Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, skandali antikushtetues

Feb 2, 2017 | 12:25
SHPËRNDAJE

fabian-zhillaDR. FABIAN ZHILLA

Procesi i emërimeve në organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë pa përfunduar procesi i vetingut është antikushtetues dhe rrezikon të bllokojë reformën në mënyrën sesi po administrohet.  Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, të paketës së ligjeve organike plotësuese, dhe vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që vuri vulën e kushtetueshmërisë mbi ligjin e “vetting”, tashmë reforma nuk ka asnjë pengesë që të fillojë zyrtarisht implementimin.

Vlen të theksohet se reforma në drejtësi përfshin tri kolona kryesore mbi të cilat është vendosur. Së pari, krijimin e organeve të përkohshme që kanë për qëllim kryerjen e procesit të “vetingut”, si Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Apelimit, dhe Komisionerët Publikë. Së dyti, ndryshimi i disa institucioneve ekzistuese të drejtësisë, si: Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Gjykatat etj. Së treti, krijimin e institucioneve të reja permanente, si: Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Inspektori i Përgjithshëm etj.

Por nga duhet të fillojë procesi i reformimit rrënjësor i pushtetit gjyqësor dhe prokurorisë shqiptare, për të qenë më eficent? Kushtetuta shqiptare, përfshirë amendamentet e fundit të saj, nuk i japin shprehimisht një përgjigje kësaj pyetjeje. Megjithatë, nga fryma e saj, dhe nga interpretimi sistematikoteleologjik (bazuar mbi logjikën kushtetuese dhe parimin e efikasitetit dhe mosbllokimit), është e qartë që reforma ndërtohej në dy faza, 1) pastrimi i sistemit të drejtësisë dhe 2) ngritja e organeve të reja dhe riorganizimi i atyre ekzistuese në një terren sa më të “pastër” nga “korporatizmi” dhe “korrupsioni” i sistemit. Pra, ky proces duhet të fillojë domosdoshmërisht nga krijimi i institucioneve të përkohshme që do të kryejnë “veting”- un.

Më pas, pasi gjithë gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë të kenë kaluar me sukses procesin e “veting”, vetëm atëherë mund të kalohet në dy hapat e tjerë, reformimin e institucioneve ekzistuese dhe krijimin e institucioneve të reja. Të këtij mendimi, me sa duket, janë edhe ndërkombëtarët (BE dhe SHBA), të cilët në mënyrë mjaft të shpejtë kanë përzgjedhur vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët do të jenë pjesë e procesit të rivlerësimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, dhe që pritet të mbërrijnë këtë javë në Tiranë. Bashkimi Europian e bëri mjaft të qartë këtë qëndrim që në datën 22 dhjetor, pikërisht në ditën e shpalljes të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e konsideronte kushtetues ligjin e “veting”, ku deklaroi zyrtarisht se: “BE inkurajon autoritetet shqiptare që të fillojnë urgjentisht me implementimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Por çuditërisht, në Tiranë, në vend që të fokusohen te fillimi i procesit për përzgjedhjen e individëve që do të merren me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijimin e stafeve ndihmëse, dhe përgatitjen e zyrave dhe bazës materiale të nevojshme për këtë proces, ka ndodhur një tjetër anomali. Institucionet shqiptare kanë vrapuar të zgjedhin anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është një organ i ri që u krijua nga ndryshimet e fundit të Kushtetutës. Sipas Nenit 149/d të Kushtetutës, “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore”, dhe ka si kompetencë thelbësore që të kryejë “verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese… dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale.”

Kjo renditje është mjaft e rëndësishme, sepse kthehet në renditje të detyrueshme kur Parlamenti i Shqipërisë nuk arrin të zgjedhë kandidatët e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë me shumicë të cilë- suar prej 3/5 të numrit të gjithë deputetëve. Në klimën e rënduar të politikës shqiptarë, ky numër votash është shumë i vështirë të arrihet, prandaj roli i renditjes që bën Këshillit i Emërimeve është thelbësor. Shkurt, edhe pse Kushtetuta dhe ndërkombëtarët po këshillojnë tjetër gjë, në Tiranë po vrapohet se kush e kush të ndikojë në zgjedhjen e anëtarëve të këtij organi, që praktikisht do të zgjedhë Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

E në fakt, para pak ditësh, më 27 janar, Kuvendi i Republikës nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit shpalli në mënyrë të papritur se kishte hedhur shortin dhe kishte përzgjedhur 9 kandidatët gjyqtarë dhe prokurorë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Por cilat janë problemet thelbësore dhe proceduriale të këtij zhvillimi të papritur?

Së pari, siç edhe u theksua më sipër, ky nuk mund dhe nuk duhet të ishte kurrsesi hapi i parë i reformës në drejtësi. Zgjedhja me short e Këshillit të Emërimeve nga lista e gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë, pa i kaluar ata më parë nga procesi i “veting”-ut, është haptazi antikushtetues, pasi bie ndesh me frymën dhe qëllimin e vetë reformës, madje e minon atë nga brenda.

Qëllimi i kësaj reforme është që të kryejë një proces vlerësimi tërësor të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, duke kontrolluar pasurinë, figurën dhe aftësitë e tyre profesionale. Vetëm pas kalimit me sukses të këtij procesi, dhe vetëm atëherë gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë janë të legjitimuar të marrin pjesë në organet e reja kushtetuese që u krijuan. Në rast të kundërt, çfarë kuptimi do të kishte reforma, nëse këta anëtarë, të cilët de facto zgjedhin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese apo Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, do të jenë vetë aq të “inkriminuar” saqë nuk do të kalonin me sukses procesin e rivlerësimit?!

Së dyti, krijimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në këtë fazë, pa i kaluar ata më parë nga procesi i “veting”-ut, bie ndesh edhe me praktikën e ndërkombëtarëve, të cilët shpejtuan të sjellin vëzhguesit ndërkombëtarë në Tiranë. Këta vëzhgues, në vend që të gjenin të përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të filluar urgjentisht procesin e selektimit të individëve që do të përzgjidhen për në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin i Apelimit, të cilët do të kryejnë procesin e “veting”-ut, në fakt ajo që po gjejnë është krijimi i organeve të reja kushtetuese me gjyqtarë dhe prokurorë që ende s’e kanë kaluar procesin e “veting”- ut, e që do të jenë objekt i saj.

Së treti, jo vetëm thelbësisht, por edhe procedurialisht, përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është antikushtetuese. Sipas Nenit 149/d të Kushtetutës, organi i parë kompetent për zgjedhjen e tyre me short është Presidenti i Republikës, i cili “përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative”.

Më tej, Kushtetuta sqaron se “nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik”. Nëse do t’i qëndrojmë ad litteram Kushtetutës, organi i cili duhet ta bënte përzgjedhjen me short, ishte Presidenti i Republikës, e nëse afati i tij mbaroi në 5 dhjetor, edhe afati i Kryetarit të Kuvendit mbaroi në 10 dhjetor të vitit që sapo lamë pas. E nëse për këtë vit të parë do pranojmë se këto afate nuk mund të zbatoheshin sepse pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese, atëherë përsëri organi që duhet ta hidhte shortin është Presidenti i Republikës dhe jo Kryetari i Kuvendit. Prandaj përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është kushtetueshmërisht nul.

Së katërti, procedura e përzgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi bie ndesh haptazi edhe me ligjin, e konkretisht pikën 4 dhe 5 të nenit 221 të Ligjit nr.115/2016. Sipas këtij ligji, kompetencën për të verifikuar plotësimin e kushteve të kandidatëve gjyqtarë dhe paraqitjen e listës së atyre kandidatëve që plotësojnë kushtet, e ka vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor (organ i cili nuk është krijuar ende), dhe jo Këshilli i Lartë i Drejtësisë që është aktualisht.

Ky fakt është pranuar publikisht edhe nga Deklarata për Shtyp e datës 27.01.2017 e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila duke dashur të justifikohet e të mbrojë shkeljet proceduriale ligjore në këtë proces, në fakt, me siguri në mënyrë të pavullnetshme zbulon një të vërtetë edhe më të madhe, kur deklaron se: “KLD nuk ka bërë publike në faqen zyrtare të listave me kandidatët që i plotësojnë kushtet, si dhe nuk ka njoftuar me shkrim, individualisht kandidatët e përjashtuar, sepse (…) të dyja këto kompetenca, të parashikuara respektivisht në pikën 4 dhe 5 të nenit 221 të ligjit nr.115/ 2016, janë detyrime të Këshillit të Lartë Gjyqësor, si organ i cili verifikon plotësimin e kushteve të kandidatëve dhe paraqitjen e listës së kandidatëve që plotësojnë kushtet, Presidentit të Republikës”. Është e qartë se KLD-ja aktuale, ose duhet të mos kryente asnjë funksion nga ato që janë në kompetencë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ose nëse do ta bënte këtë gjë në “kapërcim” të ligjit, ishte e detyruar të përmbushte të paktën parimet e ligjit që “kapërceu”.

Por anomalia ligjore dhe kushtetuese është edhe më e madhe, nëse do të shikojmë procesin e propozimeve të përfaqësuesve të prokurorisë në Këshillin e Emërimeve. Në mungesë të një numri të konsiderueshëm të magjistratëve në prokurori, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla në datën 19.01.2007, me shkresën nr. 174/4 ishte i detyruar të çonte vetëm 3 magjistratët e gjendur në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të prokurorëve nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit.

Problemi i parë lidhet me analizën difektoze paraprake të ligjit nr. 115/ 2016, e cila nuk kishte parashikuar se prezenca e magjistratëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ato të Gjykatave të Apelit është në mënyrë skandaloze i ulët. Ky rast tregoi se sa hermetike ka qenë prokuroria dhe se sa i nevojshëm është reformimi i saj. Problemi i dytë është cenimi i frymës së ligjit, i cili jo pa qëllim ka parashikuar që të çohet një listë me emra ku të përfshihen edhe zëvendësuesit (neni 220/3) për t’i dhënë mundësinë Presidentit të Republikës apo Kryetarit të Kuvendit të përzgjedhin nëpërmjet shortit.

Është e paqartë si në Kushtetutë dhe në Ligj se çfarë do të ndodhë nëse një nga kandidatët e prokurorisë skualifikohet për konflikt interesi apo nga procesi i “vetingut”. Kush do të jenë zëvendësuesit e tyre, duke pasur parasysh se nuk ka sot magjistratë të tjerë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ato pranë Gjykatave të Apelit, përveç 3 emrave të propozuar aktualisht. Së fundi, moskryerja fillimisht e “veting”- ut dhe ndjekja e tij më pas me emërimet ka filluar të japë shkëndijat e para të krizës institucionale që mund të minojë Këshillin e Emërimeve.

Kështu, kandidatë të propozuar si nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, janë tërhequr, madje gjyqtari Vladimir Kristo nxjerr në pah edhe njëfarë mungese transparence të mënyrës sesi kryhen këto propozime nga këto gjykata. Mirela Fana, që u përzgjodh si përfaqësuese e Gjykatës së Lartë, dhe që sipas Kushtetutës do të mbante ex officio edhe pozicionin e Kryetares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nuk pranoi t’i nënshtrohej procesit të “veting”-ut duke dhënë dorëheqjen.

Të njëjtin fat nga “veting”-u mund të pësojnë edhe ndonjë tjetër, shumica e tyre, apo të gjithë anëtarët e përzgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke e lënë këtë institucion të paplotë apo të boshatisur. Në fakt, qëllimi i Kushtetutës është më se i qartë: ajo kërkon një Këshill të denjë, të dalë nga një short i denjë, nga anëtarë gjyqtarë e prokurorë të denjë që kanë kaluar denjësisht procesin e “veting”-ut. Për fat të keq, duket se procesi i reformimit të gjyqësorit dhe prokurorisë shqiptare nuk ka për të qenë aspak proces i thjeshtë.

Autoritetet shqiptare duhet të bëjnë çfarë është e mundur që të krijojnë kushtet për përzgjedhjen e personave të duhur që do të kryejnë “veting”-un e ta fillojnë atë sa më parë. E vetmja mënyrë për ta zhbërë këtë anomali kushtetuese është t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, para se ajo të tkurret më tej nga “vetingu”, që ajo të shpallë antikushtetuese zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura