Klodian Duro e di mirë se si duhen përgatitur sfida të tilla. Mesfushori me eksperiencë i Kombëtares mendon se skuadra duhet të jetë e qetë përpara një ndeshjeje të tillë, që sipas tij, nuk duhet fryrë shumë. “Së pari, ne duhet të ruajmë këtë frymë grupi, e cila na ka karakterizuar gjatë gjithë periudhës së këtyre eliminatoreve. Bosnjën nuk duhet ta marrim si një ndeshje për jetë a vdekje. Duhet të fokusohemi më shumë në faktin se kjo është thjesht një sfidë e radhës për ne. Nëse themi që është një finale, e fryjmë shumë, sepse e përjetojmë në një mënyrë tjetër. Ne duhet ta përgatisim ndeshjen me qetësinë e duhur, për të hyrë më pas në fushë me një mentalitet fitues. Personalisht, barazimin do ta quaja një rezultat të madh, sepse çdo pikë e fituar vlen shumë në tabelë, por fitorja do të ishte gjëja më e bukur. Nëse marrim tri pikë, sigurisht mund të themi se jemi me një këmbë në Europian”,- është shprehur fillimisht gjatë konferencës së djeshme për shtyp “veterani” i kuqezinjve. Lojtari i Lask Linzit në Austri, i pyetur për avantazhet dhe disavantazhet e kundërshtarit, shtoi: “Bosnja, ashtu si ne sulmon shumë mirë, ka edhe defektet e saj në aspektin mbrojtës. Ata nuk dinë të mbrohen edhe aq mirë, ndërkohë që ne, përveçse duhet të jemi mirë në prapavijë, duhet të sulmojmë fuqishëm për të arritur te goli. Duhet të shfrytëzojmë ndonjë gabim të kundërshtarit dhe uroj që të ndodhë e njëjta gjë si në ndeshjen e parë. Nëse arrijmë t’i bllokojmë minutat që kalojnë pa pësuar gol, atëherë koha do të punojë në favorin tonë”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al