Kalaja e Lezhës në errësirë/ Hajdutët “zhvatën” kabllot, si kryheshin vjedhjet gjatë orëve të natës

Nov 30, 2020 | 13:24
SHPËRNDAJE

Elvis Hila/ Vjedhjet masive që shpërthyen në Lezhë në vitin 2014 kanë lënë në errësirë kalanë mesjetare të qytetit. Hajdutët nuk janë kursyer në asgjë, ndërsa nuk janë shqetësuar nga askush.

ne

Sistemi i ndriçimit është vjedhur në pjesën më të madhe dhe hajdutët nuk u identifikuan asnjëherë. Ndriçuesit, pjesët e metalta të rrjetit të ndriçimit dhe objekte të tjera u shkëputën dalëngadalë nga trupi i kalasë mesjetare nga persona të paidentifikuar vetëm 2 vite nga përfundimi i investimit si pjesë e projektit të 100-vjetorit të Pavarësisë, në shtator të vitit 2012. Në të vërtetë, ndriçimi i plotë mbijetoi vetëm 2 muaj, nga ku më pas nisi rrjedhja e materialeve, kabllove dhe gjithçkaje që krijonte ndriçimin në Kalanë e Lezhës. Përgjegjësi në kalanë mesjetare, Ded Margjoni, ka qenë pjesë e këtij aseti historik të Lezhës gjatë periudhës së vjedhjeve. Ai thotë se sistemi jetoi shumë pak dhe vjedhjet kryheshin vazhdimisht. “Sa herë që mungonte energjia elektrike dikush ishte përreth kalasë duke gërmuar për të nxjerrë kabllot elektrike, duke marrë ndonjë shtyllë ndriçimi apo vetë ndriçuesit”, thotë Margjoni

VJEDHJET PA AUTORË

Kështu ndodhi disa herë, por denoncimet e bëra nuk sollën asnjëherë persona të dyshuar për këto vjedhje e aq më tepër autorët e tyre. Bashkë me ndriçimin e kalasë filloi të dëmtohej e vidhej edhe ndriçimi i rrugës së kalasë që në fakt ishte rruga drejt lagjes së vjetër Sheher, e vendosur mbi kodrën e qytetit. Ky segment i ndriçuar si pjesë e investimit prej 170 milionë lekë për rikonstruksionin e plotë ku përfshiheshin edhe vendosja e sistemit të ndriçimit e humbi hijeshinë dhe për pasojë edhe lëvizja e qytetarëve do të vijonte tani e tutje në errësirë. “Vjedhjet kryheshin gjatë natës, pasi hajdutët e dinin mirë se kalaja nuk kishte roje dhe ishte shumë e thjeshtë për ta që të vepronin.

Ne bënim denoncime në Polici, por kurrë nuk pati të arrestuar dhe vjedhjet vazhduan deri në 2014, kur përfundimisht në kala thuajse nuk mbeti asgjë”, shton Ded Margjoni. Hajdutët u ndihmuan edhe nga vetë institucionet shtetërore. Energjia nuk ndërpritej vetëm si pasojë e defekteve në rrjet, pasi pagesa e faturave të energjisë për ndriçimin e kalasë përplasën Ministrinë e Kulturës me Bashkinë e Lezhës. Debia e krijuar nga mos pagesa e faturave solli ndërprerjen e energjisë nga OSSHEE-ja. Hajdutët e patën më të lehtë gjatë kësaj periudhe sepse ministria dhe bashkia ia pasuan njëra-tjetrës faturat dhe zgjidhja nuk erdhi asnjëherë.

RRUGA DREJT KALASË

Në fillim të janarit në vitin 2015, rruga drejt kalasë dhe vetë kalaja përfundimisht nuk kishin më ndriçim. Vendimi i OSSHEE-së për të ndërprerë energjinë, pasi faturat nuk po paguheshin dhe se ministria dhe bashkia nuk po gjenin asnjë zgjidhje bashkë, solli edhe vjedhjen e plotë të sistemit. Ringarkimi me rrymë për të penguar vazhdimin e vjedhjeve nuk ndodhi e për pasojë vijoi vjedhja. Kalaja e Lezhës ra sërish në errësirë. Vizitorët e mbrëmjes nuk erdhën më, kalaja nuk dukej më nga superstrada e për pasojë hijeshia e saj do të harrohej me kalimin e viteve. Vizitorët në këtë kala janë të paktë, sepse vëmendja ndaj këtij objekti është i ulët e duke sjellë edhe probleme.

URA E KALBUR

Ura e ndërtuar në rrugën drejt hyrjes për në kala është kalbur. Dërrasat janë thyer e sigurisht mund të përbëjë rrezik për banorët, vizitorët dhe turistët. Këta të fundit thonë se është e frikshme për t’u kaluar dhe nuk do të donin që t’u ndodhte ndonjë aksident gjatë lëvizjes drejt kalasë. Edhe për këtë kërkohet që të ndërhyhet dhe kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. “Ura është kalbur krejt, ajo që ka bërë përgjegjësi i kalasë, duke zëvendësuar dërrasat e kalbura është maksimumi që ai mund të bëjë, por jo ajo që duhet të ndodhë realisht. Aty dikush mund të thyejë këmbën, por nëse vjen gjatë natës së mungon edhe ndriçimi, atëherë situata është me keq akoma dhe rreziku më i madh as që diskutohet”, thotë një banor i lagjes.

MURI I KALASË

Gjatë muajit shtator, në pjesën veriore poshtë kalasë ka nisur të rrëshqasë dhe muri i Lisusit të lashtë. Gurët kanë lëvizur në një distancë prej 17 metra linear e disa
prej tyre kanë përfunduar deri në rrugë, duke rrezikuar edhe banesat që ndodhen aty pranë. Shkak i kësaj situate është erozioni që është krijuar nga depozitimi i
dherave ndër vite dhe mungesa e bimësisë. Alarmi për këtë problematikë është dhënë prej shtatorit, por ende nuk ka nisur asnjë ndërhyrje e nëse heshtja do të vazhdojë gjatë, muri historik nuk do të ekzistojë më.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura