Kombëtarja Shqiptare e Minifutbollit ka mbyllur me fitore turneun “Nation Games” të luajtur në Bosnjë. Kuqezinjtë mundën 3-1 Kroacinë dhe padyshim që kjo ishte një eksperiencë e vlefshme për Europianin që do të zhvillohet pas një viti.
Kapiteni Fatmir Hysenbelliu ka vlerësuar me nota pozitive paraqitjen e skuadrës në tre ndeshjet e zhvilluara dhe thotë se është rritur cilësia në ekip. “Këtë herë vura re rritje të cilësisë së lojës. Nëse para një viti dominonte një 6-she, këtë vit kishim dy 6-she dhe kjo e rriti konkurrencën dhe nivelin”, thotë kapiteni në intervistën për “Panorama Sport”.
Ç’përshtypje ju la ky turne?
Përshtypje pozitivie padyshim. Ishte turneu i dytë me kombëtaren dhe mësuam gjëra të reja nga hera e parë. Vitin e kaluar ishim debutues dhe përfituam eksperiencë. Këtë herë vura re rritje të cilësisë së lojës, kjo edhe prej prurjeve të reja të lojtarëve. Mund të them se kishte më shumë kualitet dhe besoj se në 2-3 vite mund të pretendojmë seriozisht për të qenë në “top 10” në renditjen botërore të kombëtareve.
Sa do t’ju vlejë ai për të ardhmen?
Normalisht do të na vlejë shumë sepse çdo herë mëson dhe bën më pak gabime. Të mos harrojmë se kemi një vit si sport, rrjedhimisht edhe Kombëtarja Shqiptare e Minifutbollit është shumë e re, pasi shtetet e tjera kanë nga 7 apo 10 vite që organizohen dhe marrin pjesë.
Cili është turneu i radhës dhe çfarë objektivash keni?
Turneu zyrtar i radhës për kombëtaren është vitin tjetër: Europiani. Zhvillohet një herë në 2 vjet, kurse për klube kemi me “Prestige MFC” Champions Leaguen që zhvillohet në shator në Rimini.
Ndër tre ekipet me të cilat u përballët, cilën prej ndeshjeve do të veçonit dhe pse?
Çdo ekip ka karakteristikat e veta. Bosnja ishte më lart se të tjerat sepse bën pjesë tek 5 ekipet më të mira në botë. E megjithatë, kundër nesh vetëm eksperienca ndikoi, pasi me pak kujdes mund ta kishim fituar ndeshjen. Ndodhi poithuajse e njëjta gjë si vitin e kaluar kur ishim në avantazh, por nuk menaxhuam dot kohën sepse donim të bënim më shumë gola dhe na u kthye rezultati! Hungaria është një ekip që luante fortë, por shpërdoruam shumë para portës dhe duhej të ishim më të saktë. Kroacia ishte realisht ekip i mirë. Aty takova edhe ish-shokun e ekipit në kohë e Partizanit, Sacherin. Kundër tyre ne treguam që ishim superiorë dhe mund fitonim me 1 ose 2 gola më shumë se sa u mbyll ndeshja.
Si ju duk skuadra në përgjithësi dhe çfarë mund të përmirësoni në të ardhmen?
Ekipi ishte më pozitiv se vitin e kaluar. Kishte më shumë cilësi, sepse nëse para një viti dominonte një 6-she, këtë vit kishim dy 6-she dhe kjo e rriti konkurrencën dhe nivelin. Besoj se jemi në rrugën e duhur sepse jemi të gjithë me një qëllim.
Në Shqipëri po merr gjithnjë e më shumë vëmendje kampionati i minifutbollit. Çfarë duhet të ndryshojë që të marrë përmasat e një kompeticioni popullor dhe të dashur nga të rinjtë?
Unë mendoj se ky sport po fiton realisht popullaritet. E vërteta është që bëhet rreklamë në gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Tiranë dhe çdo vit interesi është më i lartë. Është fakt që çdo vit shtohet numri i ekipeve dhe lojtarëve që marrin pjesë!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al