PËLLUMB NAKO
Secilit prej nesh i ka rënë rasti të shohë dokumentarë të shumtë me ngjyra e pa ngjyra, të cilët japin pamje reale të marra nga fronti i betejave të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore si dhe luftërat e tjera rajonale të zhvilluara më pas.
Kemi parë të paraqiten beteja apokaliptike që të japin idenë e fundit të botës. Janë shfaqur pamje nga përplasje të ashpra këmbësorësh të ushtrive gjigande të kohës, pamje tankesh duke bërë gjëmën, avionë që shkatërrojnë e rrafshojnë qytetet të tëra apo edhe beteja detare po aq të egra. E megjithatë, thuajse në asnjërin syresh nuk është parë të paraqiten pamjet e një ushtari në momentin që është duke u vrarë apo duke rënë në fushën e betejës.
Dhe kjo me arsyen e thjeshtë për t’i kursyer publikut shokimin nga pamjet e dikujt që vritet para syve të tij, sidomos atij të mitur. Të paktën në disa vende perëndimore aktualisht, thjesht prania e një të mituri në një situatë dhune, konsiderohet viktimizim i tij dhe që më pas ndiqet nga ndëshkime ligjore. Kurse në Shqipëri, tashmë u bënë disa vite që të gjithë, fëmijë e të rritur shohim vrasje, rrahje, përleshje, grabitje, bastisje, skena dhune të shfaqura direkt nga mbarë televizionet dhe portalet mbi bazën e pamjeve të ofruara nga kamerat e vendosura privatisht.
Rekord në këtë kontekst mban vrasje e fundit në Shëngjin ku një vrasje u shfaq live. Ndërkohë pati edhe kanale televizive “të kujdesshme” që shfaqnin atentatorin duke qëlluar, por jo viktimën. Përveç faktit të skenave të dhunshme, të cilat shokojnë gjithkënd dhe krijojnë efekte negative në raport me ndjenjën e pasigurisë, fakti i imazheve të marra nga lloj-lloj kamerash të vendosura si kërpudhat pas shiut, duket qartë që prezanton disa probleme të rënda. Probleme këto që duket se nuk shqetësojnë klasën tonë politike aq sa të marrë në dorë amullinë e krijuar.
Aktualisht kemi një parlament, i cili e gjen kohën, vëmendjen dhe zellin e duhur të mblidhet e të miratojë prishjen e një teatri, por nuk ka ngenë e nevojshme për të analizuar, ndërtuar një bilanc dhe në fund të gjejë zgjidhjet që i duhen aktualisht mbrojtjes së privatësisë së individit në shoqërinë shqiptare dhe legjitimitetit të bërjes publike të imazheve pamore të marra privatisht. Në këtë kontekst nuk bën përjashtim edhe dhënia një herë e mirë fund e fenomenit të neveritshëm, në të cilin janë vetë organet kompetente të drejtësisë apo sigurisë (të orientuara ose jo nga një dorë e padukshme) që mundësojnë publikimin e akteve të tëra të ndjekjes penale ndaj një individi duke u fokusuar sidomos në ato që dëmtojnë rëndë privatësinë e tij.
Kaq shumë përmasa ka marrë fenomeni së për fat të keq të krijohet përshtypja se jeta në Shqipëri dhe sidomos ajo që quhet “kronikë e zezë” është kthyer në një shfaqje të llojit “Big Brother”, ku privatësia shkelet pa mëshirë dhe ku hetimi penal zyrtar dublohet nga një tjetër, këtë radhë publik nëpër kamera. Shihet se edhe vetë shoqëria shqiptare është ambientuar me këtë situatë. Në një kontekst të tillë, nëse shfaqja “Big Brodher” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm, askush nuk duhet të ndihet i befasuar. Kemi një shoqëri e cila e ka ende pasion përgjimin apo ndjekjen e jetës së përditshme të tjetrit dhe kemi institucione që nuk e ndjejnë fare të rëndë shkeljen e privatësisë së tij. Kjo, sepse në fund të fundit “Big Brother” nuk është gjë tjetër veçse ndjekja i përditshmërisë së jetës së tjetrit në kushtet kur ai heq dorë vullnetarisht nga privatësia.
Thuhet se emërtimi i shfaqjes e ka burimin të personazhi kryesor i shkrimtarit Xhorxh Orwell në librin e tij “1984” dhe që autori e përmend me emrin “Big Brodher”. Shqipëria jonë ende nuk është pastruar mirë nga pasioni i shfrenuar i shoqërisë totalitare për të përgjuar gjithkënd. Shoqëri në të cilën secili ndihej i përgjuar dhe askush nuk e dinte saktësisht se nga kush përgjohej, aspekt ky që përbën edhe fillin udhëheqës të veprës së Orwellit. Dje në totalitarizmin shqiptar ishte shteti që survejonte gjithçka dhe në kushtet e mungesës së teknologjisë së përgjimit, ishte ushtria e spiunëve. Pra, privatësia ishte thuajse zero.
Kurse aktualisht në këtë gjysmë demokraci që jetojmë, e vetmja gjë që ka ndryshuar është teknologjia, sepse vesi masiv për të përgjuar të tjerët, mbetet thuajse i pa prekur. Dhe ky duket se është problemi madhor i shoqërisë sonë. Ajo e përqafon shpejtë teknologjinë e re, por nuk e konsumon atë me pjekurinë e duhur sociale. Edhe lëvizja e fijeve në prapaskenë nga ana e institucioneve të shtetit për të përndjekur privatësinë e individit, ka mbetur e njëjtë. Pra, po shkohet drejt zhdukjes së kufirit ndarës ndërmjet privatësisë dhe publikes. Kurse në një kuadër më të gjerë social, fshirjen e kufirit ndarës privatësi/publik po e përshpejtojnë frikshëm kamerat e panumërta të vendosura privatisht këto vite të fundit.
Nuk ka restorant, kafene apo mejhane si dhe sportele institucionesh ku në emër të sigurisë të mos jenë vendosur kamera dhe gjithkush përgjohet. Ndërkohë ajo që ndodh është se pamjet e tyre shfrytëzohen njëlloj si nga privatët, nga kriminelët, nga policia, drejtësia dhe media. Këto të fundit, jo rrallë herë i marrin pamjet “nën dorë” nga vetë institucionet e ngarkuara ligjërisht për të mos i bërë publike, në kuadrin e ruajtjes së privatësisë. Pra, nëse kamerat e një televizioni krijojnë mundësinë e ndjekjes nga gjithë publiku i përditshmërisë së dikujt, i cili ka pranuar që privatësinë e tij ta bëjë publike në kuadrin e një shfaqjeje, kamerat e panumërta në mbarë vendin bëjnë të njëjtën gjë, por pa pëlqimin e viktimës. Pra, duket qartë që përdorimi i pamjeve të marra nga kamera të vendosura privatisht paraqesin probleme madhore në raport me dhunën që paraqesin, në raport me privatësinë që shkelin dhe me keqpërdorimin e tyre si nga institucionet dhe nga media.
E gjitha kjo e lidhur dhe me mungesën e një kuadri rregullator të qartë për vendosjen dhe përdorimin e tyre pa llogaritur këtu përgjegjshmërinë. Policia para disa muajve shkuli një numër kamerash, që sipas saj përdoreshin nga kriminelët dhe që ishin të vendosura në ambiente publike. Ndërkohë shumica e pamjeve të rënda të kamerave që shfaqen mediatikisht, përfshi atë në Shëngjin, janë marrë brenda ambienteve dhe në rastin konkret, të lokalit të viktimës dhe të hotelit të tij. Pra, nuk janë të vendosura në hapësira publike. Ndërkohë që dihet tashmë se kamerat vendosen për motive sigurie. Pyetja që bëhet me këtë rast është: Nëse policia shkuli kamerat e vendosura në vendet publike, çfarë statusi kanë kamerat e vendosura nëpër mijëra e mijëra lokale e pijetore? Si përdoren imazhet e tyre?
Në kuadrin e sigurisë, Këshilli i Evropës përcakton tre lloj statusesh të hapësirave në kuadrin e menaxhimit të sigurisë së tyre: hapësira publike, hapësira private dhe hapësira private të hapura për publikun. Dhe sipas kësaj ndarjeje, ky organ thotë se gjithë hapësirat e aktiviteteve private që ofrojnë shërbime për publikun, kanë të njëjtin trajtim ligjor si hapësirat publike në të cilat Policia shkuli kamerat. Me fjalë të tjera, vendosja aktualisht e kamerave në lokale shërbimi private që frekuentohen nga publiku i gjerë, nuk ka mbështetje ligjore sipas asaj që thotë Këshilli i Evropës. Pikërisht rregullimi ligjor i vendosjes dhe përdorimit të pamjeve tyre duhet të përbëjë shqetësim për institucionet dhe Parlamentin në mënyrë që të garantohet maksimalisht privatësia e një individi, cilido qoftë statusi i tij social e ligjor.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al