Kristi Pinderi: Tri net të nxehta për homoseksualët

Apr 8, 2012 | 12:38
SHPËRNDAJE

Shumë gay do të shfaqen hapur më 17 maj,  për herë të parë.

Çfarë do të ndodhë më 17 maj në Shqipëri? Do të jenë tri ditë dhe tri net ndryshe për komunitetin LGBT në Shqipëri, të cilët, apo të cilat, për herë të parë do të mund të bëhen pjesë e aktiviteteve publike që do të ndërgjegjësojnë dhe përpiqen të informojnë publikun mbi të drejtat e tyre. Kristi Pinderi, aktivist për të drejtat e njeriut, ka zbuluar për gazetën “Panorama” axhendën e aktiviteteve që do të organizohen jo vetëm në Tiranë, por dhe në disa qytete të Shqipërisë në kuadër të 17 majit, Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë. Por organizimi i paradës gay ka hapur mjaft diskutime mediatike, që është shoqëruar me kundërshti sidomos nga politikanë, të disa partive politike. Në lidhje me këtë qëndrim të tyre, Kristi Pinderi ka pohuar se “ për politikanët do japim mesazhe konkrete, pasi atë Ditë Ndërkombëtare kundër Homofobisë, të gjithë anëtarët e Kuvendit do të marrin nga një letër të personalizuar, ku do të kenë të shkruara kërkesat politike, në lidhje me legjislacionin dhe fjalimet e urrejtjes ndaj homoseksualëve”. Sipas Pinderit që i referohet një axhende të përbashkët të organizatave “Aleanca Kundër Diskriminimit” dhe “Pro LGBT”, “ aktivitetet në kuadër të 17 majit, janë planifikuar të zgjasin të paktën tri ditë, duke filluar nga data 15 maj deri në orët e para të datës 18 maj. Një prej qendrave të organizimit të tyre do të jetë “Tirana expres”, ambient i sapopëruruar i aktiviteteve kulturore, ku do të çelet një ekspozitë me fotografitë e djemve dhe vajzave të këtij komuniteti, foto që do të tregojnë jetën e tyre të përditshme, por mbi të gjitha foto që do të tentojnë të thyejnë në publik mitet mbi këtë komunitet. Gjithashtu po në këtë qendër do të organizohen koncerte me muzikë rock, debate e forume publike edhe në qytete kryesore të vendit, përveç Tiranës. Por a do të mund të ketë personazhe të njohur nga jeta publike apo bota e televizionit që do të dalin hapur në këtë ditë? Kristi Pinderi ka pohuar se “tashmë dhjetëra personalitete të njohur në botën e televizionit apo në jetën publike të vendit kanë thënë publikisht se do të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve për të mbështetur këtë kauzë”. Ky është viti i tretë që në Shqipëri organizohen aktivitete në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë. Ky është viti i parë që pritet që festimet të bëhen publike dhe masive, pasi dy vitet e shkuara homoseksualët kanë festuar në fshehtësi të plotë. Gjatë tri ditësh aktivitete, do të shfaqet për herë të parë dhe filmi dokumentar “Të fshehur mes jush”, ku një çift gay dhe një çift tjetër lesbikesh nga Tirana rrëfejnë dashurinë e tyre që nuk njeh gjini dhe që paragjykohet ende në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura