Në prag të shpalljes së një mijë emrave që përfitojnë kredi të butë për shtëpi, Bashkia zotohet ta vazhdojë këtë program së paku edhe për vitin që vjen. Përmes një takimi me të rinjtë e gjimnazeve dhe universiteteve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, renditi pesë prioritetet për rininë në vitin 2021, midis të cilëve edhe strehimi.
“Ne jemi ndoshta e vetmja bashki që inkurajon strehimin e të rinjve, sidomos çifteve të reja. E kemi vënë kusht që aplikuesit duhet të jenë nën 35 vjeç, meqë përcaktimi i Kombeve të Bashkuara për të rinjtë është mosha nën 35, dhe mosha e të dyve duhet të jetë nën 70 vjeç. 1000 apartamente në Tiranë shiten vetëm falë kredive të buta që jep Bashkia e Tiranës”.
Drejtoria e Strehimit në Bashki është në fazën finale të përzgjedhjes së një mijë familjeve që përfitojnë kredi të zbutur për 2020-ën. Brenda ditësh pritet të shpallen emrat që kalojnë këtë fazë për t’u futur në marrëdhënie me bankën për lëvrimin e këstit që iu takon të përfitojnë.
PRIORITETET PËR TË RINJTË
Përveç mbështetjes me kredi, interesi i të cilave subvencionohet nga qeveria, në fokus të pushtetit vendor për vitin e ardhshëm, posaçërisht për të rinjtë janë edhe shkollat e reja, karta e studentit, bibliotekat dhe akademitë e kodimit.
Paralelisht me shtimin e shërbimeve me tarifa të reduktuara për studentët në të gjithë vendin, Bashkia kryeqytetase po punon që karta studentore të njihet edhe më gjerë. Kryebashkiaku bëri me dije dje se institucioni që drejton është në prag të firmosjes së marrëveshjes për Kartën Studentore Europiane, që automatikisht do ta njohë dhe të vlejë kudo në Europë.
“Jemi në prag të firmosjes së marrëveshjes me Kartën Studentore Europiane, që automatikisht ajo të njihet edhe në vende të tjera. Duke bërë njësimin me Kartën Studentore Europiane, ajo do të vlejë kudo në Europë”. Karta është e rinovueshme, ka një barcode të caktuar dhe ofron akses në të gjitha institucionet apo subjektet, në të cilat është afishuar ngjitësi me logon “karta e studentit”. Tirana, e kthyer thuajse e gjitha në kantier ndërtimi, do t’u sjellë të rinjve institucione të reja arsimore, më shumë se asnjëherë më parë. “Shkolla ‘Sami Frashëri’ ka hedhur themelet. Po ndërtojmë shkollë të re në zonën e Don Boskos, duke filluar nga Kthesa e Kamzës, Pallatet ‘Gintash’, të gjitha pallatet e Institutit Bujqësor, që në fakt nuk kanë pasur asnjë shkollë. Tani në të dyja polet po ndërtojmë shkollën ‘Vaçe Zela’ dhe ‘Kristo Frashëri’ te Don Bosko dhe po ndërtojmë ‘Nënë Terezën’ dhe ‘Kenedin’ në Institutin Bujqësor”, tha Veliaj, duke shtuar se bashkë me shkollat, të rinjtë do të kenë edhe më shumë terrene sportive, veçanërisht palestra të cilat mund t’i përdorin edhe pas mësimit.
Puna do të vijojë edhe për transformimin e Piramidës në qendrën më të madhe të inovacionit, si dhe hapjen e 6 biblioteka e të reja gjatë vitit 2021.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al