KORÇE – Grindja për pëllumbat, që çoi deri në vrasje, i ka kushtuar dënimin me 10 vjet burg një 41-vjeçari nga Korça. Gjykata e rrethit vendosi këtë masë dënimi për shtetasin Arben Dautllari, nga fshati Sovjan. Ai u dënua duke përfituar gjykimin e shkurtuar, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar 22 vjet burg për vrasjen e Petraq Burnazit. 41-vjeçari kërkoi gjykimin e shkurtuar, duke e pranuar krimin, çka ndikoi në uljen e viteve të dënimit. Ngjarja në të cilën mbeti i vrarë Petraq Burnazi, 33 vjeç, nga fshati Zvirinë i rrethit të Korçës, ka ndodhur më 23 nëntor të vitit të kaluar. Ai mbeti i vrarë në oborrin e banesës së shtetasit Arben Dautllari, tek i cili kishte shkuar për të sqaruar debatet gjatë një grindjeje që kishin pasur më parë për disa pëllumba. Burnazi u gjet nga policia i pajetë në oborrin e Dautllarit, ndërsa ky i fundit e pranoi autorësinë menjëherë pas arrestimit. Ai deklaroi se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi dhe shfaqi pendesë për krimin. Në vendin e ngjarjes, policia gjeti vetëm një gëzhojë, por grupi i hetimit deklaroi se ishte qëlluar me më shumë se një plumb për shkak se në vendin e ngjarjes mbeti i plagosur edhe një shtetas tjetër, 26-vjeçari Marsel Dautllari, nipi i autorit. Ai ka qenë i pranishëm në momentin kur është qëlluar me armë automatike, por fatmirësisht u shpëtoi plumbave. Pas hetimeve rezultoi se Burnazi dhe viktima janë takuar ditën e krimit në prani të 26-vjeçarit për të biseduar për shitjen e disa pëllumbave. Ndërsa janë ulur në një lokal të fshatit Zvirinë, Petraq Burnazi dhe Arben Dautllari kanë filluar të konsumojnë pije alkoolike. Në bisedë e sipër, Burnazi e ka goditur me grusht atë që më pas do ta vriste. Pas ngjarjes, Arben Dautllari dhe nipi i tij janë larguar. Por viktima ka shkuar në shtëpinë e tyre, ku Dautllari e vrau në oborr të shtëpisë së tij. g.a
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al