Kongresi i Përmetit, vendimet që ndryshuan Shqipërinë/ “T’i ndalohet ish-Mbretit Zog kthimi në Shqipëri, të mos njihet asnjë qeveri brenda ose…”

May 25, 2021 | 19:55
SHPËRNDAJE
Përmet, maj 1944; udhëheqës të LNÇ në Kongresin e Përmetit (nga e djathta në të majtë): Ramadan Çitaku, Liri Gega, Hysni Kapo, Sejfulla Maleshova, Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Enver Hoxha, Omer Nishani, Spiro Moisiu, Mustafa Gjinishi.
Përmet, maj 1944; udhëheqës të LNÇ në Kongresin e Përmetit
(nga e djathta në të majtë): Ramadan Çitaku, Liri Gega, Hysni
Kapo, Sejfulla Maleshova, Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Enver
Hoxha, Omer Nishani, Spiro Moisiu, Mustafa Gjinishi.

NGA FATMIR FEZGA

TEXAS, USA

Më 24 maj 1944 filloi punimet në Përmet Kongresi I Antifashist i Lëvizjes Nacionalçlirimtare shqiptare. Ne terminologjinë e shkurtuar historike, ky kuvend kombëtar njihet si Kongresi i Përmetit.

Kongresi ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe decizive te luftës antifashiste te popullit shqiptar, një kuvend që riformatoi dhe çimentoi vendimet dhe idetë paraprake qe ishin hedhur ne Konferencën e Pezës ne shtator te vitit 1942.

Për më tepër, duke u mbështetur në hovin dhe iniciativën qe kishte fituar tashmë lufta e reparteve partizane në veçanti dhe Lëvizja Antifashiste në Shqipëri; Kongresi i Përmetit saktësoi direktivat për kalimin në stadin final të kësaj lufte, çlirimin e plotë të atdheut. Vizioni i Kongresit shkoi përtej çlirimit të vendit, duke hedhur themelet për mënyrën e qeverisjes dhe duke përcaktuar se kush do të ishte forca që do të merrte në dorë pushtetin në Shqipërinë e lirë, pas shporrjes së pushtuesve gjermanë.

Natyrisht, me vendimet e rëndësishme që ndikuan në jetën dhe fatet e Shqipërisë për dekada të tëra nga ajo ditë, Kongresi I Përmetit ka zënë një vend të rëndësishëm në historinë shqiptare të pasluftës dhe në kujtesën e mbarë popullit shqiptar. Padyshim duhet përmendur se për shkak të kësaj ngjarjeje historike, 24 maji zuri një vend të veçantë në kujtesën e popullit të Përmetit.

Lapidari kushtuar Kongresit të Përmetit (FF-Përmet, 2017).
Lapidari kushtuar Kongresit të Përmetit (FF-Përmet, 2017).

Është normale krenaria e përmetarëve si banorë të qytetit që mirëpriti delegatët dhe udhëheqjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare (LNÇ); njëkohësisht ata kontribuuan me të gjitha mundësitë e tyre për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit.

Qysh nga viti 1944 në nderim të vendimeve të Kongresit Antifashist, ajo ditë u kthye në një festë popullore të përvitshme në Përmet.

KUSHTET POLITIKO-USHTARAKE PËR THIRRJEN E KONGRESIT TË PËRMETIT

Lëvizja Nacionalçlirimtare (LNÇ) dhe Ushtria Nacionalçlirimtare shqiptare (UNÇSH), ose forcat partizane, përballuan me sukses operacionin e dimrit (1943-‘44), që ishte një mësymje e koordinuar kundër tyre nga ushtria pushtuese gjermane dhe kolaboracionistët vendas. Propaganda e ushtrisë gjermane dhe ajo e qeverisë kuislinge të Tiranës deklaronin në këtë kohë se rezistenca antifashiste dhe lufta partizane ishin asgjësuar.

Në të vërtetë, me gjithë humbjet që pësoi nga ky operacion, UNÇSH mbijetoi dhe u konsoliduar si forcë e rëndësishme luftarake. Në fillimet e pranverës 1944 ajo filloi të zgjerohej me shpejtësi dhe po shtrihej në të gjithë territorin shqiptar. Kështu, nga janari në maj të atij viti, UNÇSH-së iu shtuan brigada të tjera partizane e disa batalione e çeta lokale.

Vrullin e rritjes së lëvizjes partizane në këtë periudhë e përshkruan me përshtypje të veçantë në kujtimet e tij edhe oficeri i misionit aleat britanik në Shqipëri, kapiteni R. Hibbert. Në librin e tij “Fitorja e hidhur”, që është botuar në vitin 1991, ai shkruan: “Zgjerimi i forcave partizane ose UNÇSH në pranverë ishte një dukuri e jashtëzakonshme, që i habiti oficerët e misionit britanik, të cilët kishin qenë dëshmitarë të situatës së rrezikshme që kishte kaluar bërthama e forcave partizane vetëm dy-tre muaj më parë”. Me luftën e saj të ashpër kundrejt pushtuesit, organizimin e lartë dhe qëndrimin dashamirës ndaj popullit, UNÇSH fitoi besimin dhe mbështetjen popullore në Shqipëri.

Ajo shihej si e vetmja forcë shqiptare që luftonte për çlirimin e vendit, ringritjen e flamurit shqiptar dhe mbrojtjen e aspiratave e të të drejtave për shumicën e popullsisë shqiptare. Të rinjtë dhe të rejat shqiptare vërshuan dhe shtuan me shpejtësi rreshtat e formacioneve partizane.

Në fund të pranverës së vitit 1944 iniciativa ushtarake në Shqipëri kaloi në dorën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare; gjermanët dhe forcat kolaboracioniste u mbyllën kryesisht në garnizonet e qyteteve, sidomos në Shqipërinë e Jugut. Në planin ndërkombëtar situata gjithashtu ishte optimiste për koalicionin antifashist që udhëhiqej nga tri Fuqitë e Mëdha: Bashkimi Sovjetik, Anglia dhe SHBA.

Në përputhje me këtë situatë optimiste; për të bërë bilancin e arritjeve të LNÇ dhe për të përcaktuar objektivat dhe platformën për vazhdimin e mëtejshëm të luftës çlirimtare dhe qeverisjen e vendit, Kryesia e Këshillit te Përgjithshëm Nacionalçlirimtar vendosi, me 15 prill 1944, thirrjen e Kongresit Antifashist të Përmetit.

PROCEDURA DEMOKRATIKE E ZGJEDHJES SË DELEGATËVE Është me mjaft interes të përmendet se megjithëse LNÇ operonte në situatë lufte, idetë dhe vendimet për realizimin e zgjedhjeve ishin ide të përparuara e mjaft demokratike.

Në rezolucionin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar për zgjedhjen e delegatëve theksohej:

“Në kongres të përfaqësohen zonat e lira, zonat e pushtuara nga armiku, brigadat dhe batalionet partizane e vullnetare, Bashkimi i Rinisë Antifashiste me 10 delegatë dhe Bashkimi i Gruas me 5 delegatë”. Në zonat e çliruara dhe formacionet e ushtrisë delegatët do të zgjidheshin demokratikisht, me votim të hapur, kurse në zonat e paçliruara do të caktoheshin nga këshillat e qarqeve apo të qyteteve.

Haxhi Lleshi, i cili ishte një nga udhëheqësit kryesorë të LNÇ, e përshkruan natyrshëm në kujtimet e tij një episod që tregon se si u zgjodhën në mënyrë demokratike, në një miting të hapur, përfaqësuesit e popullit ne komunën e Plashnikut (qarku i Beratit), ku ai ishe i dërguar në atë kohë (prill 1944) për të ndjekur zgjedhjet: “Përshtypje të veçante më ka lenë mbledhja që u organizua në Plashnik, ku morën pjesë rreth 500 vetë e midis tyre afro 100 gra.

U emocionova kur pashë këtë pjesëmarrje të gjerë, mendova sa lart ishte ngritur vetëdija patriotike, antifashiste dhe demokratike e mbarë popullit që po merrte pjesë jo vetëm për fitoren e luftës kundër pushtuesit e tradhtarëve, por edhe për formimin e pushtetit të ri, tek i cili ai kishte mbështetur shpresat e të nesërmes.…

Aty folën edhe aktivistë, burra e gra, të rinj e të reja. Në diskutimet e tyre shprehej përkrahje e plotë për LNÇ dhe thirrjen e Kongresit I Antifashist. Në fund pjesëmarrësit zgjodhën demokratikisht delegatët për në konferencën nacionalçlirimtare të qarkut”. Përfundimisht, megjithëse në kushtet e vështira të luftës me pushtuesit, u zgjodhën 200 delegatët e Kongresit I Antifashist, të cilët përfaqësonin të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare dhe mbulonin gjithë territorin shqiptar.

Aty kishte delegatë nga Partia Komuniste Shqiptare (PKSH), përfaqësues nga shtresat nacionaliste, nga ushtria partizane, nga Bashkimi i Rinisë Antifashiste dhe Bashkimi i Grave të Shqipërisë. Forumet drejtuese të LNÇ dhe PKSH kishin marrë vendimin që Kongresi të mblidhej në qytetin tashme të çliruar të Përmetit.

VENDIMET E KONGRESIT TË PËRMETIT

Kongresi antifashist i Përmetit, duke pasur parasysh përbërjen gjithëpërfshirëse të delegatëve të tij dhe përfaqësimin e tyre territorial, ishte një kuvend kombëtar apo një asamble kushtetuese që kishte misionin të zgjidhte organet legjislative dhe ekzekutive, të cilat do të qeverisnin vendin deri në mbarim të luftës dhe më pas, në Shqipërinë e çliruar. Ashtu siç dihet nga dokumentet historike, kongresi zgjodhi së pari Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (KPNÇ) si organin më të lartë shtetëror; forumin kryesor ligjvënës, përfaqësuesin e vetëm sovran të popullit shqiptar.

KPNÇ zgjodhi Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm që përbëhej nga 25 anëtarë; president i saj u zgjodh Omer Nishani. Së treti, në Kongres u zgjodh dhe Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili kishte atributet e një qeverie provizore. Ky komitet, apo qeveri provizore, përbehej nga 11 anëtarë.

Sekretari i përgjithshëm i PKSH-së, Enver Hoxha, u emërua kryetar i qeverisë provizore, kurse nacionalisti i mirënjohur Myslim Peza u emërua nënkryetar i qeverisë provizore. KPNÇ, si organ ligjvënës, qysh në formimin e tij gjatë ditëve të Kongresit, nxori aktet apo vendimet e para të rëndësishme, të cilat patën një rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejshëm të luftës çlirimtare dhe pavarësinë e Shqipërisë në vitet e mëvonshme.

Vlen të përmenden tri vendimet e mëposhtme, të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën politiko-ekonomike të Shqipërisë dhe përcaktuan drejtimin që do të merrte shteti i ardhshëm shqiptar: • Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit. • T’i ndalohet ish-Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohej brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit. • Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe tradhtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik-popullor në të gjithë vendin.

Vendimet e Kongresit të Përmetit treguan se LNÇ dhe PKSH, si forca kryesore lëvizëse e saj, kishin krijuar bindjen se ato do të ishin fituesit e luftës dhe do të qeverisnin vendin pas fitores. Megjithëse ca vëzhgues të huaj e quanin si vetëbesim të tepruar optimizmin e drejtueseve të LNÇ në atë kohë, ngjarjet e mëvonshme vërtetuan se analiza e situatës që beri PKSH dhe LNÇ ishte racionale dhe realiste.

Kongresi i Përmetit duke shpallur person “non grata” ish-Mbretin Zog i vuri atij legalisht damkën e tradhtarit, sepse ai e ktheu Shqipërinë në shtet vasal të Italisë dhe braktisi popullin e vendin (bashkë me shpurën e qeveritarëve te tij) në ditët e vështira te pushtimit fashist.

Gjithashtu, vendimet e këtij Kongresi u dhëne një mesazh të qartë kuislingëve dhe kolaboracionistëve ballisto-zogistë; nuk do të kishte pushtet në tavolinë për ata që bashkëpunonin me armikun dhe as për ata që prisnin të ikte pushtuesi e pastaj “të luftonin”.

Pushteti u takonte atyre që luftonin kundër pushtuesit për çlirimin e Shqipërisë dhe do të mbronin lirinë, të drejtat, interesat dhe aspiratat demokratike të popullit shqiptar. Në zbatim të vendimit të Kongresit për çlirimin e plotë të Shqipërisë, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH-së, me 28 maj 1944, nxori urdhrin për fillimin e ofensivës së përgjithshme ushtarake.

Në këtë kuadër, Divizionit I S, i cili sapo ishte formuar, iu komunikua detyra të kalonte Shkumbinin dhe të mësynte forcat gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas në Shqipërinë e Mesme dhe Shqipërinë Veriore. Marshimi i Divizionit I drejt Veriut ishte një moment kyç në luftën për çlirim.

Ai tregoi se tani UNÇSH ishte e aftë për të luftuar pushtuesit në çdo zonë të Shqipërisë, kishte marrë iniciativën luftarake kundrejt armikut dhe së shpejti objektivi i saj do të ishte çlirimi i qyteteve, përfshirë edhe Tiranën. Përfundimisht, edhe sot pas 77 vitesh, mbështetur në kohën kur u mbajt dhe vendimet e rëndësishme të tij, mund të thuhet se Kongresi i Përmetit zë një pikë kulmore në historinë shqiptare.

Aty u përcaktuan drejtimet për të realizuar qëllimin final të Luftës Antifashiste të popullit shqiptar: çlirimin e plotë të atdheut nga pushtuesit nazifashistë, garantimin e një Shqipërie të lirë e sovrane në mbarim të Luftës së Dyte Botërore dhe vendosjen e pushtetit popullor.

Titulli origjinal i autorit:

Kongresi I Antifashist i Përmetit:

Vizioni demokratik dhe vendimet e tij historike

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura