Me lot në sy tetraplegjikët në Elbasan i kanë bërë apel shtetit që të mos u heqin pagesën e KEMP-it, teksa u futën në grevë urie brenda zyrave të shoqatës për invalidët.
Ata shprehen se nuk vuajnë për gjëra luksoze, por për bukën e gojës.
“Na mashtruan gënjyen, tani nuk na ngel gjë tjetër vetëm greva e urisë. I bëj thirrje Kryeministrit ta marrë seriozisht këtë grevë sepse nuk është personale, por është për këta njerëz që janë sot me lot në sy. Nuk vuajnë për gjëra luksoze, por për bukën e gojës”, tha një prej tyre.
Ndërsa një tjetër u shpreh: “Mua më takon kempi, kam lindur sakat, si ma prenë kempin, çfarë patën me mua. S’kam bukë të ha.”
Nëna e një prej invalidëve u bëri thirrje ambasadave që të “vënë dorë” mbi Shqipërinë, duke theksuar se po shkon në humnerë.
Ajo u kërkoi qeverisë të mos flenë mbi paratë e tetraplegjikëve, por t’i japin lekët e KEMP-it, pasi s’mund t’i blejë dot djalit as bebelino.
“Djali im është invalid prej 41 vitesh, i kanë hequr lekët për bukën e gojës, s’kam lekë t’i blej bebelino, ta bëjmë si në kohë të Enverit me plastmasë. S’kam me çfarë ta ndërroj. Kujdesem vetëm për djalin, burri është invalid. Vetëm unë mund t’i shërbej djalit. Festat janë me lot këtë vit, ata e kanë lekun. Ia hoqën këtyre, po vdesim për bukën e gojës, nuk kam çfarë t’i jap për të ngrënë. Ministria e Shëndetësisë të mos i heqë lekun fëmijëve. Zoti do i fundosë, nuk flasin s’dinë se çfarë bëjnë. Ata të mendojnë dhe të mos flenë mbi lekët e këtyre, këta nuk vjedhin, nuk plaçkitin. Ti heqin paketën e invaliditet. Me këtë shtet nuk ecim më përpara, thirrje ambasadave të vënë dorë mbi Shqipërinë sepse po ikën në humnerë, është qeveri hajdutësh”, tha ajo.
“Për ne s’ka festë, festa jonë është grevë. Shikojeni vetë, s’kemi bukë të hamë, çfarë festash. Ka dy muaj që është prerë kempi”, shtoi një ilvalid.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al