Kalaja 200-vjeçare e Ali Pashës, në rrezik shembjeje

Oct 17, 2011 | 11:34
SHPËRNDAJE
Kalaja e Tepelenës

Kalaja e Tepelenës po shkatërrohet nga dita në ditë, ndërsa Drejtoria e Monumenteve ende nuk ka vënë dorë për restaurimin e mureve të saj. Drejtuesit vendorë bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente, pasi sipas tyre, kështjella 200-vjeçare e Ali Pashës paraqet rrezikshmëri serioze në shembjen e dy mureve rrethues të saj. Këto çarje janë vënë re në anën lindore dhe veriore të saj. Njëra prej tyre bie mbi segmentin rrugor Tepelenë-Bëncë, ndërkohë që çarja tjetër është mbi aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë. Do të mjaftonte vetëm ky fakt për të alarmuar këdo, pasi rrezikshmëria është shumë e madhe në këto rrugë ku qarkullojnë me qindra makina me destinacion jugun e vendit, por edhe Greqinë. Sipas shefit të Kulturës në Bashkinë e Tepelenës, Fatmir Meçe, faktorët që kanë ndikuar në këtë shkatërrim të mureve rrethues të kalasë së Tepelenës janë natyrore dhe njerëzore. Prej 25 vitesh sipas tij, në kala nuk është vënë dorë nga askush për të kryer restaurime në të. Përveç kësaj, ndërtimet pa leje brenda dhe rreth

Kryebashkiaku, Tërmet Peci

perimetrit të saj kanë prishur arkitekturën në mjaft vende, ndërsa kanë ndikuar edhe në shembjen e mureve. Është lehtësisht e dallueshme se si një pjesë e ndërtesave është ngritur mbi bedenat e kësaj kalaje me një moshë 200-vjeçare, duke rrezikuar shembjen e saj. Kjo nuk iu jep mundësinë as vizitorëve të shijojnë peizazhin e luginës së Vjosës që të afron lartësia e kalasë së Tepelenës. Kreu i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peci, pohoi situatën alarmante në këtë kala. Sipas tij, veprimet paraprake do të jenë bisedat me banorët, me qëllim që ata t’i largojnë gardhet të cilët pengojnë edhe vizitorët e kalasë. “Do të këmbëngul në ngritjen e një muzeu brenda kalasë, që ajo të jetë e vizitueshme si nga vizitorët vendës, ashtu edhe nga të huajt. Blloku më i dëmtuar brenda mureve të kalasë është ai i banesave ku nuk mungojnë rrethimet e plota me gardhe. Vetëm kur ndihmohesh nga banorët mund të shikosh këtë kube të madhe e të mirëmbajtur, e cila sigurisht mund të kthehet në një muze interesant brenda kalasë”, u shpreh kryebashkiaku Peci. Ndërkaq, punonjës të kësaj kalaje pohuan se historia prek emra të njohur tashmë për të gjithë, siç është emri i poetit anglez Bajron, i ftuar nga Ali Pasha në Tepelenë, emri i vetë Pashait të madh, por edhe emri i Duçes, i cili ka qëndruar një natë gjatë Luftës së Dytë Botërore në ambientet e brendshme të saj. Por përpara kujtimeve, kështjella duhet mbajtur në këmbë nga struktura e saj. Sipas Pecit, është premtuar një ndërhyrje për shtrimin e një rruge hyrëse në kala me kalldrëm, pastrimi i mureve në anën jugore dhe restaurimin e një kupole. Ndërkohë, po përfundon një projekt restaurues për dy çarjet e mureve, të cilat kanë paraqitur rrezikshmëri kohët e fundit. Projekti restaurues po përgatitet në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës.

2 Çarje
ka pësuar muri rrethues i kalasë së Tepelenës, njëra prej tyre mbi segmentin rrugor Tepelenë-Bëncë, ndërkohë që çarja tjetër është mbi aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë. Shkëputja e gurëve vë në rrezik edhe jetën e drejtuesve të qindra mjeteve

Banorët: S’mbajmë mend kur është ndërhyrë
Shembja e mureve të jashtme të kalasë së Tepelenës ka shqetësuar edhe banorët e këtij qyteti. Ata kanë kërkuar në Bashki ndërhyrje të menjëhershme, pasi sipas tyre, qyteti i Tepelenës është një atraksion për turistët dhe se vetëm nga kjo kala qindravjeçare nxitet kureshtja e vizitorëve vendës e të huaj. “Duhet ndërhyrë menjëherë, pasi rrezikohet shembja e kalasë, nuk mbajmë mend kur është vënë dorë për herë të fundit në të. Disa herë kanë ndodhur shkëputjet e gurëve, duke rrezikuar seriozisht jetën e drejtuesve të mjeteve në aksin nacional. Restaurimi i kalasë do ta kthente në atraksion për turistët qytetin tonë”, u shpreh një banor i qytetit të Tepelenës.

TEPELENE/ PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura