VALENTINA MADANI/ Premto Gogo apelon klasën politike që para se të miratojë Reformën Administrativo-Territoriale se duhet të përfshijë në procesin e konsultimeve edhe qytetarët.
Në të kundërt, kryetari i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), paralajmëron se qeverisja e re vendore dhe administrata e saj rrezikon të kthehet në një shtojcë militante të pushtetit qendror, e rrjedhimisht e lidershipit politik drejtues. Gogo thotë për gazetën “Panorama” se duhet dialog mes palëve për një Reformë të re Territoriale, ndërkohë që Reformën Zgjedhore e sheh si të vonuar.
Z. Gogo, pse nuk kemi një Reformë të re Territoriale prej 7 vitesh? Çfarë pasojash kishte reforma pa konsensusin e opozitës?
Reforma AdministrativoTerritoriale është një reformë madhore, e cila ndërmerret në zbatim të germës dhe frymës së Kushtetutës, atëherë kur është e nevojshme dhe gjykohet e tillë nga qytetarët. Kushtetuta e ka parashikuar miratimin e një ligji të tillë me një shumicë të cilësuar prej tre të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Por, përpara se të shkohet te miratimi i ligjit, ka nevojë të ndërmerret një proces i thelluar konsultimi dhe gjithëpërfshirje, i cili duhet të sigurojë dakordësinë e të gjithë aktorëve dhe veçanërisht të popullsisë që jeton në njësitë administrative që do të preken nga ndryshimi.
Procesi i zhvilluar në vitin 2014 ishte një proces i tillë, i njëanshëm, i braktisur nga opozita dhe që nuk vuri në qendër nevojat, shqetësimet dhe konsultimin e drejtpërdrejtë me popullin. Pasojat, sikurse i shihni sot, janë madhore dhe që në thelb kanë shkuar në krah të kundërt me aspiratat e reformës për vetëqeverisjen vendore, parimin e subsidiaritetit, decentralizimit të pushtetit dhe ofrimit më të mirë të shërbimeve të qytetarit në nivel vendor etj.
Kjo është një kambanë alarmi për të zgjuar fort të gjithë aktorët e shoqërisë sot, e veçanërisht ata politikë, që në proceset që priten të ndërmerren, të bëhen dhe të jenë pjesë e tyre, dhe të dialogojnë fuqishëm, në mënyrë të vërtetë e domethënëse me qytetarët e këtij vendi në të katër skajet ku ata jetojnë e përballojnë me mund jetesën e përditshme.
Si mund të arrihet decentralizimi i pushtetit vendor?
Një reformë e thelluar, sikurse u cek më sipër, me të gjithë aktorët e përfshirë dhe pjesëmarrës, detyrimisht do të shtrojë imperativin e përjashtimit të influencave autoritariste qendrore apo të ndalimit të përdorimit politik nga pushteti qendror, duke i hapur rrugë konkretisht marrjes jetë të decentralizimit. Nga ana tjetër, adresimi i tërë shqetësimeve që vijnë në zhvillimin e një procesi zgjedhor, sipas gjetjeve të OSBE/ ODIHR dhe të aktorëve vendorë, përfshirë KRIIK, do të ndihmojë në disiplinimin e vullnetit politik brenda caqeve të një demokracie normale, duke i hequr mundësinë e përdorimit të pushtetit.
Si duhet bërë reformimi i Territoriales?
Mendoj se është e gabuar të shkohet në një proces dialogu dhe reformimi me formula dhe përgjigje të gatshme. Në përfundim të analizave të bëra mbi kriteret kushtetuese që legjitimojnë dhe mbështesin reformimin e kufijve administrative, një aspekt tjetër që duhet të trajtohet e të gjejë rregullim është prekja e zonës zgjedhore, e cila në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare identifikohet me qarkun, ndërsa në zgjedhjet vendore identifikohet me bashkinë.
Në rastin e dytë, detyrimisht komponenti demografik, dhe rivijëzimet e natyrshme të kufijve me qasje, ndër të tjera, kulturore e historike, janë ato që duhet të prevalojnë, e jo sjellja e votuesve, sondazhet politike apo zvogëlimi apo zgjerimi i bastioneve politike të njërit apo tjetrit krah politik. Madje, në kontekstin e sotëm të gjendur, është me shumë rëndësi që të parashtrohet marrja në konsideratë e përfshirjes dhe pjesëmarrjes në këtë proces konsultimi edhe e shtetasve shqiptarë me banim parësor jashtë vendit, por me banim dytësor në territorin e bashkisë apo njësisë që i nënshtrohet ndryshimit.
Si i konsideroni propozimet e opozitës për shtimin e numrit të bashkive?
Nëse pikënisja e opozitës është qasja demografike, e një menaxhimi më të mirë të burimeve ekonomike apo edhe e ripopullimit të territorit, do të ishte për t’u vlerësuar dhe marrë në konsideratë seriozisht në procesin reformues që do të bëhet. Por nëse qasja kërkon një fragmentarizim më të madh të territorit, qoftë ky numër më i vogël se 372 njësitë e dikurshme dhe më i madh se numri aktual prej 61 bashkish, me qëllimin e ndarjes së tij si mundësi e shtuar për dominim politik, punësim apo ndarje pushteti për opozitën, sigurisht që ky është një propozim që na kthen së paku 20 vjet mbrapa në tranzicionin problematik shqiptar.
Po paralajmërimin nga PS për shkrirjen e qarqeve?
Është një ide e hedhur për konsum publik, për të cilën nuk kemi ende detaje. Duhet të presim prezantimin zyrtarisht të saj, me gjithë argumentimin dhe ndryshimet ligjore bashkëshoqëruese të parashikuara si të nevojshme për t’u ndërmarrë, e sigurisht edhe shqyrtimin e saj në detaje përgjatë procesit të gjerë të konsultimit. Ajo që mund të thuhet në këtë rast, nën këndvështrimin e zgjedhjeve të përgjithshme, është se prekja e qarqeve, rivijëzimi i rajoneve apo, thënë ndryshe, i “qarqeve të reja”, thjesht do të ndikonte numrin e deputetëve që do të dalin të mandatuar nga ky “qark i ri”.
Kjo sigurisht afekton dhe rrit distancën e banorëve të rajonit me deputetin e mandatuar, çka duhet parë me kujdes në aspektin e rregullimit dhe përfaqësimit nëpërmjet ligjit zgjedhor, me nevojën për ta integruar dhe parë në tërësi gjithë mekanizmin. Nga ana tjetër, mendoj se do të duhet t’i kushtohet rëndësi shqyrtimit dhe ridimensionimit të rolit të qarkut, tanimë në një territor më të madh, çka do të thotë më shumë përgjegjësi për të marrë përsipër dhe për të zhvilluar.
Me çfarë pakete ligjore duhet të shkohet në Kuvend për një reformë të re konsensuale?
Palët duhet të shkojnë me ide dhe programe të mbështetura qartazi në parime, standarde dhe në dispozitat dhe frymën e Kushtetutës, sigurisht duke marrë në konsideratë dhe tërë përvojën e deritanishme të ndodhur. Çdo nxitim për të pasur shpejt rezultate konkrete apo paketa të përfunduara, pa një proces të mirëfilltë konsultimi, sikurse u trajtua deri më tani, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të shënonte dështimin e radhës, të cilin do ta kuptonim dhe pranonim si të tillë, pasi të kemi konsumuar edhe një dekadë tjetër përpjekjesh e energjish të shpërdoruara.
Po për sa i përket Reformës së re Zgjedhore, a jemi të vonuar?
Nëse do t’i referohemi vendimit të Kuvendit të datës 10 shkurt 2022 për ngritjes e Komisionit, sigurisht që jemi të vonuar. Veçanërisht e lidhur kjo me amendimet e mundshme për zgjedhjet vendore të ardhshme që priten të mbahen në maj 2023.
Ndërsa për sa u përket elementeve të tjera që duhen adresuar, si: ligji për financimin e partive politike, për referendumet, për votimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, një ligj të ri për partitë politike, marrjen në shqyrtim të sistemit zgjedhor për një përfaqësim dhe shpërndarje sa më të mirë të mandateve, dhe veçanërisht hapja e sistemit për alternativa të reja politike etj., mendoj se Komisioni ka tërë kohën e nevojshme në dispozicion me fillimin e sesionit të ardhshëm të Parlamentit në shtator, duke qenë se hyrja në fuqi e tyre parashikohet jo më parë se prill-maji i vitit 2025.
Një rekomandim i veçantë që e konsiderojmë si tepër domethënës dhe shumë të rëndësishëm për t’u ndërmarrë, është rekomandimi i hershëm i KRIIK për aplikimin e administrimit të pavarur me një trupë jopolitike dhe me fuqi vendimmarrëse të nivelit të dytë të administrimit zgjedhor, pra të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor. Ky rekomandim nxitet të miratohet dhe aplikohet që në këto zgjedhje, si një provë e përmbajtjes së palëve ndaj marrëveshjes politike të 5 qershorit 2020, si dhe, nën gjykimin e KRIIK, për nxitjen e fillimit të zhbërjes së patronazhimit politik në administratën shtetërore.
Lidhur me këto amendime të grupit të dytë, gjykohet se Komisioni i ka tërë kapacitetet, ekspertizën e ndihmën e nevojshme për t’i miratuar ato brenda këtij sesioni parlamentar, pra brenda muajit korrik 2022, në mënyrë që të sigurohet kuadri i plotë rregullues për disa nga elementet shqetësuese për zgjedhjet e ardhshme vendore të majit 2023.
Pse nuk funksionoi për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit?
Me keqardhje konstatohet se nuk gjendet asnjë element, në tërësinë e elementeve që përbëjnë procesin zgjedhor, ku nuk janë shënuar shkelje apo shmangie të zbatimit të ligjit. Ajo që konstatohet me shqetësim është se qytetari, votuesi shqiptar, u gjend i vetëm dhe i pambrojtur, në një fushatë e cila nuk ishte në funksion të interesave të tij, por ku vetë ai u keqpërdor vazhdimisht dhe ku institucionet dhe zyrtarët e shtetit zgjodhën të jenë pjesë dhe përfaqësues vetëm të forcës politike dhe interesave politike të maxhorancës, duke mos e mbrojtur atë dhe duke e lënë të marrë pjesë në procesin e votimit me ndjenjën e pasigurisë, pamundësisë dhe pafuqisë për të vendosur lirisht.
Mendoj se ka një tërësi faktorësh dhe situatash që çuan në këtë pikë, e cila e ul akoma më shumë besimin qytetarëve në procesin zgjedhor, rezultatin e tij, legjitimitetin e pushtetit të prodhuar më pas, e rrjedhimisht edhe në tërë proceset demokratike që duhet të ndodhin më pas e që kërkojnë detyrimisht pjesëmarrjen aktive të një qytetari të informuar, me kurajë dhe integritet të pacenuar.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al