Kaosi në Kuvend/ PS përjashton me 10 ditë 3 deputetë të Partisë Demokratike që bllokuan punimet, ja ligjvënësit që mbeten jashtë Parlamentit

Nov 4, 2023 | 7:51
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Tre deputetë të opozitës u përjashtuan me 10 ditë nga jeta parlamentare për shkak të trazirave në seancën parlamentare të 2 Nëntorit.

ervin salianji kuvend tymuese4

Vendimi u mor nga Komisioni i Etikës për deputetët Ervin Salianji, Petrit Doda dhe Edmond Spaho. Masa e përjashtimit për 3 deputetët ishte kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Ata bëjnë përgjegjës për pengimin e zhvillimit të një seancë normale parlamentare në datën 2 Nëntor, deputetin Ervin Salianji, Petrit Doda dhe Edmond Spaho.

Komisioni i Etikës u zhvendos online pasi deputeti i PD-së, Flamur Noka shkuli mikrofonat në sallën ku zhvilloheshin mbledhjet.

Ndaj Komisioni i Etikës vendosi që deputetët e opozitës që shkaktuan kaos në Kuvendin e Shqipërisë, duke bllokuar punimet do të përjashtohen me Zoom. Në një njoftim, thuhet se zhvillimi i mbledhjes do të mbahet në orën 14:30, përmes aplikacionit online.

“Bej me dije se Sot më datë. 03.11.2023. ora 14.30 Sekretariati për Procedurat e Votimit dhe Etikën zhvillon mbledhje për të diskutuar lidhur me 1. Shqyrtimin e kërkesës të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për: “Marrje mase disiplinore”. Mbledhja do të zhvillohet online në platformën zoom”, thuhet në njoftim.

Kërkesa për përjashtimin e tyre u bë nga grupi i PS-së pas kaosit të krijuar në seancën parlamentare ku u hodhën flakadanë, ndërsa karriget u rrëzua në mes të Kuvendit.

“Në seancën e datës 02.11.2023, deputetët e opozitës për të disatën herë, në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, penguin zhvillimin e regullt të punimeve plenare, duke larguar nga vendet karriget e deputetëve të mazhorancës dhe vendosur si barrikadë përpara foltores duke e bllokuar si dhe duke përdorur lëndë piroteknike (flakadanë) në sallën e Parlamentit. Në nisje të seancës, deputeti Ervin Salianji, zaptoi foltoren, duke penguar zhvillimin normal të punimeve plenare, si dhe i ndihmuar nga deputetët Petrit Doda dhe Edmond Spaho ndezi disa flakadanë në sallen e seancave. Teksa një punonjës i Gardës së Republikës tentoi t’i largojë flakadanin, Salianji hodhi një karrige në drejtim të tij. Këto veprime vazhduan gjate gjithë seancës plenare duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të saj. Paraqesim kërkesën si me poshtë: – Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Ervin Salianji, Petrit Doda, Edmond Spaho. – Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për Vlerësimin e Masës”, thuhet në kërkesën e PS-së.

Ndërkohë, në Prokurorinë e Posaçme dje u paraqit edhe deputeti i PSsë, Vullnet Sina, i cili do të pyetet në lidhje me verifikimet e nisura nga SPAK pas kallëzimeve të bëra në lidhje me dhunën e ushtruar në Kuvend në seancën e të hënës. I kallëzuar në SPAK është deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati. Prokuroria më herët ka kërkuar edhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë në Kuvend, me qëllim verifikimet e nisura, nëse do të regjistrohet një procedim penal për rastin apo jo.

Vendimi i Sekretariatit të Etikes vjen pas kaosit të krijuar në seancën parlamentare të së enjtes. Përjashtimi me 10 ditë – thotë kuvendi – vjen pasi tre deputetët penguan zhvillimin normal të seancës duke i hequr deputetëve socialistë karriget dhe duke përdorur lëndë piroteknike. Po aq deputetët penguan foltoren duke ngritur një barrikadë me karriget ku duhet të uleshin deputetët socialistë.

Ky është përjashtimi i radhës i demokratëve që nga nisja e aksionit opozitar. Demokratët janë të vendosur të pengojnë aktivitetin e Parlamentit deri në plotësimin e tre kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore dhe përfaqësimin në komisionin për reformën zgjedhore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura