PROF. MYQEREM TAFAJ
Matura Shtetërore (MSH) bëri 16 vite që po zbatohet. Është koha për të bërë një analizë të thelluar të ecurisë dhe gjendjes së saj, si dhe për të përcaktuar ndryshimet që duhen bërë, në mënyrë që ajo t’i përgjigjet kohës. Një proces normal i reformimit të Maturës kërkon të paktën 2-3 vjet, para se të fillojë zbatimi në vitin e parë të gjimnazit dhe pas tre vitesh të zhvillohen provimet e para të Maturës së reformuar. Kjo do të thotë se, nëse duam të projektojmë Maturën e dekadës që vjen, pra, Maturën 2030, puna duhet të fillojë këtë vit ose vitin tjetër.
Dy fjalë çfarë përfaqëson Matura jonë:
Matura synon të vlerësojë, përmes provimeve kombëtare, kompetencat e arritura dhe aftësitë e fituara në lëndët përkatëse, sipas kurrikulës tonë kombëtare. Në MSH tonë janë konsideruar këto kompetenca ose drejtime formimi:
a)Formimi gjuhësor përfshin njohuritë dhe aftësimin në gjuhën shqipe dhe letërsi, i cili që në MSH 2006 vlerësohet përmes provimit të detyruar të MSH “Gjuhën shqipe dhe letërsi”. Me ligjin e Arsimit Parauniversitar (APU) të vitit 2012 (ndër të paktët ligje sektorialë rë miratuar thuajse me unanimitet të plotë pozitë-opozitë në Kuvend), u gjykua që të shtohej, që në MSH 2014, edhe provimi i detyrueshëm i gjuhës së huaj të parë, me dy qëllime: (i) të rritej cilësia e formimit gjuhësor në arsimin e mesëm, dhe (ii) të nxitej edhe mësimi i gjuhëve të huaja, si një ndër aftësitë më të kërkuara sot që përfshihet në “neë economy skills”. Për një vend të vogël si vendi ynë, aftësimi i të rinjve në gjuhën e huaj është shumë më i rëndësishëm, në shumë këndvështrime. Ky hap i rëndësishëm u bë edhe për arsimin e detyruar me shtimin e provimit të gjuhës së huaj në provimet e lirimit. Në fakt, kurrikula e arsimit 9-vjeçar ishte ndryshuar me kohë dhe gjuha e huaj e parë mësohej që nga klasa e 3-të.
b)Formimi në matematikë përfshin njohuritë dhe aftësimin në matematikë, i cili vlerësohet përmes provimit të detyruar Matematikë në MSH.
Të tria këto provime të detyruara mbështeten në kurrikulën bërthamë të arsimit të mesëm, e cila zhvillohet përgjatë tre viteve të tij dhe synon të vlerësojë formimin bazë të maturantëve. Parë nga ky këndvështrim, provimet e detyrueshme të MSH përmbushin kriterin ose funksionin “dalës” ose të përfundimit të shkollës së mesme.
c)Formimin e thelluar në arsimin e mesëm në dy drejtime ose orientime, përkatësisht shkenca natyrore (Science) dhe shkenca shoqërore ose humane (Humanities), që realizohet përmes kurrikulës së thelluar ose lëndëve me zgjedhje. Kjo kurrikulë zhvillohet në klasën e 11-të dhe 12-të. Në thelb, kurrikula me zgjedhje u jep mundësi gjimnazistëve që të përzgjedhin vetë drejtimin ku ata dëshirojnë të thellohen në gjimnaz dhe pastaj në arsimin e lartë. Formimi i thelluar vlerësohet më vete dhe, de facto, u përgjigjet kritereve të veçanta të programit apo profilit të studimeve universitare. P.sh, për të studiuar mjekësi, kriteret e veçanta kërkojnë formim të thelluar në drejtimin e shkencave natyrore. De facto, formimi i thelluar është ai që “legjitimon” edhe kriterin/funksionin “hyrës ose kualifikues” të MSH tonë për studimet universitare. Misioni i ciklit të arsimit të mesëm të lartë (AM) në vendin tonë është që ai të shërbejë edhe si nivel që mundëson hyrjen/kualifikimin/pranimin në studimet universitare. Me 9 vite arsim i detyruar dhe 3 vite arsim i mesëm (4 vite në shkollat e mesme profesionale), plotësohen 12 (13 për SHMP) vite, çka është plotësisht e krahasueshme me vendet e tjera të Europës. Për rrjedhojë, arsimi ynë i mesëm është klasifikuar si niveli 4 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), plotësisht ekuivalent me nivelin 4 të Kornizës Europiane të Kualifikimeve (KEK).
Por përmbushja e funksionit “hyrës” në arsimin e lartë nuk varet vetëm nga numri i viteve të shkollimit, por edhe nga objektivat dhe struktura e kurrikulës së arsimit të mesëm. Kurrikula e AM dhe MSH janë ndërtuar duke u mbështetur edhe në përvojat/modelet e vendeve të tjera, në mënyrë që garantohej ekuivalenca e arsimit tonë të mesëm dhe ai të njihej plotësisht nga vendet e tjera, për t’u krijuar mundësi reale maturantëve tanë për t’u pranuar në çdo universitet të botës pa vit (kolegj) përgatitor studimesh. MSH jonë e përmbushi këtë funksion më së miri. Që në vitin 2007, maturantët tanë filluan të pranohen direkt në universitetet e vendeve të tjera pa vit ose kurs përgatitor. E fundit ishte Gjermania, e cila në janar 2013 hoqi kolegjin përgatitor 1-vjeçar për maturantët tanë, edhe pse disa Lande të Gjermanisë kanë akoma 13 vite arsim parauniversitar ose Abiturën 13-vjeçare.
ROLI I FORMIMIT TË THELLUAR NË KURRIKULËN E ARSIMIT TË MESËM DHE NË MATURË
Një ndër problemet reale të MSH të katër viteve të fundit është dobësimi i theksuar i formimit të thelluar. Deri 2018, formimi i thelluar realizohej me të paktën dy lëndë dhe vlerësohej me dy provimet me zgjedhje të MSH. Nga 2019 u përgjysmua formimi i thelluar vetëm në një lëndë dhe u bë vetëm një provim me zgjedhje. Askush nuk bëri ndonjë studim, mbi bazën e të cilit të merrej një vendim i tillë. As tani, pas katër viteve të zbatimit, nuk ka asnjë studim për efektet e këtij ndryshimi, në fakt përgjysmimi, në formimin e thelluar. As raportet vjetore të MSH nuk guxojnë të bëjnë një krahasim të formimit të thelluar 2006-2018 me atë 2019-2021.
Por këtë krahasim e bëjnë shumë mirë pedagogët e universiteteve, sepse e konstatojnë lehtë dobësimin e formimit të thelluar të studentëve të pranuar pas vitit 2018. Këtu duhet bërë një parantezë objektive, e cila lidhet me ndikimin shumë negativ të mësimit online, përgjatë gati dy viteve akademike. Kjo prapambetje është lehtësisht e konstatueshme dhe, siç duket, do të këtë ndikimin e saj negativ përgjatë gjithë viteve të shkollimit të nxënësve dhe studentëve, të cilëve u qëlloi shkollimi gjatë pandemisë.
Unë mendoj se MSH vetëm me një provim me zgjedhje nuk mund të jetë e mjaftueshme për pranim në studimet universitare. Heqja e një provimi me zgjedhje ka dhënë efekte të qarta negative në motivimin e gjimnazistëve për t’u thelluar në një drejtim. De facto, ata mësojnë vetëm një lëndë, me të cilën nuk është e mundur të thellohen në drejtimin që kanë përzgjedhur. Nga ana tjetër, nuk është e mundur as të vlerësohet formimi i thelluar në një drejtim vetëm me një lëndë. Në vend që të kalohej nga provimi në dy lëndë në një provim të integruar ose ndërdisiplinor, në “Science” ose “Humanities”, thjesht u ndërmor një veprim arbitrar duke hequr një provim me zgjedhje. P.sh., si mund të vlerësohet formimi në shkenca natyrore vetëm me Biologjinë? Po Kimia dhe Fizika ku janë? Logjike do të ishte të ndërmerrej hapi tjetër, ku formimi i thelluar të vlerësohej në MSH përmes një provimi të integruar ndërdisiplinor për drejtimin në fjalë, p.sh. “Science” për drejtimin natyror, mbështetur në një program ndërdisiplinor, i cili integron programet mësimore të paktën të tre lëndëve të këtij drejtimi: Biologji, Kimi dhe Fizikë, ndoshta edhe me lëndën e Teknologjisë së Informacionit.
NEVOJA PËR PËRMIRËSIMIN E MATURËS
Niveli i formimit të thelluar është vetëm njëri nga problemet e MSH. Por janë plot aspekte të tjera të MSH që duhet të përmirësohen/përshtaten me zhvillimet e sotme në vendin tonë, jo vetëm në sistemin tonë arsimor, por edhe në fusha të tjera, në mënyrë të veçantë me stadin e zhvillimit të ICT dhe dixhitalizimit. MSH jonë mbushi 16 vite që po zbatohet. Ajo filloi kur niveli i zhvillimit të ICT dhe përhapja e internetit në vendin tonë ishin në fillimet e tyre. Për dixhitalizim nuk mund të bëhej fjalë. Janë shumë faktorë të tjerë të rëndësishëm që kanë ndryshuar tërësisht. Mendoj se modeli i MSH nuk i përgjigjet plotësisht nivelit të sotëm të zhvillimit edhe në vendin tonë. Ka ardhur koha për një reformim dhe modernizim të saj.
Shfrytëzimi i nivelit të zhvillimit të ICT dhe dixhitalizimi afron mundësi shumë të mëdha për modernizimin e MSH përmes dixhitalizimit, qoftë edhe të pjesshëm të saj. Ndër vendet europiane që i ka paraprirë më shumë dixhitalizimit në arsim, përfshirë edhe të Maturës, është Finlanda. Matura e Finlandës është plotësisht dixhitale që në vitin 2016. Nga ky model mund të mësojmë shumë për reformimin e maturës tonë, sepse sistemi i edukimit të Finlandës është ndër më të mirët në botë (në vlerësimin PISA rankohet prej 20 vitesh në 3-4 vendet e para) dhe, nga ana tjetër, sistemi ynë arsimor ka strukturë të njëjtë me atë të Finlandës. E theksoj mund të mësojmë shumë, por nuk mund të flitet për një kopjim të tij, sepse diferencat, në shumë plane, midis dy vendeve janë shumë të mëdha. P.sh., mund të shihej modeli i Maturës së Finlandës për të dixhitalizuar zhvillimin e provimeve me shkrim në MSH.
Reforma e Maturës duhet të konsiderojë edhe shumë aspekte të tjera të zhvillimit të saj. Personalisht mendoj se ka ardhur koha për rritjen e rolit të vetë universiteteve në pranimet e studentëve. Aktualisht ekziston përvoja e kombinimit të rezultateve të arsimit të mesëm me ato të një provimi pranues në disa programe, siç janë ato të artit, sportit, arkitekturës etj. Pra, nuk po bëjmë fjalë për thyerjen e një tabuje. Sipas përvojës aktuale në programet e sipërpërmendura, provimi pranues duhet të zhvillohet nga vetë universitetet, por sipas një standardi të ri që siguron objektivitet dhe eliminon plotësisht subjektivizmin dhe fiktivitetin. Sigurisht, dixhitalizimi është rruga më efikase që e realizon më së miri këtë. Provimi plotësisht dixhital është aplikuar në vendin tonë që në vitin 2011 për Provimin e Shtetit. Sot, mundësitë teknike janë shumë më të mëdha dhe me kosto shumë më të ulët mund të ngrihen qendrat e provimit dixhital pranë çdo universiteti. Do të mjaftonin 4–5 kabinete me infrastrukturën e nevojshme për provimin dixhital dhe një investim prej jo më shumë se 50 mijë USD për një kabinet me 25-30 poste provimi. Një kapacitet prej 100 postesh provimi dixhital, krijon mundësi që në një provim dixhital, me kohëzgjatje maksimumi 2 orë, të provohen të paktën 500 kandidatë në ditë.
Gjithashtu, ka ardhur koha që të rishikojmë rolin e vetë shkollës në realizimin e Maturës. Do të vazhdojmë akoma me këtë modelin me mijëra administratorë të jashtëm, i cili, në fakt ka shumë mangësi dhe nuk krijon siguri për proces të pacenuar. Ndoshta i duhet besuar shumë më tepër vetë shkollës. Mendoj se vetë shkolla duhet të ketë një rol më të madh dhe të marrë përgjegjësi më të madhe në realizimin e provimeve të MSH. Kështu do të rritej edhe përgjegjësia për të ulur fiktivitetin e vlerësimit vjetor. Raporti i Maturës 2021 ka evidentuar një fiktivitet shumë të lartë në vlerësimin vjetor, madje edhe mbi 2 nota më i lartë krahasuar me atë të provimeve të MSH. Sipas këtij raporti, dy shkollat më të mira të vendit, me notë mesatare 8,69 dhe 8,54, nuk janë të qyteteve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Korçës, por të rretheve të vogla. Uroj që këto shkolla publike të jenë vërtet më të mirat e vendit dhe të meritojnë atë mesatare aq të lartë note! Sidoqoftë, unë mendoj se vetëm dhënia e përgjegjësisë është zgjidhja më e mirë.
Reforma e Maturës duhet të përfshijë edhe strukturën e saj, përmbajtjen dhe formën e zhvillimit të provimeve. Ka ardhur koha që nga provime në lëndë të veçanta me zgjedhje të kalohet në provim të integruar ndërdisiplinor sipas drejtimeve të formimit të thelluar, një provim ndërdisiplinor për drejtimin shkenca natyrore “Science” dhe një tjetër për drejtimin e shkencave shoqërore “Humanities”. Ka përvoja në shumë vende për provimet e integruara ose ndërdisiplinore. Ndër to mund të përmendet Matura e Finlandës.
Nga ana tjetër, duhet rivlerësuar nga specialistët edhe fakti tjetër. Në sistemin tonë arsimor, fatkeqësisht që herët, madje në klasën e pestë, u kushtohet rëndësi vetëm testeve dhe vlerësimit me shkrim. Kjo edhe për shkak të një lloj përshtatje me më të lehtën, si për mësuesin, ashtu edhe për nxënësin. Mësimdhënësit e kanë më të lehtë të korrigjojnë detyrat, provimet me shkrim. Nxënësit dhe studentët janë përshtatur me këtë formë, madje, fatkeqësisht, duke kërkuar dhe sofistikuar teknika që kanë deformuar rezultatet si dhe shpesh komprometojnë qëllimin e këtyre testeve. Shumë pak vlerësohen nxënësit dhe studentët tanë se sa janë të aftë të formulojnë, të argumentojnë dhe të artikulohen pa letër. Vetëm me provime me shkrim po mbeten nxënësit dhe studentët gjysmëmemecë.
Ka ardhur koha që Matura të ketë të paktën një provim me gojë. Të paktën provimi i Gjuhës shqipe dhe i Letërsisë duhet të bëhet më shkrim dhe me gojë. Në shumë vende, Matura përfshin të paktën një provim me gojë. Ai mund të bëhet në shkollë me një Komision ku kryetari dhe të paktën një mësues si anëtar të tij janë nga jashtë shkollës. Niveli i tanishëm i dixhitalizimit krijon mundësi të plota edhe për dokumentimin e plotë të gjithë provimit me gojë për çdo maturanti dhe të verifikimit të cilësisë së vlerësimit.
Matura nuk duhet parë vetëm në pjesën finale të saj, provimet. Reformimi i saj duhet të përfshijë gjithë procesin e përgatitjes për Maturë. Nuk ka përse bëhen eksperimente të shpeshta me kurrikulën dhe tekstet. Unë mendoj se sfida më e madhe për arsimin tonë të mesëm është hendeku shumë i madh në cilësinë e shkollave të mesme të zonave më të varfra të vendit krahasuar me ato të qyteteve kryesore. Raporti i MSH 2021 tregon se 45% e shkollave të mesme publike kanë mesatare nën 6,5, çka do të thotë se maturantët e tyre janë të diskriminuar, për shkak të cilësisë së ulët të shkollës publike. Kjo lidhet me shkallën e kualifikimit të mësuesve, infrastrukturën e pamjaftueshme mësimore, madje edhe me mungesën e kushteve minimale për mësim në shkolla. Një vend me 2,8 milionë banorë si vendi ynë nuk mund të ketë edhe në dekadën e tretë të këtij shekulli 380 shkolla të mesme publike, ku gjysma e tyre janë shkolla të vogla 9-vjeçare që kanë edhe klasa të arsimit të mesëm (shkollat e bashkuara). Si mund të pritet arsim i mesëm cilësor kur shkolla ka më pak se 50 nxënës në të tre vitet. Cilësia nuk mund të rritet pa mësues të kualifikuar, pa laboratorë didaktikë dhe pa kushtet elementare për mësim, madje edhe ato higjienike në shkollat e mesme. Duket se është imediate një hartë e re e shkollave të mesme, përmes së cilës përqendrohen shkollat e mesme në qytete dhe njësi administrative të mëdha të bashkive. Për këtë duhet investim serioz për kualifikimin e vazhduar të mësuesve, krijimin e infrastrukturës bashkëkohore mësimore në shkollat e mesme, transportin e nxënësve, dhe, sipas rastit, edhe të konvikteve për nxënësit e zonave të largëta. Për këtë duhet edhe një konsensus politik dhe një bashkëpunim i ngushtë midis MAS dhe bashkive. Reforma të tilla janë ndërmarrë edhe në vende të tjera, të cilat kanë përjetuar zbrazjen e zonave më të varfra, sidomos atyre rurale. Duhen studiuar përvojat e vendeve si Sllovenia, Estonia, Kroacia në rajonizimin e shkollave të mesme.
MATURA 2030 DUHET PROJEKTUAR QË TANI!
Në këtë shkrim unë përmenda vetëm disa aspekte të reformimit të Maturës Shtetërore në vendin tonë. Modele ekzistojnë në vende të ndryshme. Ato duhen studiuar nisur edhe nga modeli i sistemit të APU, madhësia e vendit, tradita, dhe, sigurisht, niveli i zhvillimit. Por në sistemin tonë arsimor ka mësues dhe specialistë të arsimit të kualifikuar dhe trajnuar mirë edhe për aspektet e vlerësimit e të provimeve. Ky grup është jo i vogël. Ai duhet dëgjuar dhe atij i duhet besuar ky proces shumë i rëndësishëm i reformimit të Maturës në vendin tonë. Procesi nuk duhet të jetë mbyllur vetëm te Këshillat e arsimit parauniversitar.
Procesi i reformimit të Maturës duhet të etë i hapur për kontributet e të gjithë faktorëve relevantë. Ai duhet të fillojë më një analizë shkencore të ecurisë së Maturës sonë. Baza e të dhënave të Maturës të 16 viteve duhet të përbëjë bazën kryesore nga ku duhet të fillojë analiza e thelluar shkencore e Maturës tonë. Përpos saj duhen bërë edhe studime të tjera, survey, për të tërhequr opinionin e gjithë faktorëve, maturantëve, mësuesve, prindërve, studentëve dhe pedagogëve të universiteteve, specialistëve të trajnuar në zhvillimin e provimeve kombëtare. Vetëm pasi të jetë e përfunduar analiza shkencore e Maturës në 16 vite, duhet të kalohet në fazën tjetër, atë të diskutimit publik me grupet e interesit për ndryshimet që duhen bërë. Mbështetur në rezultatet e diskutimit publik, bëhen ndryshimet në strukturën, organizimin dhe zhvillimin e Maturës, të cilët reflektohen edhe në kuadrin ligjor dhe nënligjor të arsimit parauniversitar. Gjithë ky proces kërkon së paku 2 vite kohë, çka do të thotë që, nëse procesi do të fillonte gjatë këtij viti ose vitin tjetër, implementimi i Maturës së reformuar do të fillonte në vitin akademik 2025-‘26 ose 2026- ‘27 dhe provimet e para të saj do të zhvilloheshin në vitin 2029 ose, ose 2030. Duket, pra, që bëhet fjalë për Maturën 2030. Por, puna për këtë Maturë duhet të fillojë që këtë vit ose vitin e ardhshëm. Nëse nuk bëhet një reformë e tillë e studiuar mirë, siç bëhet në çdo vend normal demokratik, do të mbetemi me arnime dhe ndryshime spontane të pastudiuara, të cilët nuk garantojnë qëndrueshmëri dhe përshtatje të Maturës me kërkesat e kohës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al