KPA ka rrëzuar anikimimin e Hajdarit kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Hajdari u shkarkua me vendim të KPK-së pasi nuk justifikonte transaksionet me pronat dhe ndërtimin e një pallati 10-katësh pa leje.
Hajdari, ankimoi vendimin e dhënë nga KPK-ja dy vite më parë, por megjithatë nuk ka gjetur mbështetje tek KPA-ja, e cila e ka refuzuar ankesën e saj.
Figura e saj u cilësua gjithashtu e papërshtatshme nga KPK, pasi nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në formularin për këtë kriter.
Kujtojmë se Fatmira Hajdari është e veja e Azem Hajdarit, deputet dhe njëri prej drejtuesve të lëvizjes studentore të viteve 90’ kundër diktaturës.
Njoftim vendimi:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.39/2020, datë 21.09.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Fatmira Hajdaraj (Hajdari) kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 265, datë 18.06.2020.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 265, datë 18.06.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Fatmira Hajdaraj (Hajdari).
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall, në Tiranë, më datë 24.10.2022.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al