Një pjesë e tyre fotografojnë formularin me celular si provë
Vllehët e Korçës, të cilët pretendojnë kombësinë greke, kanë kërkuar të fotokopjojnë formularin e regjistrimit, ndërsa disa të tjerë e kanë dokumentuar këtë fakt duke e fotografuar nëpërmjet celularit. Edhe pse nuk specifikojnë arsyen e kësaj kërkese, ata deklarojnë se janë dyshues për tjetërsimin e informacionit që deklarojnë. Rastet janë sporadike, por një prej lagjeve e cila ka insistuar në këtë kërkesë është ajo Nr. 2 në Korçë, e njohur ndryshe si e populluar me banorë vllahë. Ka edhe nga ata të cilët, edhe pse nuk kanë arritur të marrin fotokopje, kanë shkëputur nga anketuesit diçka që mund t’u shërbejë si një provë e asaj që kanë vetëdeklaruar. Një rast i tillë është edhe ai i Rista Locit, 70 vjeçe, e cila ka marrë prej anketuesve një fletë të firmosur për atë çka ka deklaruar dhe nënshkrimin e anketuesve përkatës. “Fillimisht më erdhi në shtëpi një grua, por ajo nuk kishte asnjë gjë që të identifikohej dhe unë e përzura. Doja të regjistrohesha, por ku ta dija unë se kush ishte ajo, kështu që shkova vetë tek zyra e INSTAT-it dhe kërkova të më regjistronin. Ishin dy djem që më morën të dhënat. Nuk kisha besim, ndaj u kërkova që të më shënonin me firmë e me vulë ato që kisha deklaruar. Ata më dhanë këtë fletë ku shkruhet feja ortodokse, kombësia greke dhe shkruan edhe emrat e tyre. Unë nuk e dua për ndonjë gjë, veçse për ta pasur për veten time se nuk kam besim fare. Unë jam nga Shtika e Ersekës dhe mamanë e kam pasur greke, ndaj asnjë s’ma ndryshon dot kombësinë. Unë jam greke dhe kështu dua të ma shkruajnë”, u shpreh 70-vjeçarja. Raste të tjera të vllahëve, të cilët kanë pasur probleme me anketuesit pasi nuk i pyesin fare qytetarët në lidhje me etninë dhe fenë, janë shënuar thuajse në çdo lagje të Korçës. Ndërsa një problem i cili shkel edhe rregullat e procesit, është pikërisht ai i përdorimit të lapsit nga anketuesit. Janë të shumtë personat të cilët në momentin e plotësimit të formularit kanë parë anketuesit të përdorin laps në vend të stilolapsit, duke u justifikuar se e përdorin lapsin pasi kur bëjnë gabime mund t’i fshijnë. Reagimeve të deritanishme në lidhje me procesin e regjistrimit të popullsisë u është bashkangjitur edhe ai i organizatës OMONIA, e cila ka denoncuar parregullsitë e konstatuara nga vetë banorët. Sipas saj, problematike mbeten rastet e plotësimit me laps të formularit apo qëndrimi i disa anketuesve, të cilët refuzojnë plotësimin e e pyetjes së etnisë apo fesë për qytetarët e Korçës. “Rezultati i regjistrimit tashmë është vendosur, përgëzime për mijëra nga ju që gjetët guximin të tejkalonit frikën dhe dyshimet që u përpoqën t’ju imponojnë gjysmështetarët e Aleancës Kuq e Zi dhe disa gjoja grekë. E dinim që në fillim se regjistrimi i popullsisë nuk ishte i nivelit europian. Denoncojmë publikisht anketuesit, të cilët shkruajnë me laps përgjigjet e popullsisë, denoncojmë ata që nuk pranuan të regjistrojnë 94 familjet me origjinë greke në fshatin Shën Gjergj, gjithashtu denoncojmë ata anketues që përgjigjen vetë te pyetja e etnisë pa pyetur personin regjistrues. Deklarojmë gjithashtu publikisht se do të pengojmë me çdo mënyrë ndërhyrjet në regjistrim të gangsterave të Aleancës Kuq e Zi. Ju kujtojmë se të dhënat që deklarojnë janë të dhëna rreptësisht personale. Helenë të rajonit Korçë ju përgëzojmë edhe një herë për pjesëmarrjen tuaj në regjistrim”, thuhej në deklaratën e përcjellë nga organizata OMONIA.
Spahiu: Censusi godet çamët
Nënkryetari i KLD-së, njëherësh kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, tha dje se procesi i regjistrimit të popullsisë shkel të drejtat e çamëve. ”Censusi nuk mban parasysh të drejtat e çamëve. Propozimi ligjor për këtë klasë të popullsisë u përjashtua nga ky regjistrim”, u shpreh Spahiu, i ftuar në një takim nga Instituti i Çamërisë. ”Një proces i ndjekur në këtë mënyrë po sjell uljen artificiale të numrit të shqiptarëve në Ballkan. Gjithashtu, është e domosdoshme që shteti të inventarizojë të gjitha pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë.
Tavo e Barka, kundër OMONIA për censusin
GJIROKASTER- Dy deputetët e maxhorancës, Vangjel Tavo dhe Kosta Barka, kanë ftuar popullsinë minoritare të mos dëgjojnë thirrjet e OMONIA-s për bojkot të censusit. Sipas tyre, qëndrimi i OMONIA-s rreth censusit është i gabuar. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Tavo e Barka theksojnë se kanë vërejtur fenomene që bien ndesh me kuadrin ligjor që rregullon censusin, klimën e kërkuar demokratike e bashkëkohore dhe vetë përmbajtjen e pyetësorit. Këto shkelje, sipas deputetëve minoritarë Tavo e Barka, lidhen veçanërisht me pika delikate të censusit, por që përcaktojnë në një shkallë të madhe respektimin e të drejtave të njeriut, atë të vetëdeklarimit të kombësisë, fesë dhe gjuhës amtare. Sipas tyre, përveç presionit të ushtruar nga shoqata të ndryshme apo edhe faktorë të tjerë, anketuesit tejkalojnë në mënyrë të dukshme kompetencat e tyre, duke kërkuar dokumente vërtetuese për deklaratën e bërë për kombësinë greke. “Ata ushtrojnë presion që të anketuarit të shmangin vullnetin e tyre për identitetin etnik e fetar dhe të deklarojnë atë që duan anketuesit, si dhe përdorin mjete e mënyra që pyetësori të mund të manipulohet”, thuhej në deklaratë. Veprimet e kësaj natyre, sipas Tavos dhe Barkës, duhet të marrin fund në mënyrë të menjëhershme, pasi vihet në pikëpyetje serioze rezultati real i censusit, ul në maksimum kredibilitetin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare në respektimin e ligjeve të veta, sidomos në atë drejtim që ka të bëjë me çështje të të drejtave të njeriut, si dhe shtojnë pengesat e vendit për integrimin në komunitetin e familjes europiane. Dy deputetët theksuan se qëndrimi i OMONIA-s është me shumë pasoja për vetë minoritetin, pasi vetëpërjashtimi nga procesi, i kërkuar me këmbëngulje për 20 vjet me radhë, përbën një vetëflijim të interesave të lartë të këtij minoriteti, në emër të interesave të ngushtë të një grupi njerëzish në krye të kësaj organizate. p.n
Censusi, deri dje të anketuara 21% e familjeve
Kanë kaluar vetëm pesë ditë dhe INSTAT ka dhënë dje shifrat për ecurinë e censusit. Në një njoftim për shtyp bëhej me dije se deri në mesditën e djeshme ishte kryer anketimi në 21 për qind të banesave. Shifra e dhënë dje për mediat ishte e shoqëruar dhe me komentet e Institutit të Statistikave për mbarëvajtjen dhe situatën e konstatuar, të cilën e vlerëson si pozitive. Sakaq, lidhur me problemet që janë lakuar për procesin, Instituti pranon se një proces i tillë kompleks pa dyshim që nuk mund të mos shënojë problematika, edhe pse ato mbeten të izoluara. Një ndër shqetësimet e qytetarëve ka qenë ajo lidhur me pasojat që mund të ketë disponimi i saktë i të dhënave nga ana e shtetit, pra pasojat juridike, por edhe në këtë pikë INSTAT ka theksuar se të dhënat po merren vetëm për statistika dhe do t’i shërbejnë politikave sociale. “Censusi është një matje statistikore, që nuk ka të bëjë me regjistrin civil, taksat, pronat, pensionet apo kombësinë. Censusi i popullsisë dhe banesave numëron individët, banesat, njësitë ekonomike familjare në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilat do të publikohen në formë të agreguar dhe vetëm për qëllime statistikore”, thekson INSTAT, duke bërë thirrje që qytetarët të mirëpresin anketuesit.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al