Koreja e Veriut teston një dron bërthamor nënujor! SHBA: Ushtria jonë është e përgatitur plotësisht për provokimet

Jan 19, 2024 | 13:11
SHPËRNDAJE

Koreja e Veriut ka testuar sistemin e tij të armëve nënujore bërthamore, në shenjë proteste ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake që këtë javë kanë mbajtur Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia, raportoi media shtetërore KCNA.

Koreja0veriut

Testimi i sistemit “Haeil-5-23”, emrin që Koreja e Veriut ua ka vendosur dronëve sulmues nënujorë me kapacitete bërthamore, u krye nga një grup ekspertësh i Ministrisë së Mbrojtjes. Testimi u krye në ujërat afër bregdetit lindor verikorean, tha KCNA-ja, pa dhënë detaje se kur ndodhi kjo ngjarje.

Një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Mbrojtjes akuzoi SHBA-në, Korenë e Jugut dhe Japoninë se po bëhen “të papërmbajtshme” me stërvitjet ushtarake, duke paralajmëruar për “pasoja katastrofike”.

Marinat e tri shteteve kanë mbajtur stërvitje të rregullta treditore, që përfunduan të mërkurën. Në stërvitje mori pjesë edhe aeroplanmbajtësja amerikane, Carl Vinson. Stërvitjet u mbajtën si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar përgjigjen e këtyre shteteve ndaj kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut.

Testimi i armëve nënujore të Koresë së Veriut nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut më 19 janar lëshoi një paralajmërim kundër testimeve të fundit të kryera nga Veriu, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të tyre.

“Ushtria jonë është e përgatitur plotësisht për provokimet e Koresë së Veriut nën një qëndrim të përbashkët të mbrojtjes me SHBA-në”, tha ministria përmes një deklarate, duke u zotuar për përgjigje “dërrmuese” nëse Koreja e Veriut bën një provokim të drejtpërdrejtë.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Japonisë, Yoko Kamikawa, gjatë një konference për media u pyet për testimin e fundit të Veriut, por ai nuk pranoi të komentonte. Megjithatë, ai u zotua se do të vazhdojnë përpjekjet për të frenuar zhvillimin e armëve të Penianit.

I cilësuar si “Haeil”, që do të thotë cunami, sistemi i ri i dronëve fillimisht ishte raportuar se është testuar në mars të vitit 2023, dhe media shtetërore ka raportuar se ky sistem mund të kryejë sulme tinëzare në ujërat e armiqve dhe të shkatërrojë sulmet detare dhe operacionet e mëdha të nisura nga portet, duke krijuar një valë të madhe radioaktive përmes shpërthimeve nënujore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura