Korça e Kolevicës, magjia e rrugicave të bulevardit që ofronin një magji të pashterueshme

Feb 14, 2023 | 20:56
SHPËRNDAJE

Nga Gjergj Bakallbashi

Për mua si femijë rrugicat e bulevardit të Korçës gjithmonë ofronin një magji të pashterueshme. E ky është një kujtim të cilin nuk e kam vënë në dyshim asnjëherë. Edhe sot ndjesia është e njëjtë.

Capture

Ç’ka nuk kuptoja, dhe për rrjedhojë mbeteshin jashtë magjepsjes me qytetin, ishte ndjesia që më jepnin tre objekte të cilat dukeshin edhe sikur nuk i përkisnin Korçës, sipas meje, por edhe sikur pa to Korça do të ishte tjetër qytet. Të treja këto objekte, mësova vite më vonë, ishin projektuar nga arkitekti me emër Petraq Kolevica. Ishte pallati ne bulevard ku jetonte motra e gjyshes time dhe ku në ballkonin llozhë që shikonte nga bulevardi dhe nga perëndimi bashkëshorti i saj, shkrimtari Nella Sinaeri, shpesh bënte banja djelli, ndonjëhere edhe në vjeshtë.

Llozha ishte e mbrojtur nga era, ishte e gjerë dhe djelli i perëndimit e rrihte në menyrë të plotë. Kati përdhe kishte dhe ka dyqane në vazhdim, njëra pas tjetrës. Njëri prej dyqaneve ishte librari për femijë, ku shkoja sa herë arrija ne Korcë për të blerë librin e rradhës. Kishte dhe librari te tjera per fëmijë në qytet, por aty ndjesia ishte ndryshe. Pastaj ishte pallati pranë stadiumit. Masiv dhe njëkohësisht me një fasadë plot me ballkone llozha. Në ditët kur kishte ndeshje futbolli, fasada veriore por edhe ajo lindore gjallëroheshin nga kokat e banorëve që mundoheshin të shikonin ndeshjen nga ballkonet, si të ishin në llozhat e nje opere duke parë performancën në skenë. Përkarshi asaj që quhet Lëndina e Lotëve, vendi ku njëherë e njëkohe familjaret percillnin jabanxhinjte, pallati dukej si një vend ku qyteti të uronte mirëseardhje. Edhe këtu kati përdhe përbehej nga dyqane të vazhduara.

Në anën veriore, atë që sheh nga stadiumi, dyqanet ishin kthyer në klubin e ping pongut, ku pingpongistët trajnoheshin dhe ku dyert rrinin hapur dhe ky publiku kishte mundësi t’i shikonte si të ishin pjesë e një rituali të qytetit, që nga pasidtja deri në darkë. Të shoqëruar nga tingujt e topave të pingpongut, të pangatarrueshëm me cdo tingull tjetër, ky ritual kthehej në pjesë të ritualit të xhiros te parku. Në qendër ishte biblioteka me ato dritaret vertikale, e ngjashme me dritaret e shtëpive më karakteristike, por nga ana tjetër aq masive. Fakti që gjithë ajo ndërtesë mund të kishte tre dritare, apo katër, ishte pak i pakuptueshme. Por mendoj se nuk kishte njeri te dyshonte se si numri si proporcioni i tyre të kujtonte se ishte pjesë e Korcës, dhe nuk kishte te bënte me pallatet e kulturës në qytete te tjera. Më interesantet ishin ballkonet.

Capture

Për këdo që jetonte në shtëpitë karakteristike lartesia e ballkoneve ishte e pazakontë, dhe prej aty sheshi i bankës do të dukej ndryshe…dhe sic kuptova më vonë aty shikoje mbi catitë e shtëpive deri tek parku në veri. Nëse një objekti si biblioteka ka për qëllim të të lartesojë, arkitektura e bibliotekës padyshim të lartësonte. Më vonë mësova se kjo biblioteke kishte zëvendsuar Kishën e bukur të Shën Gjergjit. Dy pallatet dhe biblioteka kanë një dimension publik që e tejkalon emrin ‘pallat’ apo ‘bibliotekë’. Pallatet edhe sot e kesaj dite kane ruajtur të njëjtin karakter pa mbyllur llozhat, kjo falë qytetarisë të korçarëve por edhe mbase respektit që të imponojonë ato objekte. Biblioteka per fat te keq u ndryshua pa pyetur Petraqin dhe këtu arkitektët dhe qytetarët duhet të ishin bashkuar me të ndjerin Maks Velo i cili shprehu edhe revoltimin e tij ndaj këtij akti mosrespektues në ditën kur Shoqata e Arkitektëve të Shqiperisë i dha Çmimin e Nderit Petraqit.

Nderim më i madh do të kishte qenë nje prononcim për ndryshimin e arkitekturës te objektit pa respektuar të drejtën e autorit dhe autorin e projektit. Dhe dashje pa dashje kjo histori e këtyre tre objekteve tregon se njerezit e respektuan Petraqin më shumë se pushteti, duke ia respektuar arkitekturën, ndersa pushteti ia ndërroi pa e pyetur dhe duke mos e respektuar. Besoj se një arkitekt si Kolevica i cili ishte sa i vetëdijshem aq edhe kritik ndaj rolit diktatorial të pushtetit ndaj arkitektit, edhe pas rënjes të diktaturës, sidomos ndaj arkitektit vendas, e kuptonte mirë këtë akt.

Mynih, 14.02.2023- Shkruar në nderim të Petraq Kolevicës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura