“Kam qethur 16-17 lojtarë para Gjeorgjisë”- Berberi i Spanjës: Morata më premtoi finalen

Jul 3, 2024 | 22:29
SHPËRNDAJE

Pak metra larg “Rhein Energie Stadion”, aty ku Spanja do të firmoste vendin në çerekfinale falë fitores 4-1 kundër Gjeorgjisë, Alehandro Oliva do të bëhej personazh për mediat spanjolle e jo vetëm.

 

vdfh

Oliva është një parukier, nga Fuenlabrada dhe që nga “Euro 2020” (luajtur në vitin 2021) është bërë njeriu i besuar i lojtarëve të kombëtares spanjolle për t’u kujdesur deri në detaje për prerjen e flokëve të tyre. Ai nuk e fsheh dot lodhjen pas një dite intensive stilimi në kompleksin luksoz “Der Öschberghof” kampi bazë i “La Roja”-s gjatë Europianit, por edhe i berberit të tyre për disa orë. “U ngrita të premten në pesë të mëngjesit. Mora një fluturim nga Madridi për në Mynih dhe prej andej edhe tre orë e gjysmë për të shkuar në qendrën stërvitore të ekipit në Pyllin e Zi. Kam kaluar rreth tetë orë, deri në agim, duke prerë flokët pa pushim. Ndalova vetëm për një çerek ore për të ngrënë diçka”, thotë ai.

Aty qarkulluan shumë lojtarë dhe një pjesë e stafit teknik të kombëtares spanjolle. Ai nuk mund të përcaktojë nëse ishin 16 apo 17 gjithsej, megjithëse kujton se disa, si Kukureja as që e morën mundimin ta vizitonin. Historia e tij si parukier për futbollistë daton shtatë vjet më parë.

“I pari ishte Vitolo kur mbërriti te Atletiko Madrid nga Sevilja”. Sot, disa lojtarë të Realit të Madridit, Atletikos dhe Vajekanos janë bërë klientët e tij të rregullt. Gjatë ngjarjeve të mëdha si kampionati evropian në Gjermani, ngarkesa e tij rritet, diçka që merret si një përvojë idilike.

“Kam luajtur futboll gjithë jetën time dhe kjo është ajo që më pëlqen të bëj, të luaj futboll dhe të pres flokët, kështu që kjo është një ëndërr për mua”, tregon plot krenari ai.

KAPITENI MORATA – Në rrëfimin e tij, Oliva ka treguar se ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me kapitenin e kombëtares spanjolle, Alvaro Morata. Kapiteni i “La Roja”-s është ai që ka promovuar ardhjen e tij në Donaueshingen për të zbukuruar dhomat e zhveshjes.

“Meqenëse i kam prerë flokët Hoselut, Karvahalit dhe disa lojtarëve të tjerë në Madrid, ata po flisnin për të parë se cili parukier do të ishte me ta në Gjermani. Unë vij në emër të Alvaro Moratës, por këtu ishte edhe parukieri e Pedrit, një djalë nga Barcelona i quajtur Saul, dhe të dy kemi qenë dorë për dore”.

Oliva ka treguar se e ka pasur jo të lehtë të shkurtonte flokët e Niko Uilliams para Gjeorgjisë.

“Ai ka një stil të veçantë, një nga modelet më ekstravagante të flokëve të turneut, por nuk ka dashur të bëjë asnjë ‘premtim’ për një ndryshim rrënjësor të stilit, pavarësisht rezultateve të mira që skuadra vazhdon të festojë”, deklaroi ai.

Oliva e ka mbyllur intervistën e tij me shpresën që ky udhëtim të mos jetë i fundit gjatë Europianit.

“Unë do të martohem më 13 korrik, një ditë para finales. Nëse do të mbërrijnë, gjë që shpresoj dhe shpresoj se do të ndodhë, të shohim se si ia dalim një ditë më vonë unë dhe gruaja ime të vijmë në Gjermani dhe të festojmë Kampionatin Europian me unazë. Morata është i ftuar, por më ka premtuar finalen si dhuratë martese”, tha ai.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura