Kirurgia e parë femër në Shqipëri, Margarita Siomockina Basha: Si e la Rusinë për dashurinë dhe si i shpëtoi burgut

Mar 11, 2013 | 15:41
SHPËRNDAJE

Margarita, doktoresha Basha, apo shkurt Rita, e la Rusinë, përveçse për dashurinë, edhe për lirinë. Të qenit gjeografikisht afër Italisë e bënte atë të mendonte se mund të gjente këtu një vend të lirë. Dashurinë e mbajti, lirinë e humbi përgjithnjë. Me familjet nuk u pa deri sa prindërit ndërruan jetë e prej tyre dëgjoi vetëm kujtimet që i kishte mbledhur e motra dhe nipërit. Këto e të tjera detaje nga jeta e kirurges së parë në Shqipëri, i sjell Elsa Ballauri.

Shqipëria, është njohur me shumë histori ruse, si pasojë e lidhjes së ngushtë dhe përkushtimit politik me atë vend. Por pavarësisht nga kjo e fundit,lidhja shpirtërore e shqiptarëve dhe rusëve ishte simpati e vërtetë dhe e pambaruar. Studentët shqiptarë që studiuan në Rusi, patën andej historitë e tyre të dashurisë. Disa prej tyre, i ndoqën të dashurit e tyre nga pas, pa e ditur se ç’i priste, pa e ditur që  gjithë ajo miqësi, do t’iu kushtonte më vonë dashurinë me të afërmit e tyre, sepse shumica e ruseve që erdhën në Tiranë, këtë fat patën. Njëra prej tyre, ishte mjekia kirurge Margarita Basha, e shoqja e Fiqiri Bashës, mjek anatomist i cili e kishte njohur Ritën në fakultetin e mjeksisë në Gorki.  Të pyesësh sot, më të vjetrit, ata që e kanë njohur, për Margaritën, e identifikojnë menjëherë si mjekja e rreptë, precize, me duar të vogla që përkushtohej edhe pas punës në çdo orë, kurdo e kushdo që ta thërriste.
Për ta njohur Margaritën më mirë, natyrisht që nuk mjaftojnë vetëm kujtimet e copëzuara të atyre që kanë ndarë me të punën, apo shkarazi e kanë parë të zbriste e ngjiste shkallët e spitalit. Një njeri që e ka njohur po aq sa fëmijët e saj, që ka jetuar për vite të tëra në një shtëpi me të si nusja e djalit të madh të Margaritës, Viktorit, është Elsa Ballauri.

Margarita me të shoqin, Fiqiriun

Elsa, që Margarita ka ardhur në Shqipëri për shkak të dashurisë me Fiqiriun, kjo dihet si shumë histori të tjera të ngjashme, por si ka qenë historia e tyre…kur kanë ardhur në Tiranë?
Fiqiriu u kthye më parë nga Rusia, pas studimeve për mjeksi, ndërsa Margarita Sjomoçkina (kështu ishte mbiemri i doktoreshës Basha)erdhi për herë të parë në vitin 1955. Studiuan bashkë në ish qytetin e Gorkit, sot Nizhny Novgorod, një qytet në qendër të Rusisë të cilin e kam vizituar vite më vonë. Kanë treguar se Margarita ka qenë një studente e shkëlqyer, aq sa, profesorët në shkollë, e kanë përfshirë në operacione,  që kur ka qenë ende në fakultet. Në këto kohë u dashurua me Fiqiriun dhe vendosi që të vijë në Tiranë. Kur e kam pyetur, a ishte vetëm kjo arsyeja pse zgjodhi të vinte, më thosh se e shihte Shqipërinë si një vend afër Italisë,ku liria do të kishte një portë të madhe. Duhet të kujtojmë që asokohe regjimi stalinist ishte shumë i rreptë në ish Bashkimin Sovjetik. Parafytyrimi i saj kishte qenë se do gjente një vend ndryshe. Kështu që dashuria dhe liria ka qenë motive të forta. Në Tiranë gjeti një familje tiranase me njerëz të dashur dhe mendoj se një nga arsyet e moslargimit më vonë ka qënë edhe kjo gjë. Margarita tregonte se vjehrra e saj, apo gjyshja e të shoqit si edhe vëllezërit e Fiqiriut e pritën ngrohtë,ajo mësoi shumë prej tyre. Kujtonte se Tirana e vogël i kishte bërë përshtypje krahasimisht me qytetin e saj prej tre milion banorësh, dhe se në Tiranë pa gomar për herë të parë në jetën e saj.
Kur erdhi në Tiranë, u emërua menjëherë kirurge?
Po, madje ka qenë kirurge e çdo lloji sepse në atë kohë nuk kanë qenë të ndara kirurgjitë. Margarita ka patur një përkushtim të jashtëzakonshëm në punë dhe ka qenë shumë e guximshme, aq sa mjektë thonë që si ka ardhur ende Shqipërisë një grua me ‘guxim burri’. Ama në rast se dyshonte se mund ta bënte një gjë, nuk e merrte përsipër. Thonte nuk mund ta bëj dhe e linte, ky është një tipar aspak shqiptar, siç ishin edhe shumë të tjera te ajo.

Me të shoqin dhe me njërin nga djemtë

Për shembull…
Së pari nisem që nga raporti im, nuse-vjehërr që ishte larg klasikut, larg idesë së vjehrrave shqiptare. Kisha me të dy ata raport shumë të mirë edhe pse ishin mendjehapur. Nuk bënë asnjë pyetje kur unë vendosa të mos e ndërroj mbiemrin tim, apo e quajtën normale kur i thërrisja në emër. Pastaj mund t’iu tregoj për kujdesin që tregonte ndaj vetes. Margarita kishte flokë të gjatë të drejtë bjondë, me kaçurrela të lehta që i kujdeste çdo natë përpara se të flinte. Kujdesej rregullisht për veten, fytyra, veshja. Edhe kur ishte pushim e s’i duhej të shkonte në punë, lyhej dhe rregullonte veten që në mëngjes, pastaj niste të merrej me gjërat e tjera të shtëpisë.
Siç mund të ishte për shembull gatimi?
Po, edhe gatimi një ndër të tjera. Por nuk ishte ajo vetë.Ne ato vite mund te them se çifti Basha ishte jashtëzakonisht bashkëpunues. Kanë qenë modeli i çiftit modern që qysh atëherë alternonin edhe punët e shtëpisë për të ndihmuar njëri-tjetrin. Puna e kirurges e së shoqes, e kishte bërë doktor Bashën të ndihmonte sistematikisht në shtëpi dhe ai këtë e bënte me shumë dëshirë. A kishte shumë humor, gatuante dhe ishte i qetë. Por nuk mund të bënte dot dy gatimet tipike ruse; pirashkitë dhe borshin. Djemtë e saj ishin shumë të lumtur në këto ditë, sidomos dy binjakët, Alberti dhe Andrea.
Çfarë ndodhi me të kur dashurisë sonë për Rusinë i erdhi fundi?
I çuan të dy, bashkë me Fiqiriun në Gjirokastër, ose më mirë mbulonin ata gjithë pjesën e jugut, shtuar këtu edhe Sarandën, Tepelenën, Përmetin. Ishin të vetmit kirurgë për këto katër rrethe. Margarita mund të kishte përfunduar edhe më keq se kaq, mund të ishte burgosur por e ka mbrojtur nami si mjeke e mirë dhe mendoj se më shumë e ka shpëtuar rastësia. Të tre djemtë, në ato katër vite, jetuan në Tiranë këtu me gjyshe Meremen.

Fiqiri Basha

Me ndryshimin e atmosferës, ç ‘qëndrime mbajti?
Po në përgjithësi situata u rëndua sepse ambienti përreth saj po bëhej i sikletshëm. Tregonte që e thërrisnin në hetuesi ku i bënin një sërë pyetjesh provokuese në lidhje udhëtimet, shëtitjet apo pushimet në plazh, ku mblidheshin, çfarë bisedonin, etj.  U rëndua edhe mënyra e tyre të të jetuarit. Fiqiriu kishte një makinë ‘Pabieta’ të cilën ja morën. Ishte koha e zhdukjes përfundimtare të pronës private. Të dy u tërhoqën shumë nga shoqëria, frika nga burgu ishte e madhe. Por në këtë situatë lidhja me njëri tjetrin u bë më e fortë. Një marrëdhënie e rrallë dashurie dhe përkushtimi.
Ku punoi pasi u kthye nga Gjirokastra?
Fiqiriu vazhdoi të punojë si pedagog në fakultettin e mjeksisë, ai ishte hartues i tekstit të anatomisë. Margarita u emërua mjeke te ambulanca numër 5. Mendoni një kirurge të klasit të parë, të shkoj të lidh plagë të zakonshme, të lehta. Por edhe kështu, ajo punonte njësoj, me të njëjtin përkushtim që i kërkonte edhe një operacion. Me ato duart e saj magjike, lidhte plagë e bënte ç ‘nevojë të kishte pacienti për të cilin ngrihej e shkonte në fund të botës.
Këtë pozicion pune pati gjithnjë në vazhdim?
Po. Edhe pse u dobësua, nuk ishte më e fuqishme sa më parë. Gjatë një udhëtimi në Gjirokastër, pësoi një aksident. Plaga ju kthye në tumor për çka duhej të kurohej jashtë. Shkoi në Vjenë për tu kuruar.
Si e lejuan të shkonte jashtë?
Fiqiriu ka qenë në klasë me Ramiz Alinë, në shkollën Normale të Tiranës, mesa mbaj mend kjo njohje e vjetër e ndihmoi. Atij iu drejtua, i bëri kërkesë që t’ia mundësonte këtë udhëtim. I thonte Margaritës nuk kam për të të lënë të operohesh këtu, dhe në fakt arriti ta shpjerë andej.
Me familjarët e saj kishte marrëdhënie?
Me familjen u takua vetëm në 2-3 vitet e para pasi kishte ardhur në Tiranë. Vitet e para ishte ende e lejuar te vizitoje Bashkimin Sovjetik. Por jo pas vitit 1960. Në atë kohë, më tregonte se Fiqiriu i pat thënë që nëse donte, ishte e lirë të largohej, të kthehej në vendin e saj me gjithë mirëkuptimin e tij, sepse askush nuk i kishte parashikuar që gjërat të shkonin ashtu. Por ajo nuk pranoi.
Po letra shkëmbenin?
Po në letra flisnin vazhdimisht.
Margarita ka jetuar deri pak vite më parë, pas ’90-ës shkoi në vendin e saj?
Patjetër që shkoi menjëherë pas ’90-ës por për shumë pjesëtarë të familjes ishte tepër vonë. Të dy prindërit i kishin vdekur dhe një vëlla. Vetëm me motrën arriti të takohej dhe gjithnjë ka qenë e pangushëlluar nga kjo anë, siç kushdo mund të ishte.
Edhe sëmundja bënte të sajën… u rëndua me vitet?
Po domosdo, është një rrjedhë e pashmangshme, ama nuk e humbi kurrë nuhatjen profesionale. Na vinin shpesh njerëz në shtëpi për t’u vizituar prej saj ishte po aq e saktë sa më parë, po aq me interes per t’i shëruar.
Ata që e kanë njohur tregojnë se ishte pak natyrë e sertë, pak e rëndë…
E kam dëgjuar edhe unë ta thonë, dhe në fakt ishte, por jo ashtu si thoni ju. Ishte e prerë, ishte e drejtpërdrejtë, nuk gënjente dhe ishte antikonformiste. Kishte një sinqeritet të ftohtë, kjo është në kundërshtim me natyrën tonë ballkanase ku gjerat nuk thuhen troç dhe ndryshe mendohet, ndryshe thuhet. Margarita nuk kishte lidhje me shqiptarët për këtë. Ju thashë më parë që Fiqiriu ishte natyrë e butë dhe liberal dhe të dy kompensonin njëri tjetrin. Nga ato që edhe unë dëgjoja prej miqve, doktoresha Basha ishte teper e rreptë sidomos në sallën e operacionit. Jam e sigurt që infermieret “dridheshin” përpara sjelljes së saj strikte gjatë punës, mund t’iu fluturonte ndonjë napë mbi kokë nëse nuk ishte aq e pastër sa ç’duhej për të mbuluar veglat e operacionit. Mbaj mënd të ndjerin Dor Keko,shok me binjakët që më pyeste për Margaritën duke kujtuar me humor se “iu dridheshin këmbët’ kur ajo hynte në shtëpi dhe i pyeste për detyrat. Por unë mendoj se ajo dinte ta kombinonte shume mirë kërkesën e llogarisë me natyrën e saj të brishtë dhe të dhimbsur. Sidomos dhimbsurinw e shihja me fëmijët e mij të cilët i rriti dhe me të cilët edhe ajo, edhe Fiqiriu komunikonin në rusisht, të preokupuar për t’ja u mësuar gjuhën. Margarita ishte shumë komplekse në personalitetin e saj, dhe padyshim një grua e rrallë dhe me shumë vlera dhe unë kam qënë me fat që e kam njohur.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura