Korrupsion apo hajdutëri?

Jul 22, 2024 | 8:56
SHPËRNDAJE

NGA GËZIM TUSHI GËZIM TUSHI

Korrupsioni është një nga problemet endemike e strukturore të shoqërive demokratike, një e vërtetë që të bën të shtrosh pyetjen e habitshme: Pse është kaq e lidhur demokracia me korrupsionin? Një pyetje që këto kohë në jetën e të shoqërisë shqiptare është dominante, duke sjellë situata të rritura shqetësimi dhe acarimi social, politik e ligjor. Është e vërtetë që korrupsioni është kthyer në “fenomen universal”, madje ka filluar të ketë një “status social” si “dukuri e përhershme”. Demokracitë, kudo në botë i kanë kaluar “fazat e tyre” të përballjes me dukurinë e korrupsionit, bashkë me të edhe antropologjinë e njeriut të korruptuar. Por për ne situata është ndryshe për shfaqjet konkrete të korrupsionit në sasi dhe cilësi, në hapësirë dhe kohë. Në këtë kontekst, korrupsioni jo vetëm për ne, por në përgjithësi për të gjitha vendet që sapo kanë dalë nga tanzicioni postkomunist, është kthyer në fenomen social tipik. Ndaj duke e parë problemin në aspektin kontekstual, të lidhur me realitetet që zhvillohen në shoqërinë shqiptare, problemi ka shumë aspekte sinkretike me natyrë të përgjithshme, por jo pak edhe me aspekte specifike, të lidhura me natyrën e shfaqjeve të korrupsionit, tërësinë e mjeteve, intensitetin e qëndrueshmërinë e luftës kundër tij. Por, për ta parë këtë dukuri në mënyrë më përgjithësuese, për të kuptuar shkaqet sociale, faktorët ontologjikë të ekzistencës, duhet vlerësuar diagnoza që kanë bërë sociologët për këtë fenomen ekzistencial, të shfaqur në forma të agravuara në vendet ish komuniste të Europës Lindore. Sipas tyre, “Çdo luftë, revolucion, ndryshim regjimi, formimi dhe zhvillimi i një klase të re pronarësh, çdo ndryshim në shpërndarjen e pasurisë, nxit rritjen e korrupsionit”.

Pa diskutim të gjithë këta faktorë janë të pranishëm, ekzistencialisht ndikues dhe determinantë për nivelin e shfaqjeve komplekse të korrupsionit në shoqërinë tonë. Personalisht më duket se në perceptimin publik, trajtimin mediatik dhe vlerësimin politik e juridik të fenomenit, duket sikur ka një tautologji e cila shpesh bëhet si “perde sociale” për të zbutur vizibilitetin e fenomenit, apo për të sfumuar efektet dhe kundërefektet degraduese e shkatërrimtare të tij. Është e domosdoshme të bëjmë një “marrëveshje fjale”. Sepse nuk është problem i lehtë, përpjekja për përcaktimin e saktë nominal të konceptit “korrupsion”. Por tani jemi në një situatë tejet të agravuar, kur ai është përhapur gjerësisht nga pikëpamja strukturore dhe ka përfshirë pjesë të gjëra të strukturës dhe supestrukturës. Besoj se është pikërisht madhësia, pesha sociale që kërkojnë një vlerësim objektiv të përmasave dhe intensitetit të korrupsionit në Shqipëri. Kjo është arsyeja që mbase është e drejtë, fare objektive që në vend të termit korrupsion që duket ca eufemist dhe i “sfungjertë”, të flasim për patologjinë e zgjeruar të “hajdutërisë”, të aplikuar kohët e fundit gjerësisht nga disa politikanë dhe persona zyrtarë.

Në këtë kohë, brenda kësaj shoqërie shfaqet dukshëm procesi i “venitjes së vlerave” apo më saktë, vlerat e vetme janë paraja, përfitimi, ideali sublim i shoqërisë është kthyer pasurimi me çdo kusht dhe mjet, përfshirë korrupsionin dhe hajdutërinë zyrtare. Ky sfond social pragmatist ka sjellë në skenë politikanin dhe nëpunësin që abuzon me fondet publike, që kërkojnë e pranojnë ryshfet e bakshish për të bërë punën e tyre, gjykatësin që në disa raste nxjerrin “vendimet në ankand”, apo mësues që vendosin nota të mira kur përfitojnë diçka nga prindi i nxënësit, mjeku që përdor stratagjema të alambikuara e skema korruptive në trajtimin medikal të pacientëve etj..

Të gjitha këto tregojnë atë që filozofi dhe kritiku social Cornelius Castoriadis, thotë se “Korrupsioni sheshit, që e vëmë re në sistemin politikoekonomik bashkëkohor nuk është periferik apo anekdodik, por është kthyer në tipar strukturor, në tipar sistemik të shoqërisë ku jetojmë”. “Vërshimi i pakuptimësisë”, f. 117

Korrupsioni nuk është dukuri e thjeshtë. Shikimi semplist është gabimi më i madh që bëjmë kur vlerësojmë peshën sociale, ndikimet degjeneruese, sepse niveli i korrupsionit në thelb pasqyron nivelin social të shoqërisë, cilësinë e normave kulturore ekzistuese, patologjinë e mjedisit social ku ai kryhet. Njerëzit e ndershëm që nuk i mungojnë këtij vendi, janë të shqetësuar. Ata kanë frikë se korrupsioni po tenton (kjo është shumë serioze) të bëhet pjesë e kulturës dhe ingredient organik i mënyrës së sotme të jetës. Nuk është situatë e panjohur, e paparashikuar ajo që po ndodh me korrupsionin galopant që ka përfshirë në përmasa shqetësuese politikën, administratën shqiptare. Këtë dukuri gërryese të demokracisë, shkaqet endemike dhe rastësore i kanë analizuar dhe diagnostikuar në mënyrë shteruese shumë politologë, filozofë dhe sociologë të politikës. Sipas tyre, korrupsioni shpreh “lidhjen e fortë” që krijohet midis një regjimi shoqëror dhe tipave antropologjikisht të përshtatshëm, për të bërë të mundur ekzistencën, lulëzimin e korrupsionit. Sipas tyre, në kohën e sotme është e vështirë të konceptohet ekzistenca e politikanit me integritet, “nëpunësit korrekt veberian”, gjykatësit të pakorruptueshëm, mësuesit të përkushtuar ndaj detyrës.

“Personazhe të tilla thonë ata, janë të pakonceptueshëm për periudhën bashkëkohore”. Korrupsioni në shoqërinë tonë është kthyer në një “ideologji masive”, “limfë molepsëse”, e cila ka krijuar jo thjesht ca individë “rastësisht të korruptuar”, por një shtresë sociale të përbërë nga politikanë, zyrtarë e deri te njerëz ordinerë, të cilët mendojnë se sot hajdutëria ose korrupsioni nëse përdorim një lloj eufemizmi estetik demokratik është veprim i lehtë, i padiktueshëm. Madje veprimtari më e ndershme sesa krijimi i pasurisë me punë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se korrupsioni ka kapur edhe fushën e jetës politike dhe elektorale, e cila gjithashtu ka qenë jo pak e infektuar nga elementët e “korrupsionit elektoral”. Kujtoni proceset e hapura për disa politikanë që kanë përdoruar mjete e forma korruptive, në kundërshtim me kërkesat e Ligjit të Zgjedhjeve, që ende janë nën procese të hetimit gjyqësor. Gama e veprimeve, “fizarmonika e korrupsionit” është e gjerë, komplekse.

Madje edhe perceptimi ka filluar të zgjerohet, duke e kapërcyer kufirin e ngushtë të kuptimit të korrupsionit vetëm me vjedhjet e drejtpërdrejta e veprimet materialisht banale. Kur flasim për korrupsionin dhe të korruptuarit, nuk kemi parasysh vetëm përfitimet nga shpërdorimi i fondeve publike përmes tenderave abuzivë. Kjo padyshim është pjesa më e dukshme, me pasoja të rënda materiale e financiare. Por, koncepti për korrupsionin duhet zgjeruar dhe bërë më gjithëpërfshirës. Sepse nuk është vetëm vjedhja nga politikanët dhe zyrtarët e lartë të korruptuar, por edhe fenomeni i neveritshëm i nepotizmit, i cili ka gjithashtu një gamë të gjerë të efekteve korruptive. Sepse duke favorizuar të afërmit, miqtë dhe shokët (qoftë edhe pa interesa të drejtpërdrejta apo të tërthorta politike, materiale apo financiare), ai bëhet shkelës i sistemit të vlerave personale dhe meritës publike. Situata është delikate, sepse korrupsioni i përhapur, ka ndikimet e veta në dobësimin e sensit të dallimit midis të “mirës” dhe të “keqes”, të ndershmes dhe banales duke sjellë si pasojë një çorientim etik, zgjerim të relativizmit moral, krijimin e situatës së mungesës së vlerave të shoqëruara nga cinizmi qytetar. Është vërtetuar katërcipërisht, se në mënyrë sintetike korrupsioni sjell shumë pasoja sociale, që ndihen në efektet degraduese në jetën e shoqërisë. Por sipas mendimit tim, dy janë më kryesoret: e para, dëmi ekonomik, e dyta dhe më kryesorja është me natyrë psikosociale dhe ka të bëjë me “helmimin e besimit” tek publiku.

Korrupsioni nuk pengon vetëm progresin ekonomik, por ka filluar të japë efekte negative në zbatimin e duhur të politikave publike. Kjo është arsyeja pse në shoqëri ka një këmbëngulje të fortë, për të vepruar me vendosmëri kundër korrupsionit dhe ndëshkimin ligjor të korruptuarve, sidomos të zyrtarëve publikë, te të cilët sjelljet e korruptuara, shkelja e ligjeve dhe rregullave për të siguruar përfitime personale është bërë e padurueshme, e neveritshme. Fusha e shtrirjes së korrupsionit është e shtrirë gjerësisht. Ky “virus patologjik” është përhapur kudo, duke filluar nga privatizimet, prokurimet publike, dhënia e licencave, industria e kujdesit shëndetësor, duke vazhduar me të njëjtin intensitet në dogana, tatime, policinë e shtetit, shëndetësi, arsim e kudo. Një situatë e tillë, përveç aspekteve materiale krijon kushtet e duhura, që të kenë epërsi morale, të kapardisen para shoqërisë pikërisht njerëzit e korruptuar. Shpeshherë flitet për “njeriun ekonomik”, si specie antropologjikisht e përshtatshme për modelin e kapitalizmit të sotëm.

Ky nuk është njeriu social, por njeriu që lakminë e kthen në korrupsion dhe mjet për përfitime abuzive vetjake. Nuk ka vlerë enumeracioni i sektorëve, fushave ku shfaqet korrupsioni, apo veprojnë njerëzit e korruptuar të politikës dhe administratës. Kjo është ana e dukjes empirike. Unë them se duhet parë jo aq kjo anë, se sa ajo që është thelbësore në konceptimin e korrupsionit, i cili në esencën e ndikimeve negative polivalente, është pengesa më serioze e zhvillimit shoqëror, “kancer” dhe “qark i mbyllur” që ushqehet me vetveten. Mbi të gjitha, ai është nga ana sociale patologjikisht i dëmshëm, me pasoja serioze ekonomike. Ai është një nga armiqtë më eminentë të demokracisë, shkaktar që minon rregullat e tregut, frenon lirinë, iniciativën e individit. Sepse korrupsioni jo vetëm ekziston si dukuri dhe entitet më vete, por është kthyer në “virus social ngjitës”, që shfaqet në të gjithë shoqëritë me “orientim tregu”. Korrupsioni në kohën e sotme testohet, matet dhe vlerësohet në mënyra të ndryshme. Një prej tyre është lidhja midis “normës së ryshfetit” dhe nivelit të përgjithshëm të korrupsionit. Kjo do të thotë se për të parë se cili është niveli i korrupsionit, sa të korruptuar e kemi klasën politike dhe nëpunësit e administratës, duhet llogaritur madhësia e “normës aktuale të ryshfetit”. Është vërtetë shqetësues realiteti me të cilin po përballemi, kur janë zgjeruar përmasat e tjetërsimit të njeriut politik apo administrativisht i pushtetshëm.

Koha po tregon se një pjesë e politikanëve tanë i kanë “dedektuar” mirë mjetet që sjellin kënaqësitë e politikës së korruptuar. Njerëzit janë të mërzitur me këtë tipologji politike, me kategorinë antropologjike të politikanit të korruptuar, që ecën me bindjen makiaveliste, sipas të cilës “politika të jep pushtet dhe pushteti të jep pasuri”. Ne jemi larg atij qëllimi të madh, të pritur nga demokracia, pikërisht nga mungesa e ndërgjegjes dhe e mekanizmave institucionalë që ta bëjë pushtetin dhe njerëzit e pushtetshëm, që të mos i kalojnë caqet e përfitimeve të padrejta. Filozofët dhe sociologët modernë kanë të drejtë në konstatimin e tyre brilant, sipas të cilit, për shumë politikanë të korruptuar, pushteti është kthyer në qëllim në vetvete. Dhe kur ndodh kjo, atëherë “korrupsioni bëhet një zgjatim i pashmangshëm i pushtetit”. Një metamorfozë e çuditshme me shumë politikanë, punonjës e drejtues të lartë të administratës shtetërore, të cilët shpesh kanë qenë njerëz të mirë para hipjes në pushtet, por kur bëhen “homo politicus”, shfaqin vese, midis të cilave edhe korrupsionin endemik.

Nuk ka pse e fshehim realitetin tonë. Ka tri dekada që përballemi me paradigmën e shëmtuar të ekzistencës së korrupsionit të njerëzve të pushtetshëm, të atyre që hipin dhe zbresin duke pasur në mendje idenë fikse, për ta “konvertuar” postin apo detyrën politike e përfaqësuese në privilegje e forma materiale hajdutërie. Por kur flasim për korrupsionin e shtresës së lartë, nuk është fjala vetëm për format monetare të korrupsionit, por edhe për disa forma të ndërmjetme, të tërthorta të nepotizmit, hatëreve, miqësive. Edhe ky është korrupsion i pastër, kur një politikan që bëhet ministër apo deputet, harron që është zgjedhur për të zgjidhur problemet e vendit dhe shoqërisë, jo thjesht problemet e veta, të fisit e miqve të tij. Pikërisht kjo është një aksiomë universale e konfirmuar botërisht: Pushteti korruptohet kur ai bëhet mjet, që sjell të mira e favore sociale vetëm për pushtetarët. Është shumë pozitiv fakti që kohët e fundit, ka një konsensus social në vlerësimin dhe anatemimin e korrupsionit.

Por për fat të keq kur je i detyruar të jetosh në një shoqëri të korruptuar, të krijohet ideja se nuk ka rrugë tjetër për të jetuar, veçse të jesh edhe ti i korruptuar, po aq sa janë disa politikanë apo nëpunës të caktuar të administratës së shtetit. Edhe pse ka një paradoks në diagnostikimin e përmasave dhe shtrirjes së korrupsionit, i cili tregon se është më i padukshëm korrupsioni në nivelet e larta se ai që shfaqet në nivelet e ulëta. Vjedhjet e vërtetuara dhe ato që do vërtetohen në të ardhmen, të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, shpesh kanë me pak efekte publike se sa bakshishi i një infermiereje, trasta me patate e një kuzhiniereje të një institucioni publik, apo përfitimi i pamoralshëm i një mësuesi apo pedagogu…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura