekshëm!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura