KLSH kërkon shkarkimin e Ceno Klosit, por e shpërblejnë me post. Investigimi i “Vetting”: Lidhje të dyshimta me kompaninë e Rindërtimit! Si i ngjiti shkallët kryetatimori në institucionet publike

Feb 23, 2024 | 13:00
SHPËRNDAJE

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar largim nga puna të Ceno Klosit kur ai ishte në krye të Agjencia e Ujësjellës Kanalizimeve dhe të OSHEE. Por në vend të shkarkohej, sipas rekomandimit të KLSH-së, qeveria aktuale e ka ngritur në detyrë.

Si i ngjiti shkallët kryetatimori brenda institucioneve publike?

Karriera e Klosit në administratën publike ka filluar më vitin 2015, ku do të emërohej Drejtor Ekonomik tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, pozicion që e mbajti deri nga mesi i vitit 2021. Në raportin e KLSH, për periudhën 2017-2020, për OSHEE evidentohet mungesa e procedurave dhe afateve të monitorimit të skadencave të detyrimeve të pagueshme, deri tek vonesat në regjistrimin e deklarimin e faturave në sistemin tatimor nga ana e Ceno Klosit. Rasti më flagrant është ai i një fature me vlerë rreth 150 milionë lekë, e cila rëndonte pozitat e kryetatimorit tek OSHEE-ja.

Ekskluzivisht “Vetting” ka zbuluar një faturë të miratuar nga Klosi, kur ka qenë Drejtor i AKUM, me vlerë 140 milionë lekë, për kompaninë “ITS”, e cila ka në zotërim inceneratorin e Fierit. Kjo kompani u hetua nga SPAK si strumbullari i skemës që kryente pagesat fiktive dhe kanalizonte ryshfetet e pretenduara. Në këtë logjikë edhe Ceno Klosi nuk ka hezituar të kalojë një faturë rimbursimi TVSH-je me vlerë 140 milionë lekë. Kjo faturë është lëshuar për kontratën e landfillit të Sherishtës në Vlorë! Midis personave të dënuar për Inceneratorin e Fierit është edhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i AKUM-i, Alqi Bllako, i zgjedhur deputet më 2021 dhe tashmë i dënuar për aferën e inceneratorëve.

“Vetting” ka zbuluar se nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës – Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta janë paguar të paktën 2.4 milionë euro drejt kompanisë “Integrated Technology Services” ku kanë firmosur tre drejtorë.

Në qershor 2020, “ITS” në pronësi të Klodian Zotos, në bashkëpunim me kompaninë italiane “Bulfaro Spa”, u shpallën fituese të tenderit me vlerë rreth 10 milionë euro, për ndërtimin e landfillit me kapacitet prej 350 mijë ton mbetjesh. Landfilli i Sherishtës ndodhet 10 km larg qytetit të Vlorës dhe duhej të kishte përfunduar në vitin 2021.

Ngelet mister se si do të hapet landfilli, kur njëra nga kompanitë kryesore e ngarkuar me punimet, e ka në kërkim ndërkombëtar nga SPAK pronarin e kompanisë, Klodian Zoto.

Lidhjet e dyshimta me kompaninë e Rindërtimit

“Vetting” solli me dokumente se si babai i Spartak Kovaçit do ndërtonte me vëllain e kryetatimorit, Genti Klosin një resort gati offshore. Por kërkimet e “Vetting” alarmuan Genti Klosin, i cili pasi ishte njoftuar nga institucionet publike, shiti aksionet e kompanisë me vlerë 50 mijë lekë tek Petrit Kovaçi.

Vlera e ulët e aksioneve ka tërhequr edhe vëmendjen e SPAK, i cili ka zgjeruar hetimet për drejtorin Kovaçi për çështjen e resortit. Ekspertët kontabël ngrenë pyetje se si është e mundur që të shiten kaq lirë aksionet, kur kompania “ADRIATIC UNION” ka fituar lejen e zhvillimit nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit për ndërtimin e një kompleksi luksoz, ku vetë kompania zotëron toka dhe ndërtesa me vlerë 761 milionë lekë.

Por çfarë e lidh Klosin me Kovacin përveç vëllait?

Janë fondet e Rindërtimit, në këtë rast kompania “Vëllezërit Hysa”, ajo e cila zbulon fije të mundshme midis Spartak Kovaçit dhe Ceno Klosit. Fillimisht kompania “Vëllezërit Hysa”, në tetor 2021 së bashku me kompaninë  e babait të Spartak Kovaçit, Petrit Kovaçin, “ADRIATIK” dhe “2 T” shpk kanë fituar tenderin e Rindërtimit me vlerë 20 milionë euro nga Bashkia Durrës.

Ky tender është dhënë në konflikt interesi nga kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, ndërkohë që ka kaluar më shumë se një vit nga afati dhe punimet akoma nuk kanë përfunduar nga kompanitë e përfshira, pa marrë asnjë penalitet.

Por kjo kompani nuk është rastësisht në konsorciumin që ka fituar tenderin e Rindërtimit. Historia e kësaj kompanie e ndjek Ceno Klosin gjatë kohës që ka qenë në krye të AKUM-it.

Më vitin 2019, kompania “Vëllezërit Hysa” së bashku me kompaninë “BE IS” shpk do të fitonin tenderin për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në zonën bregdetare në qytetin e Vlorës.

Nga informacioni i siguruar nga raportet e KLSH-së, në kohën që ka qenë Klosi drejtor, rezulton se kompanitë lanë pa realizuar rreth 37% të punimeve, e cila kapte vlerën 163 milionë lekë ose 1,6 milionë euro.

Ky problem është evidentuar nga Ujësjellës Kanalizime Vlorë, i cili ka ç’montuar pompat e reja të vendosura  nga kompanitë që duhej të kishin realizuar tenderin.

Në përfundim të raportit për vitin 2022, si në rastin e OSHEE-së, KLSH-ja ka kërkuar largimin nga puna për drejtuesin, por ky rekomandim konsiderohet i ezauruar pasi Klosi ishte larguar nga institucioni për të marrë drejtimin e Tatimeve.

Aktualisht, Ceno Klosi vazhdon të jetë Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve në konflikt interesi me detyrën, tashmë, siç mësohet, edhe nën hetim.

1 2

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura