Narkotiku nga Kolumbia, i pandehuri: Isha në dijeni vetëm për vajin.
Dënimi, Dhimitros Harizaj do sillte në Shqipëri 200 kg drogë.
Gjykata për Krimet e Rënda shpalli dje fajtor të pandehurin Dhimitros (Vullnet) Harizaj për akuzën e trafikimit nga Kolumbia në Shqipëri të 200 kilogramëve kokainë të tretur në vaj palme. Në vendimin përfundimtar, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Dritan Hallunaj vendosi dënimin e tij me 17 vjet burg. Harizaj u deklarua i fajshëm për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të narkotikeve”, kryer në bashkëpunim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri përfitoi uljen e një të tretës së masës së dënimit dhe përfundimisht u dënua me 11 vjet e 4 muaj heqje lirie. Harizaj e priti i qetë vendimin nga kafazi i sallës së gjyqit. Vetëm pak minuta para se pesëshja gjykuese të tërhiqej për shpalljen e vendimit, ai i kërkoi gjykatës të rishihte edhe një herë provat dhe të gjitha pretendimet e paraqitura nga avokati i tij për pafajësi. Në seancën e djeshme, trupa gjykuese lexoi vetëm dispozitivin e vendimit. Zbardhja e plotë e tij do të bëhet në ditët në vijim. Masa e dënimit të dhënë nga gjykata ishte një vit më pak se kërkesa e bërë nga ana e përfaqësuesit të Prokurorisë në konkluzionet përfundimtare të akuzës. Gjykimi i Harizajt në Gjykatën për Krimet e Rënda zgjati dhjetë seanca.
TRAFIKU
Trafikimi i një sasie prej 200 kilogramësh kokainë kolumbiane në Shqipëri, sasi që nuk mbërriti asnjëherë në vendin tonë, “ngriti në këmbë” policitë e disa shteteve të Europës në mars të vitit 2011. Lënda narkotike u vu re nga autoritetet spanjolle, të cilat po hetonin një linjë të trafikut të kokainës Kolumbi-Europë. Në vijim, ardhja e kontejnerit ku ndodhej vaji i palmës me kokainë të shkrirë, u mbajt në vëzhgim gjatë gjithë rrugës në sajë të një bashkëpunimi të policive të vendeve përkatëse. Sipas Prokurorisë, emri i Dhimitros Harizajt “doli në skenë” kur kontejneri ndodhej në portin “Antwerp”, në Belgjikë, dhe po pritej për personat që do ta merrnin në dorëzim. Në këtë vend është shfaqur Harizaj, si personi që porositi një kompani transporti maqedonase për ta transportuar kontejnerin në Shqipëri. Në Belgjikë, nga ana e autoriteteve ngarkesa e kontejnerit u zëvendësua me ngarkesë me ujë, por itinerari i tij nuk “u prish”. Në kontejnerin e boshatisur nga droga u vendosën pajisje sinjalizuese satelitore GPS, për të mbajtur në kontroll lëvizjen e mëtejshme të tij. Sipas Prokurorisë, nga gjurmimi nëpërmjet GPS rezultoi se kamioni ka kaluar nga Belgjika në Luksemburg, Gjermani, Austri, Kroaci, Serbi, Maqedoni dhe së fundmi, më datë 20 mars 2011, nga Maqedonia është futur në territorin shqiptar, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Në konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë, në lidhje me akuzat ndaj Harizjat thuhej se i pandehuri ka organizuar dhe është kujdesur në detaje për trafikimin e kokainës së fshehur në vaj palme. Sipas akuzës, i pandehuri Harizaj kishte informacion të plotë rreth origjinës dhe lëvizjeve të mallit, është personi që ka porositur këtë ngarkesë, ka bërë pagesën e mallit, “vajit të palmës”, ka dhënë lekët për pagesën e qirasë dhe penaliteteve të kontejnerit në Belgjike, si dhe ka dhënë shumën e lekëve që do të shërbente për zhdoganimin e ngarkesës që ndodhej në kontejnerin e mësipërm në doganën e Kakavijës – Gjirokastër, Shqipëri. Para gjykatës prokuroria paraqiti si provë edhe një përgjim telefonik të realizuar nga autoritetet spanjolle, përmes të cilit akuza pretendonte të provonte përfshirjen e një shqiptari në organizimin dhe realizimin e trafikut të kokainës.
Harizaj: Jam pa faj
Përfaqësuesi ligjor i të pandehurit Dhimitros Harizaj, avokati Ardian Leka i kërkoi dje gjykatës deklarimin e pafajshëm të klientit të tij dhe lirimin e tij të menjëhershëm. Sipas avokatit, ngarkesa e drogës në vajin e palmës ishte nisur për në Europë, por jo për në Shqipëri. “Harizaj nuk është porositësi i mallit. Ai ka porositur vetëm vaj palme”, tha avokati. Mbrojtësi pretendoi keqinterpretim të provave të dosjes nga ana e Prokurorisë. “Faji i vetëm i të pandehurit është fakti që ka blerë vaj palme në Kolumbi”, tha avokati. Pretendimet e avokatit u konfirmuan më pas edhe nga i pandehuri.
Armand Bajrami
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al