Jo vetëm për njerëzit e saj të afërt, por edhe për ata që nuk i humbasin rubrikat e gatimit në televizion, pasioni i Avokates së Popullit, Erinda Ballancës, për gatimin është i njohur.
Sot, koha e kufizuar nuk e lejon të rrijë aq sa do donte në kuzhinën e saj të bardhë e të ndriçuar, që mban gjithnjë aromë të mirë keku, o biskotash, por sa herë është e lirë, shfleton librat e saj të gatimit, bën receta të reja e të vjetra.
Në çdo rast, gjithçka është e kuruar me kujdes, nga serviset e deri tek ajo që është më e rëndësishmja, shija! Sot, në prag Krishtlindjesh, Erinda ka ndarë me ne recetën e gjelit të detit që, ashtu siç e bën ajo, është më i miri në botë!
Që receta e këtij gjeli të rezultojë i shkëlqyer, ka disa sekrete. Erinda nuk i ka mbajtur për vete, na i tregoi të gjitha. Përpara se të shkoj për pjekje, gjeli duhet të marinohet. Është pikërisht marinimi dhe temperatura e ulët gjatë pjekjes (duke zgjatur rrjedhimisht, kohën e saj), që e bëjnë gjelin të jetë i butë.
Në rast se mishi i derrit nuk është i preferuari juaj, mund ta zëvendësoni me salsiçe të freskëta viçi. Nëse kjo është opsionale, për avokaten është ‘kusht’ që gjeli të qëndrojë, një natë para sa të gatuhet, në lavamanin e mbushur me një shishe uthull të bardhë dhe ujë. Nëse gjeli është i madh, duhet të vendosim sipër tij një pecetë kuzhine në mënyrë që të marrë lagështinë e marinimit.
Pasi të keni vendosur brenda gjelit mbushjen e përgatitur sipas udhëzimeve të recetës, duhet të qepni pjesët e gjoksit dhe barkut me ndihmën e një gjilpëre të madhe dhe spangoje kuzhine. Gjatë pjekjes së ngadaltë, duhet ta lyejmë me salcë soje, gjalpë dhe Cayene Pepper (pluhur speci të kuq).
Për të kuptuar nëse është pjekur ashtu siç duhet, duhet të bëjmë provën me një shkop shishqebapi duke e zhytur në pjesën e tulit. Nëse lëngu që rrjedh është i qartë, nuk ka shenja gjaku, atëherë gjeli është pjekur siç duhet. Gjysmë ore përpara përfundimit të pjekjes, heqim letrën e aluminit me të cilën e kemi mbështjellë në fillim, dhe e lëmë të marrë ngjyrën e mrekullueshme të kuqërremtë.
Gjel deti i mbushur me salsiçe derri, spinaq dhe mollë
Koha e përgatitjes: 45 minuta, plus ftohja Koha e pjekjes: 1 orë e 30 minuta 280 kalori për racion për 8 persona 224 kalori për racion për 10 persona;
Përbërësit për 8-10 racione: Dy lugë gjelle vaj 150 gramë qepë të grira hollë 225 gramë spinaq i freskët; i prerë në copa nëse gjethet janë të mëdha 2 mollë të qëruara, të pastruara dhe të prera në copa të mëdha 450 gramë mish derri i grirë dhe i përpunuar Lëkura e grirë në rende e një limoni Një lugë gjelle trumzë, e grirë hollë 100 gramë thërrime buke 2 vezë të mëdha, të rrahura Kripë dhe piper i zi i freskët
Përgatitja: 1. Ngrohni vajin në tigan, shtoni qepët dhe skuqini për 10 minuta derisa të zbuten. Rrisni nxehtësinë, shtoni spinaqin dhe skuqeni derisa qullet. 2. Shtoni mollët dhe skuqini për 2-3 minuta duke i trazuar. Lërini të ftohen. Sapo përbërja të ftohet, përziejeni me mishin e grirë të derrit, me lëkurën e limonit, trumzën, thërrimet e bukës dhe vezët. Mbushja e mishit mund të jetë e ngrirë, ose të jetë bërë gati dy ditë përpara dhe të jetë mbajtur në frigorifer. 3. Gatuajeni gjelin, pasi të keni vendosur brenda tij mbushjen e parapërgatitur, në një tepsi të lyer me gjalpë të mbuluar me letër kuzhine në 180 gradë celsius për një orë e gjysmë, ose derisa të piqet edhe brenda.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al