Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon nga detyra gjyqtarin Besnik Hoxha

Jul 25, 2024 | 17:17
SHPËRNDAJE

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Besnik Hoxha, i cili më herët në Komisionin e Pavarur të Kualifikimi kishte kaluar procesin e vettingut.

besnik hoxha

Vendimi i KPA erdhi pas ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të KPK-së ndaj Besnik Hoxhës për rikthimin e tij në detyrë.

Pas kalimit të barrës së provës në të tre kriteret e rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me shumicë votash që të lërë në detyrë gjyqtarin Besnik Hoxha më 18 maj të vitit 2023.

Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Genta Tafa Bungo.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 39/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 661, datë 18.05.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Hoxha.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 661, datë 18.05.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Besnik Hoxha.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, më datë 25.07.2024, në Tiranë.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar asokohe, gjyqtari Hoxha nuk ishte i pranishëm, por ai u përfaqësua nga avokatja Antoneta Sevdari.

Komisioni i kishte kaluar gjyqtarit Besnik Hoxha barrë prove për pasurinë, për figurën dhe për profesionalizmin. Gjatë seancës dëgjimore, avokatja Sevdari iu përgjigj një sërë pyetjesh që lidheshin me mosdeklarimin e adresës së banimit në Tiranë për një kohë të gjatë dhe pretendimit në një prej pyetësorëve se në një periudhë kohe kishte jetuar në Shkodër, ndonëse të dhënat e siguruara prej KPK kanë treguar se Hoxha ishte vendosur në Tiranë.

KPK, po ashtu i kishte kaluar barrë prove Hoxhës, në lidhje me vendimmarrjen e një trupe ku ai kishte qenë pjesë në një çështje vrasjeje. Po ashtu, përfaqësuesja e Hoxhës iu përgjigj pyetjeve mbi kontratën për përdorim të apartamentit, të dhënave për një huadhënës dhe barrës së provës për pamundësitë financiare në ndërtimin e një shtëpie 3 katëshe në Shkodër.

Avokatja Antoneta Sevdari, këmbënguli se me provat dhe shpjegimet e dhëna kishin përmbysur barrat e provës në të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin e gjyqtarit Besnik Hoxha në detyrë.

Besnik Hoxha e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë e gjysmë si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Prej vitit 2010, Hoxha ushtronte funksionin në Gjykatën e Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura